zoom

Aktualitet

Vrau policin Saimir Hoxha! Mjekësia ligjore zbulon se si ndodhi vdekja e Aldi Ramës

Vdekja e Aldi Ramës, autorit të vrasjes së efektivit Saimir Hoxha është shoqëruar me polemika dhe diskutime të shumta, nëse ishte vrasje apo vetëvrasje. Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se vdekja e 21-vjeçarit ka ardhur si pasojë e një plage të shkaktuar me armë zjarri, duke i sjellë shembjen e trurit dhe përhapjen e hemoragjisë.

Mësohet se në kokën e tij, ekspertët kanë konstatuar dy plagë, njëra hyrëse dhe tjetra dalëse, duke krijuar një formë tubi në kafkën e 21-vjeçarit. Ndërkohë në pjesën hyrëse të plumbit është vërejtur një plagë e gjerë, e shoqëruar me djegien e lëkurës. Ndërsa rreth e qark plagës janë konstatuar disa grimca baruti.

Sipas “OraNews”, pas mbledhjes dhe analizmit të të dhënave është arritur në përfundimin se Aldi Rama, ka qëlluar vetëm me pistoletën e tij që në 28 shtator mbante me vete. Ky përfundim ka ardhur pasi goditja është kryer me puthitje në pjesën e tëmthit të kokës, nga e dhjathta në të majtë, duke i shkaktuar vdekjen.

Me këtë raport vlerësimi të ekspertizës së autopsisë dhe me gjetjen e armës së zjarrit pranë trupit të Aldi Ramës, gëzhojës dhe një aparati telefonik, grupi i hetimit ka krijuar bindjen e fortë se 21-vjeçari Aldi Rama, nuk është qëlluar nga forcat RENEA që i ishin vënë në ndjekje, por ka vrarë veten.

Ndërkohë pritet që prokuroria e Lezhës të marrë edhe ekspertizën e balistikës së armës “TT” që Aldi Rama mbante me vete dhe ekspertizës së gjurmëve të gishtave në pistoletë.