Aplikacion
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj spekulimeve për një sulm të mundshëm nga Irani ndaj Shqipërisë, duke theksuar se vendi është i mbrojtur nga aleanca e NATO.
Gjatë episodit të radhës të podcast-it “Flasim”, kreu i qeverisë u ndal te zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe theksoi se prioriteti kryesor për institucionet shqiptare mbetet siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në vendet e përfshira në konflikt.
Rama bëri të ditur se përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat shqiptare në rajon janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me qeverinë në Tiranë, duke monitoruar situatën dhe duke ofruar ndihmë për qytetarët shqiptarë nëse është e nevojshme.
Ai u ndal gjithashtu te zërat dhe lajmet që kanë qarkulluar së fundmi për një sulm të mundshëm iranian ndaj Shqipërisë. Sipas tij, këto pretendime janë të pabazuara dhe janë rezultat i dezinformimit.
Kryeministri theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO garanton mbrojtjen e vendit në rast kërcënimi. Ai solli si shembull reagimin e shpejtë të aleancës në Turqi, ku një raketë e ardhur nga Irani u neutralizua nga forcat e NATO-s.
Sipas Ramës, kjo tregon qartë se mekanizmat e mbrojtjes kolektive funksionojnë për të gjitha vendet anëtare të aleancës, përfshirë edhe Shqipërinë.
“Në këtë moment sigurisht edhe për ne si për shumë vende të tjera prioritet kryesor është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në ato vende, përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshme qoftë me ne, qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për ta monitoruar situatën, për të informuar dhe për të asistuar. Ndërkohë që, çështja kyç e fluturimeve mbetet një sfidë për të gjithë.
Kjo është një situatë që kërkon qetësi, kujdes, informim vazhdueshëm nga burimet zyrtare. Ndërkohë që ne jemi solidarë me të gjitha vendet e prekura, përfshi pa diskutim, edhe Qipron, një vend mik, i cili po ashtu u godit, edhe Greqinë në shenjë të fortë solidariteti për çka ndodh në Qipro, po njëkohësisht edhe Turqinë në të njëjtën kohë që po ashtu u tentua të goditej nga një raketë e neutralizuar menjëherë nga forcat e NATO-s.
Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh, dhe interesante është që, ndryshe nga vendet e tjera në Shqipëri, të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit, ne ndryshe nga të tjerët, nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu.
Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, “ondrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi ‘regjimi i Edi Ramës’”, tha Rama./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari