zoom

In Zoom

Analiza/ Dy rrugët e Lulzim Bashës për ringritjen e PD

Humbja e Partisë Demokratike në këto zgjedhje i ka shtuar dyshimet nëse Lulzim Basha është njeriu i duhur për ta mundur Edi Ramën.

Këto janë zgjedhjet e katërta që Partia Demokratike nën drejtimin e tij nuk arrin të fitojë përballë “makinerisë elektorale” në të cilën Rama thotë se e ka shndërruar Partinë Socialiste.

Edhe kjo humbje, njësoj si të tjerat, zgjoi me shpejtësi reagimet e kritikëve, që kërkojnë kokën e tij, një kërkesë legjitime ndaj një lideri që nuk po e sjell dot fitoren në shtëpinë e demokratëve.

Lulzim Basha ka sot dy mundësi për ringritjen e PD: të lejojë një garë të besueshme duke rikandiduar, ose të largohet pëfundimisht.

Çfarë do të prodhonin këto vendime?

Dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë do t’i hapte rrugë reformimit thellë të Partisë Demokratike, një reformë kjo që i ka munguar, pasi është kryer përciptas dhe ka parë në krye të forumeve drejtuese thuasje të njëjtë idividë që qëndrojnë aty që në kohën e Sali Berishës, a thua se i kanë të trashëguara ofiqet partiake.

Një vendim i tillë mund të prodhojë edhe një situatë çorientuese në një parti që shpresoi aq shumë se i kishte ardhur radha për ta marrë pushtetin, pas 8 vitesh në opozitë dhe 8 vitesh plot skandale të qeverisë Rama.

Por sot Partia Demokratike do të duhet të provojë të gjitha marramendjet dhe dhimbjet e mundshme, në mënyrë që të zbulojë sëmundjet që e stërmundojnë prej kohësh e të jetë e kthjelltë në vendimet e saj politike.

Një skanim tërësor i gjendjes është i domosdoshëm, por ai nuk do të jetë i mundshëm nëse Basha do të vijojë të mbajë në këmbë të njëjtin trup që lëngon.

Dorëheqja e Lulzim Bashës do të ishte një mundësi për t’u afruar sërish në Partinë Demokratike ato figura të saj që garuan në parti të reja, si Jozefina Topalli e Astrit Patozi dhe mbështetësit e tyre, tërësisht demokratë të pakënaqur me Bashën, por edhe të tjerë që i panë këto zgjedhje si spektatorë dhe refuzuan të votojnë vetëm për arsye se në krye të PD-së ishte Lulzim Basha, për të cilin pretendojnë se e mori partinë në një garë pa meritë.

PD s’ka më kohën e luksin për të parë armiq brenda radhëve të saj.

Ajo do ta rifreskonte partinë dhe do të ngjallte shpresën se ajo është familja e madhe e demokratëve dhe atyre që nuk pajtohen me një qeveri që po e pakëson gjithnjë e më shumë demokracinë në Shqipëri.

Basha e ka sot në dorë t’u tregojë të gjithë demokratëve një anë ndryshe, atë të liderit, e cila ka qenë e mbuluar gjithnjë nga hija që vazhdon të lëshojë mbi PD-në Sali Berisha.

Ai ka në dorë t’u dëshmojë se Partia Demokratike nuk është një pronë e trashëguar, por një pasuri e përbashkët e gjithkujt që e sheh atë si të vetmen shpresë për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.

Dhe kjo pasuri, duhet t’i ofrojë gjithkujt mundësi të barabarta.

Basha duhet të largohet për t’i hapur rrugë një garë të ndershme e mbi të gjitha të vërtetë, në të cilën edhe ai mund të kandidojë me të drejta të barbarta, dukë bërë fushatë njësoj në antarësi, duke mos përdorur asnjë aset apo ofiq të Partisë, duke u lënë kohën e duhur për garë të gjithë atyre që synojnë drejtimin e PD-së.

Kjo është plaga e parë, e hapur që me ardhjen e tij në krye të PD, që duhet shëruar. Dhe kurimi s’mund të nisë nëse Basha do të qëndrojë në zyrë, qoftë edhe “i ngrirë” në kompetencat e tij.

Hapja e garës nuk pritet t’i dobësojë pozitat e Lulzim Bashës, por nëse ajo do të jetë e vërtetë ajo do të prodhojë më në fund një lider, i cili, i zgjedhur në këtë formë, nuk do ta ketë të vështirë që të fashisë nga PD-ja edhe hijen e liderit historik që s’lë askënd të rritet shëndetshëm.

Ajo do të bindë pa asnjë dyshim edhe figurat historike që i janë kthyer në armiq, se nga kjo garë gjithkush mori atë çfarë meriton.

Nëse Partia Demokratike do të vendosë ta largojë Bashën me votë, gara do të prodhojë një figurë që së paku jep shpresë.

Nëse do të fitojë sërish, Lulzim Basha do t’u tregojë edhe kundështarëve në parti, se ai është njeriu i duhur brënda të djathtës që mund ta rindërtojë PD-në dhe që bashkë me ata do të mund ta shndërrojë partinë në një armë që do të shkatërronte “makinerinë elektorale” të Edi Ramës, motori i të cilës furnizohet kryesisht nga karburanti kontrabandë që grumbullohet nga paligjshëria e sistemit që ai ka ngritur.

Mundësia tjetër është largimi i tij përfundimtar, për ta lënë PD-në në fatin e vet, si makinë garash nga e cila heq dorë pasi s’e bëre dot fituese, duke mbetur tifoz i saj, jo detyrimisht i pilotit që do t’i zërë vendin.

Ka edhe një rrugë të tretë, që ai të vijojë sikur gjithçka që po i ndodh është për fajin e Edi Ramës. Por kjo nuk është mundësi për ringritjen e Partisë Demokratike. Ajo do t’u shërbejë vetëm qëllimeve të Bashës, por jo atyre të PD -së, të së djathtës dhe të vetë vendit. ©Zoom.al