Aplikacion
Rritja e ChatGPT dhe rivalëve të tij AI po minon marrëveshjen ekonomike që qëndron në themel të internetit
THE ECONOMIST – Përgatiti në shqip Zoom.al
Në fillim të vitit të kaluar, Matthew Prince filloi të merrte telefonata shqetësuese nga drejtorët ekzekutivë të kompanive të mëdha mediatike. Ata i thanë Princit, kompania e të cilit, Cloudflare, ofron infrastrukturë sigurie për rreth një të pestën e uebit, se bizneset e tyre po përballeshin me një kërcënim të ri serioz online. “I pyeta: ‘Çfarë, janë koreanët e Veriut?’,” kujton ai. “Dhe ata thanë: ‘Jo. Është inteligjenca artificiale (AI)’.”
Ekzekutivët kishin dalluar shenjat e hershme të një prirjeje që tani është bërë e qartë: AI po transformon mënyrën sesi njerëzit lundrojnë në internet. Përdoruesit po shtrojnë pyetjet e tyre te chatbot-ët, jo më te motorët tradicionalë të kërkimit. Si rezultat, në vend që të klikojnë mbi lidhje (links), ata marrin përgjigje të gatshme. Kjo ka sjellë rënie alarmante trafiku për botuesit e përmbajtjeve, nga mediat informative e forumet online deri te faqet referenciale si Wikipedia.
Ndërsa AI ndryshon mënyrën sesi njerëzit kërkojnë informacion, ajo po ndryshon edhe marrëveshjen ekonomike që ka qenë në themel të internetit. Trafiku i njerëzve ka qenë përherë i monetizuar përmes reklamave online; tani ai trafik po thahet. Prodhuesit e përmbajtjes po përpiqen me urgjencë të gjejnë mënyra që kompanitë e AI t’u paguajnë për informacionin që përdorin. Nëse nuk ia dalin, interneti i hapur mund të shndërrohet në diçka krejt tjetër.
Që prej lançimit të ChatGPT në fund të 2022, njerëzit kanë përqafuar një mënyrë të re për të kërkuar informacion online. OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, thotë se rreth 800 milionë njerëz e përdorin chatbot-in. Është aplikacioni më i shkarkuar në App Store të iPhone. Apple njoftoi se kërkimet tradicionale në shfletuesin Safari ranë për herë të parë në prill, pasi përdoruesit po shtrojnë pyetje te AI në vend të Google. OpenAI pritet së shpejti të hedhë në treg një shfletues të vetin. Rritja e saj është aq dramatike, sa që Hollywood-i po përgatit një film për të.
Për të mos mbetur pas, Google – i cili zotëron rreth 90% të tregut të kërkimeve në SHBA – ka shtuar veçori AI në motorin e vet të kërkimit. Vitin e kaluar nisi të vendosë “përmbledhje të krijuara nga AI” mbi rezultatet e kërkimeve, të cilat janë bërë tani të zakonshme. Në maj, Google lançoi “modalitetin AI”, një version të kërkimit në formë bisedore. Kompania premton se tani përdoruesit mund të “lejojnë Google-in të bëjë ‘Googling’ për ta”.
Por, ndërsa Google kërkon për ne, njerëzit nuk vizitojnë më faqet nga të cilat merren informacionet. Sipas Similarweb, e cila mat trafikun e mbi 100 milionë faqeve në ueb, trafiku global i kërkimit nga njerëzit ka rënë me rreth 15% në një vit deri në qershor. Disa kategori, si faqet e hobi-ve, po ecin mirë. Por shumë të tjera janë goditur rëndë. Faqet shkencore dhe edukative kanë humbur 10% të vizitorëve. Faqet referenciale kanë humbur 15%. Faqet e shëndetit – 31%.
