Aplikacion
Situata konsiderohet jashtë kontrollit. Numri i viktimave vërtitet mes 15 dhe 19 çdonjë nga ditët e fundit. Infeksionet janë mbi 1 mijë. Megjithatë lokalet janë plot. Protokollet nuk respektohen. Tavolinat janë ngjitur. Rrugët po ashtu janë plot. Njerëzit lëvizin pa maska. Spitalet janë plot. Ekspertët u kanë rënë me kohë këmbanave të alarmit, madje edhe ata që janë pozicionuar politikisht në këtë situatë.
“Çdo rritje e këtyre numrave është një sinjal alarmi”, pranon shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj.
Ai është kundër një karantine të plotë në të gjithë Shqipërinë. Por është i dyshimtë qëndrimi i tij kur si ekspert i shëndetësisë vë si argument ekonominë.
“Nuk do të flisja për një karantinë pasi është e papranueshme në këtë moment, në këtë situatë dhe një vit pas epidemisë për një mbyllje totale sepse edhe shëndeti mendor dhe ekonomia e të gjithë sektorët e tjerë janë në një limit të ekuilibrit që mund të jetë subjekt i çdo shpërthimi apo interpretim. Personalisht do të isha për shtrëngim masash, kufizimi i disa aktiviteteve, i orareve më shumë si te gjithë Europa deri në orën 6 pasdite. Mendoj që baret e restorantet janë nga burimet më të mëdha dhe po të ishte për mua, do të kisha një kufizim më të madh. Për mbyllje totale nuk do të flisja”, thekson ai.
Zoom.al ka kontaktuar disa anëtarë të tjerë të Komitetit të Ekspertëve. Ata janë kategorikë: baret dhe restorantet duhet të ishin mbyllur, shkollat nuk duhet të ishin hapur. Këtë qëndrim thonë se ia kanë shprehur edhe kryeministrit Edi Rama, por ai nuk i ka dëgjuar. Janë të hershme dyshimet se Edi Rama po e përdor Komitetin e Ekspertëve si fasadë. Sa herë vendos të marrë ndonjë vendim e justifikon si sugjerim apo vendim të tyre.
Po përse nuk i mbyll këto aktivitete? Ekspertët e kontaktuar nga zoom.al thonë se çdo gjë ka të bëjë me zgjedhjet. Kryeministri ka qenë kategorikisht kundër kufizimeve në këtë periudhë parazgjedhore. Ai nuk dëshiron të ketë kosto elektorale nga një vendim tjetër për mbyllje edhe pse të gjitha shifrat sugjerojnë një karantinë të ashpër.
Spitalet janë mbushur plot. Në privat nuk ka më vende. Në spitalet shtetërore shtohen shtretër sipas dëshirës, por jo infermierë e mjekë. Janë afro 700 të shtruar vetëm në spitalet covid shtetërorë, përshirë ata rajonalë. Zënia e të gjithë shtretërve duhet të kishte çuar në mbyllje, të paktën në Tiranë e disa qytete të tjerë të mëdhenj me shifra të larta të infektimeve, si Durrësi apo Shkodra.
Vaksinimi është shndërruar në një shfaqje me shumë pjesë. Procesi zgjatet qëllimisht, për të dhënë idenë e një procesi që vijon normalisht.
Në botë, vendet ku vaksinimi po ecën ngadalë, por shumë herë më shpejt se në Shqipëri, kanë vendosur kufizime të rrepta. Franca, Gjermania e Italia janë mes tyre. Izraeli, ku vaksinimi po ecën me shpejt se kudo tjetër në botë ka nisur dalëngadalë t’i lehtësojë masat, por ato mbeten sërish më të ashpra se në Shqipëri.
Ajo çfarë po ndodh këtu është provë e kristaltë se shteti ka hequr dorë nga ço lloj kontrolli, përveç mbylljes së kufizimit pas orës 20:00. Përpara kësaj ore gjithësecili mund të bëjë ç’të dojë. Njerëzit rrinë grumbull ngado, mjafton që të mos dalin foto e video në internet. Mjafton të kaloni në zonat më të frekuentuara të Tiranës apo në qytete të tjera për të parë se kontrolli shtetëror nuk ekziston dhe për të kuptuar se nga burojnë shifrat e larta të fataliteteve dhe infeksioneve. Gjithkush e sheh ç’po ndodh, edhe ata që duhet të kishin ndërhyrë për të shpëtuar disa jetë njerëzish më shumë, pavarësisht pasojave në elektorat. /Zoom.al