Aplikacion
Njëri prej njerëzve që qëndron pas aferës së inceneratorëve, Mirel (Klodian) Mërtiri është parë të paktën 2 herë duke hyrë në kryeministri. Një e dhënë e tillë ka mbërritur në Komisionin Parlamentar që po heton këtë çështje prej 1 muaji.
Hyrjet e tij në godinën e qeverisë, sipas informacioneve që ka arritur të mbledhë komisioni, përkon me kohën e nisjes së hetimeve nga SPAK.
Por kë ka takuar njeriu që qëndron pas inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit e Fierit?
Komisioni Hetimor Parlamentar ka kërkuar të marrë pamjet filmike të kamerave të godinës së Kryeministrisë. Kërkesa u është adresuar zyrtarisht institucioneve përkatëse dhe nëse ato do të bashkëpunojnë, filmimet pritet të zbulojnë lidhjen direkte të Mërtirit në qeveri.
Për të zbuluar fijet e pronarëve të kompanive që kanë fituar koncesionet e inceneratorëve po punon edhe SPAK, por nuk është e qartë nëse Prokuroria e Posaçme ka qenë në dijeni të kësaj të dhëne.
Por veç kryeministrisë, Mirel Mërtiri është parë duke hyrë edhe në dy institucione të tjera. Komisioni Hetimor Parlamentar u ka nisur kërkesë edhe këtyre institucioneve.
Deri tani institucionet nuk kanë bashkëpunuar me Komisionin. Pritet për t’u parë nëse qëndrimi refuzues do të jetë edhe në këtë rast, çka do t’i vështirësonte përpjekjet për të hedhur dritë mbi këtë çështje.
Policia e Shtetit refuzoi një kërkesë për të dërguar të dhëna nga sistemi TIMS për udhëtimet jashtë shtetit të zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ish –ministrit Damian Gjiknuri, ish –ministrit Lefter Koka, vartësit të tij Alqi Bllako, kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe 3 njerëzve që qëndrojnë pas inceneratorëve, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja.
Drejtori Gledis Nano i tha Komisionit se këto të dhëna mund t’i jepeshin vetëm personave vetë, prokurorisë apo gjykatës. Nuk është e qartë nëse ato i ka kërkuar SPAK, që po heton çështjen.
Partia Demokratike dyshon se zyrtarët e lartë kanë kryer udhëtime së bashku. Për 15 udhëtime të përbashkëta u akuzua publikisht në parlament ish –ministri Gjiknuri.
Veç policisë, Zoom.al ka raportuar këtë javë, bazuar në dokumenta zyrtare, se edhe disa banka të nivelit të dytë kanë refuzuar të japin të dhëna për llogaritë bankare të zyrtarëve dhe biznesmenëve të akuzuar si të përfshirë në këtë çështje.
BKT (Banka Kombëtare Tregtare) dhe Raiffeisen Bank i dhanë përgjigje refuzuese Komisionit. Por hapi i radhës Komisionit pritet t’i vërë Policinë dhe Bankat përballë përgjegjësisë penale.
Siç kuptohet nga përgjigjet që kanë dhënë institucionet dhe bankat, këto të dhëna do të ishin lehtësisht te aksesueshme nga SPAK. Por sipas Partisë Demokratike, SPAK po heton me ritëm disa herë më të ngadaltë se vetë Komisioni, puna e të cilit po has pengesa në çdo drejtim. / Zoom.al
Sherr mes të rinjve, 4 persona përfundojnë në spital, dy prej tyre të plagosur me sende të forta