Aplikacion
Në fushatën e tij elektorale, ish-Presidenti Donald Trump e vendosi ekonominë amerikane në qendër të platformës së tij politike, duke synuar rritjen ekonomike përmes reformave të mëdha fiskale dhe strukturore. Kështu, me fitoren e zgjedhjeve të 5 nëntorit, Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë si President i 47–të i SHBA-vë për të vazhduar realizimin e motos së tij, “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”. Programi ekonomik i Trump u fokusua kryesisht në uljen e taksave, çuarjen përpara të reformave rregullatore përmes lehtësimit të rregulloreve mbi bizneset dhe mbështetjen për industrinë amerikane, rritjen e tarifave për produktet kineze dhe europiane, në përpjekje për të nxitur investimet dhe krijimin e vendeve të punës brenda vendit. Ky program, edhe pse u prit me shumë debat, duke marrë mbështetje për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe kritika për rritjen e pabarazisë dhe ndikimin në deficitin kombëtar, ia doli. Të nesërmen e fitores, tregjet financiare reaguan pozitivisht. Dhe ja sesi.
BURSAT AMERIKANE NË RRITJE PAS FITORES SË TRUMP
Janë disa faktorë të ndërlidhur që kontribuuan në rritjen e tregjeve të bursave amerikane pas zgjedhjes së Trump, të cilët nxitën besimin e investitorëve dhe optimizmin për të ardhmen ekonomike të vendit. Disa nga këta faktorë përfshijnë:
-Nga një vështrim disi historikisht, një nga shtyllat kryesore të politikës ekonomike të Trump në 4-vjeçarin e parë të tij, ishte Akti i Uljes së Taksave dhe Punësimit, i miratuar në fund të vitit 2017. Ky ligj uli taksën federale për korporatat nga 35% në 21% (ndërsa tashmë premton ta ulë nga 21% në 15%), duke shtuar fitimet e kompanive dhe kapitalin për investime të reja, çka u dha hov çmimeve të aksioneve. E përsëritur kjo në fushatën e re elektorale si një politike e suksesshme ktheu në memorien e investitorëve periudhën e pasviteve 2017. Psikologjikisht, kjo shtyu investimet në tregjet e kapitaleve amerikane dhe në rritjen brenda një ditë me 6% Bitcoin-it.
1- Reformat rregullatore përmes Liberalizimit të Rregulloreve mbi Bizneset ishte përsëri një element që u provua gjatë mandatit të parë dhe u përsërit si masë e vlefshme edhe për këtë mandat. Administrata ‘Trump’ reduktoi ndjeshëm rregulloret mbi industri të ndryshme, sidomos në energji, financa dhe shëndetësi. Kjo u mundësoi kompanive më shumë fleksibilitet për të zgjeruar operacionet e tyre dhe për të rritur fitimet, duke çuar në rritje të vlerës së aksioneve të tyre. Të njëjtën gjë premtoi edhe në këtë fushatë dhe argumentoi që pasojat do të jenë të njëjta.
-Politika të Qëndrueshme të Normës së Ulët të Interesit ishte një premtim tjetër elektoral, që ishte karakteristikë për mandatin e parë të ish-presidentit dhe presidentit të ardhshëm. Rezerva Federale, megjithëse institucion i pavarur, vazhdoi politikën e normave të ulëta të interesit për të nxitur rritjen ekonomike. Kjo e bëri më të lirë dhe më të lehtë për kompanitë dhe konsumatorët marrjen e kredive, duke nxitur kështu investimet dhe shpenzimet. Në më pak se një javë nga fitorja e Trump Banka Qendrore Amerikane uli përsëri normat e interesit me 0.25 pikë dhe pavarësisht se ishte diçka e pritshme, fakti që u bë pas zgjedhjeve, favorizoi Presidentin Trump. Nëse reagimi i bursave ishte vetëm një sinjal për programin politik të Presidentit Trump, programi i tij ekonomik ishte më i gjerë dhe prekte të gjithë sektorët e ekonomisë si në aspektin makroekonomik, ashtu edhe në atë mikroekonomik.
TRAMPIZIMI NË EKONOMI DHE NDIKIMET NË ZHVILLIMET EUROPIANE
Një nga pikat më të forta të programit ekonomik të Presidentit Trump ishte investimet në infrastrukturë dhe mbështetja për industrinë vendëse. Premtimet për investime të mëdha në infrastrukturë dhe mbrojtja e industrive vendëse përmes tarifave mbi importet nga vende të ndryshme, veçanërisht Kina, i dhanë shpresa të reja industrisë amerikane dhe kompanive prodhuese, duke forcuar më tej optimizmin për zhvillimin ekonomik. Ai premtoi një përmirësim të ekonomisë globale dhe se do të ndihmonte kompanitë amerikane që operonin ndërkombëtarisht pas vendosjes e paqes në botë, që të rrisnin dominimin e tyre. Kështu, kërkesa globale për mallra dhe shërbime do të rritet dhe kjo do të ndikonte pozitivisht në fitimet e korporatave dhe në vlerën e aksioneve te tyre.
Sipas e Presidentit Trump, luftërat në proces dhe përfshirja e SHBA-ve në konflikte të ndryshme ndikuan në mënyrë negative në ekonominë globale, kryesisht duke krijuar pasiguri dhe luhatje në tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo politike e paraardhësit të tij si me Ukrainën, ashtu edhe me Izraelin krijuan pasiguri politike dhe ekonomike që ndikonte negativisht në tregjet globale, të cilat reagojnë ndjeshëm ndaj tensioneve gjeopolitike. Pasiguria bënte që investitorët të kalonin në asete më të sigurta, si ari apo bonot e thesarit, duke ndikuar në luhatje të tregjeve.
Një element tjetër i rëndësishëm, pasojë e luftërave ishin kriza e çmimeve, inflacioni, çmimet e naftës dhe tregu i energjisë. Politikat dhe deklaratat e Trump mbi konfliktet, veçanërisht ato në Lindjen e Mesme, kishin ndikim të drejtpërdrejtë mbi çmimet e naftës. Ndryshimet në çmimet e energjisë ndikojnë ekonominë globale, pasi çmimet e larta të naftës përkthehen në kosto më të larta për transport dhe prodhim, duke rritur inflacionin.
Gjithashtu, deklaratat e Trump për një rishikim të marrëdhënieve dhe aleancave ndërkombëtare, veçanërisht me NATO-n dhe vendet e tjera të aleatëve, krijuan paqartësi në aspektin e stabilitetit ndërkombëtar. Këto deklarata nxitën shqetësime mes vendeve të tjera mbi qëndrueshmërinë e mbështetjes amerikane në rajone të ndjeshme, si Evropa Lindore dhe Azia. Paqartësia në mbrojtjen e këtyre rajoneve krijoi tensione që mund të ndikonin në tregti dhe investime ndërkombëtare. Në fakt, siç ai shpjegoi në intervistat pas fitores, politika amerikane ndërkombëtare do të jetë funksionale, por me financime më të barabarta të të gjithë partnerëve në funksion të sigurisë që NATO ofron për të gjithë anëtarët e saj. Partnerët europianë duhet të kontribuojnë më shumë në buxhetin e NATO-s. Deklaratat dhe veprimet e Trump gjatë fushatës shpesh përqendroheshin në parimin e “Amerika e Para”, duke mbështetur nacionalizmin ekonomik dhe duke larguar vëmendjen nga angazhimet ndërkombëtare. Kjo qasje nënkuptonte një përqendrim më të madh në prodhimin dhe punësimin amerikan, duke krijuar tensione tregtare me vende të tjera dhe duke kufizuar tregtinë ndërkombëtare në disa sektorë.