Për kompanitë që mbështeten te reklamat ose abonimet, rënia e vizitorëve do të thotë humbje e të ardhurave. “Kishim një marrëdhënie shumë pozitive me Google për një kohë të gjatë… Ata e prishën marrëveshjen,” thotë Neil Vogel, shefi i Dotdash Meredith, që zotëron faqe si People dhe Food & Wine. Tre vite më parë, më shumë se 60% e trafikut vinte nga Google; tani është rreth 35%. “Po përdorin përmbajtjen tonë për të garuar kundër nesh,” shton ai. Google thotë se përdorimi i përmbajtjes së të tjerëve është i drejtë. Por që kur nisi përmbledhjet me AI, përqindja e kërkimeve në lajme që nuk çojnë në klikime ka shkuar nga 56% në 69%, sipas Similarweb. Me fjalë të tjera, 7 në 10 persona marrin përgjigje pa vizituar faqen që e ka dhënë atë.
“Sot natyra e internetit është transformuar plotësisht,” thotë Prashanth Chandrasekar, CEO i Stack Overflow, forumi online për programues. “AI po e mbyt trafikun për shumicën e faqeve me përmbajtje,” shton ai. Stack Overflow po sheh më pak pyetje të reja sepse vizitorët janë gjithnjë e më të paktë. Edhe Wikipedia paralajmëron se përmbledhjet me AI që nuk citojnë burime “bllokojnë rrugët për njerëzit që duan të qasen apo kontribuojnë në platformë.”
Për të ruajtur trafikun dhe të ardhurat, shumë kompani të mëdha kanë nisur të negociojnë marrëveshje licencimi me kompanitë AI, shpesh të mbështetura me kërcënime ligjore – ajo që CEO i News Corp, Robert Thomson, e quan “joshje dhe padi”. News Corp ka bërë marrëveshje me OpenAI. Dy degë të saj po padisin Perplexity, një tjetër motor përgjigjesh me AI. New York Times ka marrëveshje me Amazon ndërkohë që po padit OpenAI. Disa media të tjera po bëjnë të njëjtën gjë – ose njëra, ose tjetra. (Kompania që zotëron The Economist nuk ka marrë një qëndrim publik për këtë.)
Por kjo qasje ka kufizime. Gjykatat për momentin po mbajnë anën e kompanive të AI: muajin e kaluar, dy gjykata në Kaliforni vendosën në favor të Meta-s dhe Anthropic, duke argumentuar se trajnimi i modeleve AI me përmbajtje të të tjerëve përbën përdorim të drejtë. Ish-presidenti Donald Trump është në anën e Silicon Valley: ai ka pushuar nga puna drejtoreshën e Zyrës së të Drejtës së Autorit sapo ajo tha se përdorimi i përmbajtjes së mbrojtur për trajnimin e AI nuk është gjithmonë i ligjshëm.
Kompanitë e AI janë më të gatshme të paguajnë për qasje të vazhdueshme në përmbajtje sesa për të dhëna për trajnim. Por marrëveshjet e deritanishme janë modeste. Reddit, për shembull, ka licencuar përmbajtjen e vet për Google për 60 milionë dollarë në vit. Megjithatë, vlera e saj në bursë ra me më shumë se gjysmën (rreth 20 miliardë dollarë), kur raportoi rënie të rritjes së përdoruesve për shkak të luhatjeve të trafikut nga kërkimi. (Kohët e fundit aksionet janë rikuperuar pjesërisht.)
Por problemi më i madh është se shumica e faqeve në internet janë shumë të vogla për të joshur apo paditur gjigantët e teknologjisë. Për kompanitë AI, përmbajtja e tyre është e dobishme në tërësi, por çdo faqe veç e veç është e zëvendësueshme. Edhe nëse do të bashkoheshin për të negociuar si grup, ligji antimonopol do ta ndalonte. Ata mund t’i bllokojnë robotët e AI (crawlers), dhe disa e bëjnë. Por kjo do të thotë se nuk do të jenë fare të dukshëm në kërkim.
Disa kompani softuerësh mund të ndihmojnë. Cloudflare, për shembull, tani i pyet të gjithë klientët e rinj nëse duan të lejojnë robotët e AI të vizitojnë faqet e tyre, dhe për çfarë qëllimi. Cloudflare po teston një sistem “paguaj për të indeksuar”, ku robotët e AI do të paguajnë për të hyrë në përmbajtje. “Duhet të vendosim rregullat e rrugës,” thotë Prince. “Bota ideale është ajo ku njerëzit e lexojnë përmbajtjen falas, por robotët paguajnë shumë për të.”
