Aplikacion
Tre muaj përpara publikimit të këtij lajmi, në dhjetor të 2020, Mohamed Alabbar, në rolin e presidentit të kompanisë “EMAAR Group”, njoftoi në një intervistë në televizionin Top Channel se do të investonte 2 miliardë euro në port (Intervista).
Më 13 shkurt, kryeministri Edi Rama publikoi disa foto 3D se si do të dukej Durrësi me projektin e “EMAAR Group”.
Më 16 prill projekti u prezantua në një ceremoni të madhe në Durrës.
3 muaj më vonë, në korrik 2021, televizioni MCN zbulon se “EMAAR Group” është tërhequr nga ndërtimi i portit dhe se projektin e kishte marrë përsipër një kompani offshore, e regjistruar në ishujt Cayman.
Kompania, sipas MCN, quhet “Simphohy Real Estate Development”. Ajo ka administrator shtetasin Oltjan Hoxholli, një avokat partner në studion ligjore LPA.
Pronarja reale e kompanisë është një tjetër kompani guackë, e quajtur “Symphony Invest Limited”, e regjistruar më 23 shtator në ishujt Cayman.
Qeveria nuk ka reaguar ndaj këtyre informacioneve. Ajo fshihet pas faktit se Mohamed Alabbar vazhdon të jetë pas projektit.
Por si qëndron e vërteta?
Mohamed Alabbar është pas këtij projekti, por jo më me “EMAAR Group”, një kompani e fuqishme me të ardhura 15.5 miliardë dollarë, që ka ndërtuar kullën më të lartë në botë, Burj Khalifa dhe disa projekte të tjera të njohura botërisht.
Alabbar, anëtar i bordit të “EMAAR Properties” rezulton të jetë themeluesi i kompanisë “Symphony Invest Limited”.
Arsyet se përse ndërtimi i Portit të Durrësit do të bëhet nga një kompani offshore e panjohur dhe jo nga gjigandi “EMAAR Group”, mbeten të panjohura.
Më 7 korrik 2021 Zoom.al i drejtoi një kërkesë për informacion kompanisë “EMAAR Group”, mbi ekzistecën e projektit, nëse ajo do të ishte zbatuese e tij dhe nëse do të investonte 2 miliadë dollarë.
1 javë më vonë zyra e shtypit e “EMAAR Group” përgjigjet duke premtuar se ajo do të na siguronte informacionet e kërkuara.
Më 21 korrik Zoom.al i dërgoi një kërkesë të dytë kompanisë për shkak se nuk mori përgjigjen e premtuar. Por nga “EMAAR Group” nuk pati më asnjë reagim. Kompania nuk iu përgjigj më as thirrjeve tona telefonike.
Kompania nuk është e vetmja që hesht për këtë çështje. Zoom.al provoi të marrë informacion mbi projektin pranë Ministrisë së Infrastrukturës, duke i drejtuar këto pyetje.
Por kjo kërkesë drejtuar më 24 nëntor 2021 Ministrisë nuk ka ende përgjigje, edhe pse Zoom.al kontaktoi disa herë zyrën e shtypit nëpërmjet telefonit dhe mesazheve telefonike.
Po përse heshtin si kompania “EMAAR Goup” si Ministria e Infrastrukturës?
Në shkrimin e muajit mars, Zoom.al, duke iu referuar burimeve të besueshme, njoftoi se porti do të ketë vetëm disa pallate dhe asgjë më shumë. Të njëjtat burime konfirmojnë se këto pallate do t’i jepen me përqindje një individi të huaj pa garë, i cili do të përfitojë edhe qindra hektarë tokë shtetërore falas në port.
“Porti Turistik, apo Marina, nuk do të ndërtohet, për shkak se do të duhen të paktën 5 vjet që porti tregtar të zhvendoset në Port Romano, ku është planifikuar nga qeveria”, tha burimi.
Teksa mbushen 1 vit nga intervista e Mohamed Alabbar, dyshimet sa vijnë e shtohen, se qeveria e Dubait dhe “EMAAR Group” nuk janë aspak pjesë e projektit të ndërtimit të Portit Turistik të Durrësit.
Zoom.al është ende në pritje të përgjigjeve nga “EMAAR Group” dhe nga Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku, për të mësuar se kush qëndron pas projektit dhe në ç’fazë është ai.
Që nga prezantimi me bujë i 3D-së nga qeveria, përveç disa mediave, askush nuk flet më për të. Edhe opozita ka heshtur, që kur mediat zbuluan se me projektin ishte e lidhur kompania e kunatit të kryetarit të saj, Lulzim Bashës.
Oltjan Hoxholli, që përfaqëson kompaninë offshore “Symphony Real Estate Development” në Tiranë ishte administrator edhe në kompaninë “Moveo Albania Technology”, e regjistruar më 25 mars 2019, në të cilën është aksioner Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës. /Zoom.al