Aplikacion
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur 28 persona, përfshirë pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, të cilët dyshohen për abuzime me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Të pandehurit përballen me akuzat për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre, në kuadër të një skeme të dyshuar korrupsioni me fondet publike.
Sipas gazetares Klodiana Lala, dosja hetimore po finalizohet dhe pritet t’i dërgohet gjykatës nga prokurorët e posaçëm.
Hetimet u intensifikuan pas lëshimit të disa urdhër-arresteve, ndërsa SPAK bëri të ditur se ka shqyrtuar 9 procedura prokurimi të zhvilluara gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh.
Organi i akuzës dyshon se tenderat janë manipuluar në mënyrë të përsëritur, duke favorizuar subjekte të caktuara dhe duke cenuar konkurrencën e ndershme.