Një alternativë tjetër është Tollbit, një platformë që ofron “paywall” për robotët. Ajo u lejon faqeve të tarifojnë qasje të ndryshme sipas llojit të përmbajtjes – p.sh., një revistë mund të tarifojë më shumë për artikujt e rinj sesa për të vjetrit. Në tremujorin e parë të këtij viti, Tollbit përpunoi 15 milionë mikro-transaksione, nga rreth 2,000 prodhues përmbajtjeje si Associated Press dhe Newsweek. CEO i saj, Toshit Panigrahi, thotë se sistemi i ri nxit përmbajtje unike, në vend të përgjigjeve të zakonshme si “Kur fillon Super Bowl?”
Një model tjetër vjen nga ProRata, një startup i udhëhequr nga Bill Gross, një pionier i reklamave “pay-per-click”. Ai propozon që paratë nga reklamat që shfaqen bashkë me përgjigjet AI të ndarë me faqet që kontribuojnë në këto përgjigje, në përpjesëtim me ndikimin që kanë në rezultat. ProRata ka motorin e vet, Gist.ai, që ndan të ardhurat nga reklamat me mbi 500 partnerë, përfshirë Financial Times dhe The Atlantic. Por për momentin, kjo është më shumë një shembull, sesa një kërcënim real për Google.
Ndërkohë, prodhuesit e përmbajtjes po rishikojnë modelet e tyre të biznesit. “E ardhmja e internetit nuk ka të bëjë vetëm me trafik,” thotë Chandrasekar i Stack Overflow, i cili ka ndërtuar një produkt të brendshëm për kompanitë (Stack Internal). Botuesit e lajmeve po përgatiten për epokën “zero Google”, duke përdorur buletine, aplikacione dhe përmbajtje me pagesë. Audio dhe video janë më të vështira për t’u përmbledhur nga AI, ligjërisht dhe teknikisht. Sipas Similarweb, faqja që merr më shumë trafik nga motorët e përgjigjeve AI është – bindshëm – YouTube.
Jo të gjithë mendojnë se interneti po vdes. Përkundrazi, Robby Stein nga Google thotë se jemi në një periudhë zgjerimi të jashtëzakonshëm. Falë AI, bëhet më e lehtë të krijosh përmbajtje, dhe numri i faqeve është rritur me 45% në dy vitet e fundit, sipas të dhënave të Google. Kërkimet me AI lejojnë mënyra të reja për të pyetur – p.sh. duke bërë foto një rafti librash dhe duke pyetur “çfarë të lexoj më pas?” – që mund të sjellin më shumë trafik. Motorët e përgjigjeve lexojnë qindra faqe për një përgjigje të vetme – edhe pse jo me sy njerëzor.
Sa për idenë se Google po shpërndan më pak trafik njerëzor, Stein thotë se kompania nuk ka parë ndonjë rënie dramatike të klikimeve dalëse, por refuzon të publikojë shifra. Ai shton se njerëzit mund të mos po vizitojnë më shumë faqe për arsye të tjera – ndoshta po qëndrojnë më shumë në rrjetet sociale, apo po dëgjojnë podkaste.
Vdekja e internetit është parashikuar edhe më parë – nga rrjetet sociale dhe pastaj nga aplikacionet mobile – por nuk ka ndodhur. Megjithatë, AI mund të jetë kërcënimi më i madh deri më tani. Nëse interneti do të mbijetojë në formën që njohim sot, faqet duhet të gjejnë mënyra të reja për t’u paguar për përmbajtjen e tyre. “Nuk ka asnjë dyshim që njerëzit preferojnë kërkimin me AI,” thotë Bill Gross. “Dhe që interneti të mbijetojë, që demokracia të mbijetojë, që krijuesit të mbijetojnë – AI duhet të ndajë të ardhura me ta.”
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari