zoom

Bota

Alarm në Rumani, reshjet e dendura të borës paralizojnë vendin

Alarm në Rumani, reshjet e dendura të borës paralizojnë vendin

Reshjet e dendura të dëborës dhe stuhitë e forta kanë shkaktuar kaos në disa rajone të Rumanisë, duke bllokuar trafikun rrugor dhe ajror, mbyllur shkolla dhe lënë pa energji elektrike mbi 166 mijë familje. Autoritetet kanë shpallur alarm të kuq për zonat qendrore, jugore dhe lindore të vendit, ndërsa meteorologët flasin për një nga episodet më të rënda të këtij dimri.

Ndërprerje të energjisë janë raportuar në 205 lokalitete në 10 qarqe të vendit, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë pa pushim për rikthimin e furnizimit.

Kryeqyteti Bukuresht është ndër më të prekurit. Transporti publik është ndërprerë, ndërsa trenat që mbërrijnë në stacionin kryesor regjistrojnë vonesa mbi gjashtë orë. Aeroporti Ndërkombëtar Henri Coandă ka anuluar tetë fluturime dhe ka devijuar pesë të tjera për shkak të shtresës së borës që arrin rreth 30 centimetra, ndërsa dy pista u mbyllën përkohësisht.

Ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë për të larguar 241 pemë dhe 18 shtylla elektrike të rrëzuara nga pesha e borës, si dhe për të zhbllokuar automjetet e bllokuara në rrugë. Qendra e Informacionit të Trafikut ka njoftuar për mbylljen e disa segmenteve autostradash dhe rrugësh kombëtare, veçanërisht në zonat malore.

Në rajonet malore, trashësia e borës ka arritur nivele dramatike: në Bâlea Lac mbi 162 cm, në Semenic mbi 140 cm, ndërsa në Sinaia 64 cm, në Predeal 40 cm dhe në Braşov rreth 35 cm. Në jug të vendit, trashësia varionte nga 18 deri në 30 cm, ndërsa rajoni i Moldavisë është prekur nga reshje më të moderuara./ Zoom.al

Postime të lidhura