Aplikacion
Erion Veliaj shfaqet përditë nëpër ekrane, edhe kur mbjell një pemë, edhe kur hedh dy lopata zhavorr. Madje edhe kur i vjen ndonjë batutë që mendon se mund të bëjë për të qeshur, thërret kamerat e tij, e regjistron dhe e shpërndan nëpër televizione.
Thuajse të gjithë në rresht, madje edhe ato ekrane të deklaruara si opozitare, ia publikojnë “kasetat” pa redaktim.
Megjithatë, Erion Veliaj ndihet shantazhuar. Mediat, sipas tij, po i bëjnë presion e shtantazh. E zbuloi këtë një ditë më parë kur agjentët e BKH i shkuan për kontroll në shtëpi.
“U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta” – tha Veliaj.
Po cilat janë mediat që po e shantazhojnë atë?
Si kryetar i bashkisë më të madhe në vend Erion Veliaj do të duhet t’i kishte denoncuar me emra këta media, publikisht. E po kështu, do të duhej t’u ishte drejtuar organeve ligjzbatuese, sepse shantazhi i një zyrtari përbën vepër penale. Madje, do të duhet të tregonte publikisht edhe me çfarë e shantazhojnë.
Shantazhi, sipas përcaktimit gjuhësor e juridic është një “shtrëngim që i bëhet dikujt për të plotësuar një kërkesë të papranueshme prej tij, duke e kërcënuar se do të zbulohet një e fshehtë që e dëmton, se do të rrezikohet ai vetë a një i afërm i tij etj. Është frikësim që i bëhet dikujt për ta mposhtur, për ta përkulur dhe për ta detyruar të veprojë në dobi të një tjetri”.
Pra, me çfarë po e shtrëngojnë Erion Veliaj? Çfarë të fshehte po i ruajnë mediat që sipas tij po e shantazhojnë?
Ajo që dihet publikisht është se mediat thjesht po i bëjnë fresk Veliajt. Thuajse asnjë nuk denoncon pisllëkun që ka mbytur Tiranë, thuasje asnjë televizion nuk i dërgon kamerat në Sharrë për të treguar se inceneratori që vazhdon të djegë miliona euro të taksapaguesve, nuk ekziston. Pothuaj askush nuk flet për cilësinë e ujit të pijshëm, që po ua lëshon lëkurën në tokë të gjithë banorëve të Tiranës, se për të pirë apo për ta pasur 24 orë, as që bëhet fjalë. Askush nuk flet për trafikun mbytës, në çdo orë, në çdo rrugë, në çdo lagje. Për aferën “5D” flitet vetëm kur ka ndonjë lëvizje nga SPAK e madje edhe në ato momente shumë media preferojnë që atë minutazh ta zëvendësojnë me mbjelljen e ndonjë peme.
Tirana ka shumë për të treguar si një qytet kaotik që nuk funksionon. Bashkia ka edhe më shumë, me afera në çdo fushë; tendera, projekte, punësime, leje ndërtimi etj.
Mediat në të vërtetë po i fshehin të gjitha këto. Dhe Veliaj mbase ka të drejtë që disa media mund ta shantazhojnë për llogari të pronarëve, se nëse nuk marrin çfarë duan do të nisin të merren me bashkinë. Nëse do të ndodhte kështu, më në fund mediat e gazetarët do të bënin detyrën e tyre.
Nëse Erion Veliaj nuk ka asgjë për të fshehur, ai do të duhet të ishte i pari që t’i tregonte me emra këto media.
Në fushatën e fundit për zgjedhjet vendore ai denoncoi disa faqe në rrjete sociale, si JOQ apo Lolita. U nxorri emrat personave që i menaxhojnë dhe tha se do t’i kallëzonte pranë organeve ligjzbatuese.
Kësaj here ai nuk përmendi emra. Mbase, duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit, presionet e shantazhet mund të jenë të dyanshme; media për të zgjidhur hallet e pronarëve, Veliaj për t’i fshehur të vetat. /Zoom.al