Aplikacion
Kur kthejmë kokën pas në këta 111 vjet për të parë historinë e shtetit të dytë të pavarur shqiptar, pastaj të shtetit të tretë, që njihet si i Zogut, më pas i shtetit të katërt, që u themelua pas 1944, dhe shteti i 91 e këtej, si shteti i pestë, ka shumë pyetje që mund të ngrihen. Kuptohet se i pari është i Gjergjit!
Imagjinoni, në këta vjetë, ky i pesti ka kapur tashmë 30 prej tyre. Dhe nuk dihet ku jemi e ku shkojmë!
Por, njëra prej tyre më duket më themelore se të tjerat: Përse kaq i dobët qytetari shqiptar?
Në çfarë kuptimi e përdor fjalën “qytetar”? Jo si njeri që banon në qytet, si i tillë ai quhet qytetas. Kështu edhe një fshatar në kuptimin politik është qytetar. Në çfarë kuptimi e quaj qytetarin “të dobët”? Në kuptimin që është një status politik me të drejtat minimale. Edhe sot që gëzon disa të drejta të fituara në fillim të viteve ’90, përsëri ato kanë mbetur në vend, nuk kanë evoluar me kohën, madje në disa kuptime janë zbythur. I dobët qytetari edhe në kuptimin se është shumë larg vendimarrjes. Ngrihet kampi i refugjatëve italianë në Lezhë, e kush e pyet qytetarin? Askush! Hidhen ide për reformën e kodit zgjedhor, e kush e pyet qytetarin? Askush! Privatizohen pasuri publike në favor të privatit të privilegjuar, e kush e pyet qytetarin? Askush! Po, janë pasuritë e tij more derëbardhë! Qytetari i dobët edhe për arësyen që ai mobilizohet pak për të shkundur skenën politike të vendit ndërkohë kur ajo ka pësuar një proces degjenerimi dhe degradimi thelbësor.
Nga opozita thuhet se pritet të zgjohet luani i fjetur!!! Pra, pritet të zgjohet qytetari!! Por, askush nuk bën pyetjet përse fle ky luani? A është luan apo klasa politike dhe historia e ktheu në një mace që ikën me bish në shalë sa herë dikush i thotë “çiç!”?
Dhe nëse qytetari është i dobët politikisht, qoftë ky qytetas qoftë rural, kjo vjen se antropologjikisht ne shqiptarët jemi të fjetur dhe nuk i dalim dot zot shtetit tonë, apo vjen nga arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me natyrën e popullit?
Sepse për të gjitha ato që ndodhin fajet ja vendosin popullit, a thua fajësuesit nuk janë nga ky popull. Opozita duke pritur luanin, e ofenndon popullin duke e quajtur “të fjetur”. Pushteti e merr nëpër këmbë popullin, dhe e sheh me përçmim, kurrë nuk e pyet, veç në kohë fushate i këndon aheng, a thua vetëm ahengu është kapaciteti intelektual i popullit, gjuha që kupton populli! Ka edhe disa intelektualuca që fajësojnë popullin duke kujtuar se vetë janë pjesë e ndonjë aristokracie kështjellash duke harruar se kanë dalë në mënyrë mediokre nga apartamente dy dhoma e një ankes me aromë vajguri!
Te fajësosh popullin do të thotë që të keqen ta shohësh si fatalist. Ta fajësosh popullin do të thotë t’i hapësh derën çdo poshtërsie që shkatërron vendin.
Unë nuk mendoj që ka faj antropoligjia e shqiptarit, por rrethana historike që sigurisht ndikojnë dhe me pasion mund të ndryshohen. Mbi të gjitha sado budalliqe të kemi bërë kolektivisht si popull, nuk kemi bërë më tepër se popujt e tjerë që tani na japin mësime. Nuk kemi bërë sa gomarlliqet e elitave politike, intelektuale apo edhe të llojeve të tjera.
Shkaku i parë i dobësisë së qytetarit është historik. Por, historia nuk ka forcë fatale mbi të tashmen. Historinë të gjithë popujt e kanë ndryshuar duke edukuar breza të formuar ndryshe si edhe duke kuptuar të sotmen, e cila nuk është si e djeshmja. Se poqese historia do të përcaktonte popujt atëhere italianët do të vazhdonin të përkrahnin fashizmin, gjermanët Hitlerin, amerikanët skllavërinë, etj. Por, nuk ka ndodhur aspak kështu. Këta popujt të mëdhenj e bëjnë sot historinë krejt ndryshe.
Megjithatë nuk mund të mohohet se nëse historia nuk përballet me aksionin e sotëm emancipues, ajo vazhdon të ushtrojë peshën e saj mbi supet e popullit.
Mos harrojmë se për 500 vjet nën Perandorinë Osmane, më parë nën Perandori dhe Mbretëri të tjera, shqiptari dhe pushteti ishin krejt larg njeri tjetrit. Vendimarrja ishte larg jetës së përditshme të shqiptarit. Ky i fundit e shihte pushtetin vetëm si tagrambledhës, ushtar që shkrumbon, xhandar, dhe e shumta si një i deleguar lokal i pushtetit qendror.
Shqiptari nuk ishte qytetar, por shtetas. Kaq. Jeta politike e shqiptarit ishte inekzistente, ndërkohë që qytetarët evropianë përreth tij duke nisur sidomos pas shekullit të 15 nisën ta krijojnë hapësirën e tyre politike qytetare duke marrë pjesë gjithnjë e më vrullshëm në të. Pikërisht kur në Evropë qytetari po ngrinte kokën duke kërkuar një pjesëmarrje në jetën politike, pikërisht atëhere shqiptarët hyjnë nën sundimin otoman. Dy kahjet e historisë shkonin kështu në drejtime të kundërta.
Veç aspektit historik që sigurisht nuk mund të përmblidhet në sa shkruam më sipër, kemi edhe një mekanizëm që ka vepruar në jetën shqiptare, përcaktuar nga shumë rrethana të saj.
Fakti politik në shqipëri ka qenë më përpara faktit social.
Kjo ka bërë që ndryshimet politike në Shqipëri të vijnë përgjithësisht nga lart dhe jo si lëvizje nga poshtë. Kjo gjë ka lënë gjurmë në traditat e kombit dhe në kujtesën kolektive qytetare, duke e lënë të zbehtë atë.
Erdhi Ismail Beu në Durrës për të krijuar shtetin e dytë të pavarur shqiptar, dhe për disa ditë shkoi në Vlorë, ku hypur në ballkon me disa burra të tjerë të shquar, ngriti flamurin e arbërit dhe deklaroi pavarësinë. Nuk mund të mohohet se sado e prisnin këtë ngjarje grupe shqiptarësh, akti madhor i ngritjes së flamurit ishte një veprim elitar, i pakicës, madje i ardhur nga jashtë. Nuk ishte si pasojë e një kryengritjeje madhore gjithëkombëtare që do të finalizohej me pavarësinë.
Le të mos përmendim historinë e totalitarizmit shqiptar ku qytetari thërritej në sheshe nga partia për të brohoritur për partinë. Nëse po ai qytetar do të dilte në sheshe vetiu, edhe pa parrula politike, do të shihej me sy armiqësor dhe të ftohtë. Ndofta do të shtypej egërsisht.
Ajo që u quajt ardhja e demokracisë në fillim të viteve 90 përsëri ishte një akt politik i shkëputur nga lëvizjet qytetare. Jo se shqiptarët nuk aspironin ndryshimin. Por, shumica e aspironte si dhuratë, në shtëpi, në mendimet e brendshme. Pluralizmi nuk erdhi si pasojë vitesh lëvizje masash. Por, brenda pak ditësh si rezultat i presionit nga jashtë, i pakënaqësisë popullore, dhe i dorëzimit të elitës politike totalitare, e cila më në fund e kishte parë të pamundur ta ushtronte pushtetin.
Demokracia erdhi pra jo si lëvizje masash sado që në çaste të caktuara sheshet u mbushën nga studentë dhe protestues të tjerë, por gjithmonë si mbështetje aktesh politike nga lart.
Brenda disa muajsh shqiptari nga protestues u kthye në emigrant duke përmbushur vaporët e çarë Adriatikun.