Politikat ekonomike të ish-Presidentit Trump, sidomos ato që u përqendruan tek “Amerika e Para” dhe tarifat tregtare patën perceptime penalizuese për ekonominë evropiane. Ja disa elemente se si Europa mund të ndikohet nga këto politika:
Trump shpesh kërkoi në të kaluarën, por ka evidentuar si taksative në programin e tij aktual ekonomik, faktin që vendet e NATO-s, kryesisht ato evropiane, të rrisnin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Kjo u bë një çështje shume e diskutueshme për nivelin e rritjes së shpenzimeve dhe europianët kanë frikë se kjo do të çonte në rritje të shpenzimeve ushtarake nga ana e Evropës, duke shkurtuar burimet e disponueshme për sektorët e tjerë të ekonomisë. Në programet europiane ka një rritje të ndjeshme për buxhetet e mbrojtjes, por një rritje e mëtejshme do të ndikonte si në inflacionin, ashtu dhe në pakësimin e fondeve të politikave të zhvillimit ekonomik të vendeve anëtare si NextGenerationEU, etj.
-Trump vendosi gjatë mandatit të parë tarifa mbi një sërë produktesh të importuara nga Europa, përfshirë çelikun dhe aluminin, me qëllim mbrojtjen e industrive amerikane. Këto tarifa ndikuan prodhuesit evropianë, duke e bërë më të kushtueshme eksportin e mallrave në SHBA dhe duke rritur kostot për konsumatorët amerikanë që blinin produkte nga Europa. Për më tepër, vendet evropiane u detyruan të vendosnin tarifa reciproke mbi mallrat amerikane, gjë që ndikoi negativisht në tregtinë ndëratlantike. Ne programin ekonomik të këtij mandati, administrata “Trump” parashikon të vendose tarifa doganore për industrinë ushqimore, produktet e modës dhe industrinë e makinave të prodhuara nga vendet europiane që të ruajë prodhuesit vendës. Vendet që mund të kenë pasojë në këtë drejtim janë kryesisht Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania. Do të ketë pasoja për Europën thotë analisti Garret Martin nga Universiteti Amerikan në Uashington.
-Politikat proteksioniste dhe lëkundja e përkrahjes për organizata ndërkombëtare si OBT nga Trump krijuan pasiguri në marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-ve e shumë vendeve të tjera dhe Europës. Kjo bëri që shumë kompani evropiane të ngrinin investimet e tyre ose të rivlerësonin strategjitë e tyre për tregun amerikan. Shumë janë në pritje për të parë konkretisht këto masa dhe zbatimin e tyre.
-Trump synon të nxisë më tej eksportet amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Europë si një alternativë për të reduktuar varësinë nga gazi rus. Megjithëse kjo shtoi diversifikimin e burimeve të energjisë për Europën, gazi amerikan shpesh rezulton më i shtrenjtë se ai rus. Për më tepër, presioni për të pranuar më shumë LNG nga SHBA krijoi tensione mes disa vendeve evropiane, që tradicionalisht kishin marrëveshje afatgjata me Rusinë dhe që gjetën zgjidhje në disa vende afrikane dhe të Lindjes së Mesme.
