zoom

Aktualitet

Vrasja e policit në Lezhë/ Jepet vendimi për dy shokët e Aldi Ramës, ishin bashkë në momentin e krimit

Gjykata ka lënë në burg pa afat, Kristian Sherrin dhe Armando Markun, dy të rinjtë që ndodheshin në makinë me Aldi Ramën në momentin që ky i fundit vrau nënkomisarin, Saimir Hoxha në Lezhë.

Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së Parë Lezhë, duke rrëzuar kërkesën e të rinjve për masë më të butë sigurie.

Akuza ndaj të rinjve

Shokët e Aldi Ramës akuzohen për moskallëzim krimi, pasi të martën e 28 shtatorit, ku mbeti i vrarë polici Hoxha, ata ndodheshin në makinë me autorin e krimit.

Ngjarja e rëndë në zonën Kune-Vain të Lezhës, pasi tre të rinjtë u ndalen për kontroll nga tre efektivët e policisë, të cilët ktheheshin nga një aksion antikanabis. Kristian Shetri dhe Armando Marku iu bindën urdhrit dhe zbritën nga automjeti, ndërsa Rama nuk e bëri një gjë të tillë dhe qëlloi me armë nënkomisarin, duke e lënë të vdekur.

Pas krimit ai u arratis me makinë, por u gjet pas disa orësh, i plagosur në gjendje të rëndë, ku dyshohet se qëlloi veten. Ai humbi jetën në spitalin e Traumës, ndërsa efektivi i vrarë u shpall “Dëshmor i Atdheut”.