Tre dekadat e fundit, duhet thënë se nuk ishte shoqëria civile që ndërtoi skenën politike, pra partitë. Por, janë partitë, në fakt edhe sot të ndërtuara sipas modelit stalinist, që krijuan shoqërinë, pronën, gjithçka. Qytetari ishte faktikisht ndjekës i partive politike.
Madje edhe kur populli i revoltuar u ngrit në 97 për të marrë në duar interesat e veta financiare, klasa politike i la menjëherë gërrmëret e brendshme, dhe pavarësisht sherreve të mëparshme u bashkua për t’i dhënë një grusht të fortë lëvizjeve masive nga poshtë.
Në pushtet ridolën po të njëjtët!
Ardhja e shtetit të pestë, këtij të tanishmit, u shoqërua me liberalizimin e tregut, të kufijve dhe me emigrim të brendshëm dhe të jashtëm shumë të fuqishëm.
Demokracia shqiptare i kishte brenda saj kontradiksionet shkatëruese. Qytetari u përfshi në një anomi dhe atomizim të jashtëzakoshëm ashtu sikurse e kanë përcaktuar themeluesit e sociologjisë.
U shpërbënë kolektivat, familja, opinioni qytetar; opinioni shoqëror mori goditje vdekjeprurëse sepse me emigrimet askush nuk njihte më kërkushin në lagje, a qytet, forcat më të gjalla me padurim u larguan nga vendi. Individi nuk kishte kohë t’i falte kohës! Individi mendonte për veten jo për kombin, vendin, shtetin. Kishte kohë që vlerat shpirtërore ishin zhdukur. Të zëvendësuara nga normat kolektive socialiste, me rënien e tyre, ndërgjegja kolektive ka mbetur bosh. Ajo duhet ribërë. Po kush?
Në këtë mënyrë qytetarët e mbetur u ndodhën të dobësuar.
Kur qytetarët nuk kanë organizime kolektive ata janë të dobët. Individi përballë shtetit është si ai studenti kinez në sheshin Tienianmeng që i doli përballë tanksit. Midis individit dhe shtetit – tanks forcat janë të pabarabarta.
Shteti i pestë i hypi cipër qytetarit. E shtypi, i mori frymën politikisht, ja rrëmbeu vendimmarrjen, e la si shtetas por jo si qytetar. Qytetari mobilizohet si dikur vetëm nga partitë, pikërisht ato që kanë në dorë shtetin. Në një farë mënyre qytetari ka hyrë në një paradoks.
Në këtë mënyrë, vetë shteti del nga shinat. Ai e ka “vrarë” qytetarin. Këtu pastaj gëlon korrupsioni, arbitrariteti, varfëria, zbrazja e territorit nga popullsia, shërbimet me nivel të dobët.
Shteti dobësohet sepse ka dashur të forcohet duke dobësuar qytetarin.
Ai humb vitalitetin dhe për të siguruar pushtetin pa të cilin nuk ka shtet, sundimtarët janë të shtrënguar të cedojnë territore, të harrojnë çështjen kombëtare, të pranojnë kampe e rrefugjatë, të lëshojnë pjesë territori për juridiksione ekstraterritoriale, të rrënohet ekonomia kombëtare dhe prodhuesi vendas, të pranojnë largimin e popullsisë nga vendi, rënien e lindshmërisë, mos shfrytëzimin e burime natyrore.
Jemi ndarë nga bashkësia e popujve evropianë! Nuk dihet në një ditë do të jemi pjesë e BE!
Jo më kot historia na ka lënë në breg të detit, në kënetë. Gati na ka hedhur te peshqit!
E keqja i kaplon të gjithë nëse dobësohet qytetari.
Këtej duhet filluar. Nuk është thjesht interesi i ndonjë partie politike që të ribëhet qytetari, por i të gjithëve, i 99 për qind të popullsisë, sikurse do të thoshte nobelist Stiglitz. Vetëm 1 përqind është kundër. Puna është se kjo pjesë e vogël tërheq në humnerë interesin e vogël, të sotëm, të grupeve të votuesve që për hir të një përfitimi të vogël personal braktisin fatet e shtetit dhe të vendit, sikundër zgjasin stërmundimin e tyre.