RAPORTET E ADMINISTRATËS ‘TRUMP’ ME KINËN DHE AZINË JUGORE
Një vend të veçantë në politiken ekonomike të presidencës së re zë lufta tregtare me Kinën dhe ndikimi në zinxhirët e furnizimit në ekonominë globale. Tarifat dhe kufizimet mbi mallrat kineze parashikohet të ndikojnë te kostot e prodhimit për kompanitë, duke i bërë produktet e tyre më të shtrenjta dhe më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump premtoi tarifa 60% për mallrat e konsumit kinez. Nëse do ta realizojë premtimin elektoral e tij, Kina, me rreth 500 miliardë dollarë eksporte në Shtetet e Bashkuara, (15% e totalit) do ta gjente veten përballë një sfide komplekse dhe shumë të ndërlikuar për ta zgjidhur. Për të kuptuar sa të vështirë e ka Kina një takës të tillë doganore, mjafton të bëjmë një krahasim me atë që ndodhi në 2018-19, kur agjenda proteksioniste e liderit republikan mori formën e tarifave që varionin nga 7.5% në 25% për 370 miliardë dollarë mallra të prodhuara në Kinë. Këtë herë, përveçse shumës, që është më e madhe dhe tarifat, që janë dyfishi i të kaluarave, duhet marrë në konsideratë që rdhe ekonomia kineze nuk është më si ajo e vitit 2018. Në atë kohë, një e katërta e PBBsë së Kinës bazohej rreth sektorit të pasurive të paluajtshme. Sot, pronat e paluajtshme në Kinë janë në një krizë të thellë dhe nuk do të jenë në gjendje të ndihmojnë atë vend të absorbojë ndikimin e një lufte të re tregtare. Jo vetëm kaq. Kriza e pasurive të paluajtshme ka ngarkuar administratat vendore me borxhe të destinuara për të reduktuar në masë të madhe arsenalin fiskal që mund të përdoret për të zbutur goditjet e jashtme. Shkurtimisht, kërkesa e brendshme që mbetet e dobët, me konsum familjar nën 40% të PBB-së, rreth 20 pikë më pak se mesatarja botërore e rrezikojnë shumë Kinën nga tarifat për mallrat e eksportuara në USA. Në këto kushte edhe levat ekonomike të institucioneve kineze për të stimuluar kërkesën e brendshme apo për të zhvlerësuar juanin me rreth 18% që, sipas disa vlerësimeve, do të bënte të mundur kompensimin e 60% të detyrimeve doganore të shoqërive që eksportonin në Shtetet e Bashkuara, mbeten utopike.
“Kina shpjegon Alicia Garcia Herrero, kryekonomistja e Azisë Paqësorit në Natixis Bank në fakt nuk mund t’u përgjigjet tarifave doganore të këtyre përmasave. Ajo që mund të bëjë është të shpallë stimuj të rinj në ekonomi, në mënyrë që tregjet të mos e penalizojnë”. Nga ana tjetër, duhet të marrë masa kundërvepruese për shoqëritë amerikane në Kinë. Për shembull, duke vendosur tarifa në sektorin agro-ushqimor (në sajë të marrëdhënieve solide tregtare me Brazilin), ajo do të synojë të penalizojë kompanitë amerikane me interesa të forta kineze dhe duke vendosur kufizime në eksportin e lëndëve të para thelbësore. Kjo ndodhi vitin e kaluar me galiumin dhe germaniumin, dy metale të përdorura në sektorët e mbrojtjes, komunikimit dhe gjysmëpërçuesve.
Donald Trump nuk është vetëm autori i “Artit të Rikthimit”, por edhe i “Artit të Marrëveshjes”, ekziston gjithashtu mundësia që kërcënimet ndaj Pekinit të shërbejnë për të hapur një negociatë, konturet, të cilit janë ende të paqarta dhe të përcaktuara. Sigurisht që këto do të rifusin në lojë edhe problemet gjeopolitike të interesave amerikane në Tajvan, Filipine, Vietnam etj.. Në këtë drejtim, emri i parë që të vjen ndërmend është Tajvani (një vend që “duhet të na paguajë për t’u mbrojtur”, tha Trump verën e kaluar), por jo vetëm kaq. Japonia, Vietnami dhe Filipinet gjithashtu e gjejnë veten në “pozitën e sikletshme” për të pasur mosmarrëveshje territoriale me Kinën. Nuk duhet të harrojmë se gjatë Presidencës së parë, Trump krijoi për herë të parë raporte zyrtare me diktatorin koreano-verior Kim Jong-un, elementi kryesor i destabilitetit në rajon. Është shumë vështirë të parashikohen hapat konkretë të tij në këtë rajon.
