zoom

Aktualitet

A i rrezikohet jeta Erzen Breçanit nga klaustrofobia? Ekspertët e mjekësisë i përgjigjen sot GJKKO

Pritet të mbahet sot seanca e radhës në GJKKO, për ish-zyrtarin e policisë, Erzen Breçani. Ky i fundit u arrestua pas zbërthimit të përgjimeve të aplikacionit SKYECC, që çoi në goditjen e një grupi kriminal që rezulton të jetë i përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Europë.

Në seancën gjyqësore pritet që të pyeten ekspertë të mjekësisë pas aktit të ekspertizës që tha se Breçani vuante nga klaustrofobia (frika nga qëndrimi në hapësira të mbyllura si bodrumet, tunelet, shpellat, ashensorët apo qelia e burgut). Ndërkohë, Breçani tha se i rrezikohej jeta në qeli.

Kujtojmë se Breçani u arrestua në nëntor të 2023 dhe akuzohet për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit. Më 20 nëntor, SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste për goditjen e grupit të strukturuar kriminal. Ai nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat, duke thënë se nuk e dinte se me çfarë merrej i biri.

Kurse SPAK pretendon se ka përgjime ku Breçani flet për investime me shifra deri në 500 mijë euro me Ervin Matën, që është njëkohësisht vëllai i të fejuarës së djalit të Erzen Breçanit.

Nga këto urdhër arreste u ekzekutuan 5 prej tyre, arrestimi i Erzen Breçanit ish-drejtor i Policisë së Tiranës, Dedan Gjoni shefi i krimeve në Komisariatin numër 6, Bujar Ajezi, Besmir Murati të cilët u lanë në burg nga GJKKO. Po ashtu në Spanjë u arrestuar Ismail Zeneli, për të cilin kanë nisur procedurat për ekstradim. /ZOOM.AL/