zoom

Lajme

Alarm në Itali/ Disa të helmuar nga brokoli i konservuar, një i vdekur

Alarm në Itali/ Disa të helmuar nga brokoli i konservuar, një i vdekur

Një ngjarje e rëndë në Kalabri ka vënë në alarm të gjithë zinxhirin agro-ushqimor italian.

Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin urgjent, në të gjithë territorin kombëtar të brokolit të konservuar pasi dyshohet se kanë shkaktuar një helmim të rëndë në provincën e Cosenza-s, ose siç njihet ndryshe botulizmi, sëmundja që shkaktohet nga bakteri Clostridium botulinum, që zhvillohet kur ushqimi konservohet keq.

Bilanci është i rëndë: një person ka humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë shtruar në spital, mes tyre edhe dy familjarë të viktimës.

Viktima është Luigi Di Sarno, 52 vjeç, nga Cercola e Napolit, i cili ndodhej me pushime në Kalabri.

Sipas hetimeve paraprake, pasi shfaqi simptomat e para, Di Sarno u paraqit në një klinikë private në Belvedere Marittimo, por më pas vendosi vetë të largohej drejt shtëpisë. Gjatë rrugës, pranë Lagonegro-s, gjendja e tij u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë.

Autoritetet po verifikojnë rastin dhe po hetojnë edhe mënyrën sesi e trajtoi klinika private rastin.

Autoritetet shëndetësore kanë bllokuar dhe po tërheqin nga tregu të gjithë kavanozët me brokoli për të parandaluar helmime të tjera të mundshme./ Zoom.al

Postime të lidhura