zoom

Aktualitet

Akuzohen si anëtarë të grupit të “Baronit” Gëzim Çela, SPAK prangos 3 të tjerë me “Flakë në det”

Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka arrestuar edhe 3 persona të tjerë të dyshuar, që akuzohen se i përkasin grupit të “Baronit të drogës” Gëzim Çela, nga Fushë-Kuqa, i ekstraduar nga Kosova muaj më parë dhe që bënin trafik armësh e narkotikësh me gomone e mjete lundruese drejt Italisë.

Transporti bëhej nga “Laguna e Patokut” në Kurbin dhe mes të ndaluarve ka oficerë policie, si ish-shefi i policisë lokale në Laç, Dritan Meta. Operacioni u kodua “Flakë në det”.

Kurse sot njoftohet se me urdhër të SPAK, u arrestuan tre persona. Konkretisht pas hekurave ranë shtetasit A. D., S. L. dhe K. B.

“Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B.

Si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30 prill, ditën e djeshme. Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregtare. /ZOOM.AL/