Në Azinë Jugore, kthimi i Trump duhet të jetë më shumë lajm i mirë për Indinë sesa për Pakistanin. Nju Delhi ka qenë kundërpesha kryesore politike dhe ushtarake ndaj Pekinit për vite me radhë dhe në të kaluarën midis Presidentit të ardhshëm të SHBA dhe kryeministrit indian Narendra Modi ka pasur ulje-ngritje të karakterit konjuktural ekonomik. Fakti është që gjithmonë kanë gjetur një kompromis interesant midis tyre.
SI E VLERËSOJNË SPECIALISTËT EKONOMIKE TË PRESIDENTIT TRUMP?
Specialistët dhe analistët ekonomikë kanë mendime të ndryshme rreth politikave ekonomike të Trump, veçanërisht në lidhje me qasjen proteksioniste dhe përqendrimin te parimi “Amerika e Para”.
Disa ekonomistë e shohin uljen e taksave si një hap pozitiv që ndihmoi kompanitë amerikane të rrisin fitimet dhe të krijojnë vende pune. Këto politika, sipas tyre, do të përmirësojnë konkurrueshmërinë e kompanive amerikane dhe do të inkurajojnë investimet vendëse. Por, kritikët theksojnë se përfitimet e këtyre politikave do te ndjehen kryesisht nga korporatat dhe më pak nga shtresat e mesme dhe të ulëta të popullsisë.
Shumë specialistë shprehen të shqetësuar për rritjen e borxhit federal që do të pasojë uljet e mëdha të taksave dhe rritjen e shpenzimeve. Sipas disa ekonomistëve, kjo qasje mund të ketë ndikime afatgjata negative, duke kufizuar aftësinë e SHBA-ve për të përballuar kriza të ardhshme ekonomike.
Shumica e ekspertëve që kritikuan tarifat tregtare dhe luftën tregtare me Kinën në mandatin e parë janë të mendimit se proteksionizmi pengon tregtinë e lirë dhe rrit çmimet për konsumatorët. Lufta tregtare në mandatin e parë jo vetëm që preku ekonomitë e tjera, si ato evropiane dhe aziatike, por ndikoi edhe konsumatorët amerikanë duke rritur çmimet për mallrat e importuara. Specialistët theksojnë se tarifat dhe kufizimet e tilla ndikuan negativisht edhe në zinxhirët globalë të furnizimit, duke krijuar një ambient të pasigurt për bizneset ndërkombëtare. Politikat e Trump, sipas disa analistëve, do të përforcojnë pabarazinë ekonomike në SHBA. Nga uljet e taksave për korporatat dhe individët me të ardhura të larta do të përfitonin kryesisht shtresat e pasura, duke rritur diferencat ekonomike mes shtresave të ndryshme të shoqërisë. Kjo situatë, sipas tyre, krijon një problem social dhe ekonomik afatgjatë, pasi rritja e pabarazisë mund të dobësojë konsumin dhe të ndikojë negativisht rritjen e qëndrueshme ekonomike
Disa specialistë janë të mendimit se politikat ekonomike të Trump do te sjellin përfitime afatshkurtra për disa sektorë të ekonomisë amerikane, por gjithashtu mund të krijojnë pasiguri dhe tensione në ekonominë globale. Parashikimet për ciklet ekonomike gjatë këtij mandati të Donald Trump do të varen nga faktorë të ndryshëm, përfshirë politikën e brendshme, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe situatën ekonomike globale.
Në përfundim, politikat ekonomike të Presidentit Donald Trump mbeten një temë e komplekse dhe shpesh e debatueshme, me ndikime të thella si në ekonominë amerikane, ashtu edhe në atë globale. Mendohet se mandati i dytë i Trump do të sjellë mundësi për rritje ekonomike, duke e bërë të domosdoshme një balancë të kujdesshme për të siguruar një ekonomi të qëndrueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar të fortë. Për Evropën dhe pjesën tjetër të botës, politikat e tij do të vazhdojnë të ndikojnë në tregjet globale dhe do të kërkojnë një përgjigje strategjike për të mbrojtur interesat ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë, në radhë të parë të Amerikës.
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në 10 vjet përballë ndryshimeve klimatike