zoom

Aktualitet

Andi Bushati: Korruptimi i zyrtarit të FBI nga Edi Rama është vetëm maja e ajsbergut

Andi Bushati nuk ka asnjë dilemë: ish -zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal është korruptuar nga Edi Rama për të luftuar opozitën shqiptare. Por kjo, sipas gazetarit, është vetëm maja e ajsbergut të korrupsionit të kryeministrit shqiptar për të mbajtur pushtetin. Makineria manipuluese e Ramës – thotë Bushati – është dhjetëra herë më e madhe.

“Çështja është shumë më e thellë. Po t’i hyjmë asaj, ne nxjerrim jo një kryeministër që korrupton një agjent të FBI-së, por një kryeministër, fuqia korruptuese e të cilit është shumë e shumë më e lartë.”

Bushati sjell në vëmendje faktin se ishte McGonigal që, pasi mori informacione nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, siç rezulton në hetimin e FBI, hapi një hetim për financim të Partisë Demokratike Shqiptare nga Rusia. Por hetimi i kërkuar nga McGonigal u mbyll, pasi FBI nuk gjeti asnjë provë, e megjithatë, – vijon gazetari – disa media nxorrën shkrime të sponsorizuara sikur ishte e vërtetë që PD kishte marrë para ruse.

“Në atë momentin kur ai punonjësi i FBI-së, që (Rama) thotë që nuk është dosje, është pa vlerë, një muaj më pas nxjerr artikullin, patjetër sipas të dhënave të hetimti që kishte hapur FBI, që këto janë para ruse. Dhe pastaj nis një propagandë e madhe e të keqes së një opozite me para ruse, sipas shkrimeve të lobuara, të botuara në Amerikë,” – deklaron Bushati.

Gazetari kujton se si pjesë e kësaj çështjeje, edhe pse FBI e kishte mbyllur hetimin, u bë edhe prokuroria shqiptare dhe vetë ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Dhe e gjithë kjo, sipas tij, ishte pjesë e propagandës së sponsorizuar nga Edi Rama.

“Në punë futet prokuroria vendase. Pas prokurorisë në punë futet edhe Yuri Kim, që në një deklaratë pak me dyer të hapura e pak me dyer të mbyllura, thotë se institucionet amerikane kanë të dhëna se ka parti që financohet nga rusët. E kjo për një çështje që FBI-ja thotë që nuk është çështje dhe e mbylli”, – shprehet gazetari.

Kjo, sipas tij, është tregues i një makinerie të madhe manipuluese të kryeministrit Rama, e cila, është shumë herë më e madhe se çështja McGonigal.

“Nuk kemi të bëjmë vetëm me Edi Ramën që korrupton McGonigalin. Kjo është veç maja e ajsbergut. E gjithë makineria manipuluese është disa dhjetëra fish më e madhe se kaq, me media ndërkombëtare, me diplomatë, me media shqiptare, me institucione shqiptare.”

Bushati thotë se kjo makineri hetimi duhet hetuar, por sipas tij, as drejtësia e re nuk ka guximin ta bëjë.

“Pra, këtë makineri të madhe manipulimi, ky SPAK që kemi, nuk ka këllqe as ta hetojë, as ta zbardhë. As nuk ka mundësi dhe as nuk do. Këtu është rrafshuar çdo institucion. Këtu shtetit është i një njeriu të vetëm dhe themi se do na vijë e mira nga SPAK. Nuk ka as mundësi, as vullnet dhe asnjë gjë.”

Charles McGonigal u dënua me 4 vjet burg nga një gjykatë në SHBA, pasi pranoji në dy çështje të ngritura kundër tij, atë në lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska dhe në çështjen me Shqipërinë, ku ai ka pranuar se ka marrë 225 mijë dollarë nga ish -agjenti i SHISH, Agron Nezaj.
Nezaj, sipas McGonigal, bashkë me Dorian Duçkën, këshilltarin e jashtëm të kryeministrit Rama, janë personat që i kanë dhënë informacion atij se Partia Demokratike e Shqipërise kishte paguar 500 mijë dollarë te lobisti amerikan Nick Muzin, para të cilat, sipas tyre, ai i kishte marrë nga Rusia.

McGonigal rezulton që nëpërmjet Nezajt dhe Duçkës ka zhvilluar disa takime me Edi Ramën, në zyrën e tij në kryeministri dhe vende të tjera në SHBA.

Dokumentat e FBI treguan se pas këtyre takimeve McGonigal kishte kërkuar hapjen e një hetimi nga FBI në New York dhe kishte marrë 225 mijë dollarët nga Nezaj.

Një tjetër dokument i FBI tregoi se si një punonjës i FBI në New Jork tregoi se kërkesa e McGonigal i ishte dukur e pavend dhe se si nga hetimi nuk u gjet asnjë lidhje mes pagesës së PD për Nick Muzin dhe burimit të pretenduar të parave nga Rusia.

Në bazë të hetimit të nxitur nga McGonigal pas takimeve me Ramën, Duçkën e Nezajn, revista amerikane Mother Jones publikoi një artikull, të marrë më pas nga të gjitha mediat në Shqipëri, se PD ishte financuar nga Rusia.

Pavarësisht daljes në dritë të këtyre të dhënave, që hedhin poshtë pretendimet për financimin e PD me para ruse, asnjë nga akuzuesit nuk ka bërë deklarata për të sqaruar qëndrimet e tyre. /Zoom.al