zoom

Aktualitet

Goditi efektivin e policisë rrugore, shpallet në kërkim DJ MIND (Armand Basha)

Një tjetër efektiv policie është dhunuar në krye të detyrës, ndërsa autor kësaj radhe është një personazh i njohur publik. Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim Armand Bashën, i njohur ndryshe si DJ MIND, pasi ka ushtruar dhunë ndaj një efektivi në kryeqytet.

Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur pak ditë më parë, konkretisht në 23 shtator, pranë Liqenit të Thatë në Tiranë. Dy efektivë policie, në zbatim të detyrës po plotësonin disa masa administrative, për shkak se disa makina kishin bllokuar rrugën në afërsi të restorant Tiku&Mato.

Sipas raportimeve, në këtë moment, Armand Basha, i njohur publikisht si DJ MIND në lokalet e natës, del dhe ofendon punonjësit e policisë. Edhe pse nuk ishte gjobitur personalisht, Basha ka vijuar me ofendime ndaj efektivëve, ndersa në një moment ka goditur me grusht njërin prej tyre.

Nga dhuna e ushtruar, efektivi i Policisë rrugore është plagosur rëndë në pjesën e fytyrës dhe është dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

Pas sulmit, komisariati nr 1 ka vënë në lëvizje patrullat e policisë për të gjetur Dj Mind, i cili nuk është dorëzuar në polici sot e kësaj dite.

I skeduar për dhunë në familje

Dj Mind, ose Armand Basha, nuk është person i panjohur për policinë, pasi ai është i skeduar në polici edhe më herët për dhunë në familje.

Tashmë ai është shpallur në kërkim nga për kryerjen e veprave penale: goditje për shkak të detyrës, si dhe kundërshtim i forcave të policisë.

Dhuna ndaj policisë, dënohet deri më 7 vjet burg

Sipas nenit 236 të Kodit Penal, Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

Dhuna ndaj efektivëve të policisë është kthyer në një fenomen shqetësues në Shqipëri. Në media ka patur disa raportime ku “ të fortët” ngrenë dorën ndaj policisë së shtetit.

Rasti më tronditës, ndodhi vetëm dy ditë më parë, ku 21 vjeçari Aldi Rama, vrau nënkomisarin Saimir Hoxha, pas një aksioni antikanabis që viktima zhvilloi në periferi të Lezhës.