zoom

Ekonomi

Ankohen tregtuesit e naftës në vend: Rritja e çmimeve dhe bordi na nxorën me humbje

Për herë të parë në 2022 nuk ka asnjë kompani tregtuese të naftës në renditjen e më të mëdhenjve sipas fitimeve, ndonëse ata mbizotërojnë në listën sipas xhiros.

Historikisht, tregtimi me shumicë dhe pakicë i naftës është një nga aktivitetet më pak fitimprurëse në vend, sa i përket normës së fitimit, por në vitin 2022, pjesa më e madhe e tyre kanë rezultuar me humbje, ose me fitime minimale.

Operatorët e shpjegojnë këtë ecuri me disa faktorë.

-Së pari, tregu pësoi një goditje në fillim të marsit, pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, duke rritur çmimet në bursa dhe duke detyruar operatorët të ndryshonin burimet e furnizimit, me kosto të shtuara.

Çmimet në tregun vendas kërcyen deri në 260 lekë, nga 185 lekë përpara fillimit të konfliktit në janar.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të grupit të shërbimeve personale ndaj mjeteve të transportit ishte 23% në vitin 2022, nga 6.7% që ishte ndryshimi gjithsej i inflacionit dhe i dyti me zgjerimin më të lartë nga të gjitha grupet, pas vajrave dhe yndyrave (24.2%).

Operatorët shpjegojnë se sa më i lartë çmimi në bursë, aq më pak fitojnë të gjithë, përveç prodhuesit, pasi shtohet kosto e parasë. Kur çmimi është i ulët, kompanitë kanë më shumë mundësi të manovrojnë me çmimet, pasi dhe reflektimi i rënies së tyre në bursa është pak më i ngadaltë.

-Së dyti, nga muaji mars u krijua Bordi i Transparencës, një mekanizëm qeveritar që vendosi çmime tavan për tregtimin e naftës, benzinës e gazit, duke u nisur në përllogaritjen e kostove nga importi, kalimi në doganë e deri te konsumatori fundor.

Bordi tha se në vendimet e tij u bazua në lëvizjet e bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Operatorët u ankuan se kjo ndërhyrje, ku çmimet përcaktoheshin në një frekuencë disaditore, uli fleksibilitetin e tregtuesve për të blerë në bursa kur çmimet ishin të favorshme.

-Së treti, çmimet e larta ndikuan në rënien e konsumit të karburanteve. Të dhënat nga Ministria e Financave treguan se importet e karburanteve në sasi ranë me 9% në vitin 2022, në raport me vitin e mëparshëm.
“Kastrati Group” (tregtim me shumicë) kishte të ardhura prej gati 93 miliardë lekësh në vitin 2022, duke shënuar një rekord historik të qarkullimit vjetor të një kompanie në vend. Por, kompania raportoi humbje prej 1 miliard lekësh, nga 5 miliardë lekë fitime vitin e mëparshëm.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se gjithsesi, humbja nuk erdhi nga aktiviteti normal, por nga përfshirja në shpenzime financiare të aktiviteteve brenda grupit, konkretisht humbjes nga shitja e investimeve financiare afatgjata (shitje kuotash që zotëronte te shoqëria “Tirana International Airport”, shoqërisë “Kastrati Aviation Holding” sh.p.k.), me vlerë negative prej rreth 3 miliardë lekësh.

Nëse përjashtojmë këtë event që ndodh vetëm një herë, kompania do të rezultonte me një fitim nga aktiviteti kryesor, prej rreth 2 miliardë lekësh, në rënie prej 60% në raport me vitin 2021.

“Gega Oil Group” (me shumicë) është operatori i dytë më i madh i tregtimit të karburanteve në vend. Të ardhurat e tij u rritën me 23%, në 44 miliardë lekë. Fitimet ishin 174 milionë lekë, me rënie 3% nga viti i mëparshëm. Kompania raportoi një normë minimale prej 0.39%, nga 0.5% në vitin 2021.

“Europetrol Durrës Albania”, që është e 14-a më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor dhe e treta nga shoqëritë e hidrokarbureve, raportoi një fitim minimal prej 55 milionë lekësh, pothuajse përgjysmim nga viti i mëparshëm dhe normë fitimi prej vetëm 0.27% (nga 0.5% vitin e mëparshëm).

“Eroil” tregtuesi i katërt më i madh i shumicës në vend, raportoi fitime minimale prej 17 milionë lekësh, me tkurrje 27% me bazë vjetore.

Operatori tjetër i shumicës, “Bolv Oil” ka raportuar humbje prej 173 milionë lekësh, pas fitimeve minimale prej 46 milionë lekësh vitin e mëparshëm.

Ndërsa operatorët e shumicës kanë arritur të kenë një fitim, ndonëse modest, më e goditura ka qenë pakica, që historikisht ka pasur një normë më të lartë sesa shumica.

“Kastrati sh.p.k.”, tregtuesi më i madh i pakicës në vend, raportoi humbje prej 392 milionë lekësh në vitin 2022, nga fitimet prej 106 milionë lekësh vitin e mëparshëm.

“Olsi sh.p.k.”, një tjetër operator i madh i tregtimit të naftës (tregtuesi me pakicë i Bolv Oil), rezultoi me një fitim minimal prej 8 milionë lekësh, nga 53 milionë lekë vitin e mëparshëm, me normë kthimi 0.11%, nga 0.9% vitin e mëparshëm.

“Gega Center GKG” thelloi humbjet në 217 milionë lekë, pas rezultatit negativ prej 32 milionë lekësh në 2021.

Edhe në vitet e mëparshme, tregtuesit e karburanteve kanë raportuar norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-3%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4–6%.

Të dhënat në vit kanë treguar se operatorët kanë rritje të normave të fitimit në vitet kur tendenca e çmimeve të naftës është në ulje, pasi reduktimi në tregun vendas është më i ngadaltë se në tregjet globale.

E kundërta ndodh kur çmimet në bursa janë në rritje, normat e fitimit përgjithësisht nuk shënojnë rritje.

Sipas operatorëve, normat e ulëta të fitimit në këtë sektor lidhen me disa faktorë, si tendenca globale ku çmimi lëviz me cent, konkurrenca e lartë në tregun e brendshëm ku ka shumë operatorë, numri i lartë i pikave të karburantit në raport me konsumin dhe automjetet që qarkullojnë, kosto e lartë e investimeve në depozita.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, kapaciteti i depozitave bregdetare është tre herë më shumë sesa kërkesa reale, në rreth 300-400 milionë litra nga Vlora në Shëngjin, nga 60 milionë litra, që janë të nevojshme.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve thotë se, krahas faktorëve të tjerë, që ndikojnë në normat e ulëta të fitimeve, ndërhyrjet e Bordit kanë bërë që pjesa më e madhe e operatorëve në vitin 2022 të rezultojnë me humbje.

Dy faktorë të tjerë që kanë goditur fitimet e tregtuesve, sipas Shoqatës, janë diferenca e çmimeve me rrethet kufitare, çka bën që konsumatorët të blejnë naftë jo në Shqipëri dhe kontrabanda që bëhet me peshkarexhat, e cila rrit konkurrencën dhe detyron importuesit të ulin çmimet./ Monitor