Aplikacion
Një aksident rrugor është regjistruar në kthesën e Goriçajt në Lushnjë, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar plagosjen e tre personave.
Sipas informacioneve paraprake, një prej mjeteve ka përfunduar jashtë rruge duke rënë në një kanal me ujë, ndërsa automjeti tjetër, i cili transportonte fidanë pemësh, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në pjesën e përparme.
Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt spitalit të Lushnjës për ndihmë mjekësore, ku njëri prej tyre raportohet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Dyshohet se kamioni ka tentuar të kryejë kthesë, ndërkohë që një automjet i vogël ka hyrë në parakalim të gabuar, duke sjellë përplasjen mes dy mjeteve./ Zoom.al
