Aplikacion
Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se disa kompani të grumbullimit të fruta-perimeve kanë bashkërenduar çmimet e blerjes, duke i detyruar fermerët të pranonin çmime të ulëta për produktet e tyre. Hetimi i thelluar ka nisur nëntorin e vitit të kaluar, pas dyshimeve se këto ndërmarrje kishin prishur konkurrencën në treg përmes marrëveshjeve të ndaluara.
Sipas vlerësimit të Autoritetit, kompanitë Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK kanë koordinuar çmimet gjatë periudhave të sezonit, duke aplikuar mark-up shumë të lartë, deri në 115%, në dëm të fermerëve. Kjo sjellje përbën shkelje të rëndë të ligjit për konkurrencën dhe është cilësuar si marrëveshje e ndaluar.
Për shkeljet e konstatuara, Komisioni ka vendosur gjoba që arrijnë deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës. Përveç gjobës, kompanitë e përfshira detyrohen të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë dhe do të jenë nën monitorim për 12 muaj të ardhshëm.
Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se fermerët po përballeshin me çmime të diktuara dhe mungesë mundësie negociimi, duke i detyruar të shisnin produktet e tyre me çmime më të ulëta se sa tregu realisht do të mundësonte./Zoom.al