Aplikacion
Vendimi i marrë sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, parashikon ngritjen e një grupi ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
Gjithashtu kërkohet nga shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.
Në një konferencë me mediat, më herët gjatë ditës, Rama tha se plani i masave pritet të bëhet publik nesër, ndërsa nuk dha asnjë detaj se cilat do të jenë ndërhyrjet për përballimin e situatës. Kjo gjendje sipas vendimit i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
2. Ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.
3. Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
4. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.
5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA