Aplikacion
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ish-kandidati për deputet, Ilir Alimehmeti, ka lënë të hapur mundësinë për të hyrë në garën për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Në një intervistë televizive, ai u shpreh se një vendim i tillë do të varet nga mënyra se si do të organizohen proceset e brendshme në Partinë Demokratike, duke përfshirë edhe çështjen e primareve apo formave të tjera të përzgjedhjes së kandidatëve.
Alimehmeti theksoi se aktualisht po diskutohet statuti i partisë, i cili pritet të përcaktojë mekanizmin për përzgjedhjen e përfaqësuesve në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Unë kam qenë gjithmonë i qartë në synimet e mia, në objektivat e mia. Gara ku jam futur unë nuk ka qenë kurrë garë partiake, por elektorale. Unë jam futur në garë kundër kundërshtarit politik, pra Partisë Socialiste. Brenda garave të brendshme nuk kam hyrë ndonjëherë.
Ndërkohë që nëse nuk ka primare, pastaj duhet parë se si kjo funksionon. Do të jetë propozim i kryesisë së vogël apo i kryetarit; sidomos për Tiranën do të jetë një vendim shumë politik, jo kaq i thjeshtë. Unë objektivin tim e kam pasur gjithmonë, nuk lëviz, jam po i njëjti”, u shpreh Alimehmeti./ Zoom.al