Aplikacion
Për shkak të ndikimit që tragjedia pati në publik, policia është detyruar të bëjë një tjetër reagim, duke kritikuar mediat dhe duke theksuar se nuk ka një autor të dytë në këtë vrasje.
Ndër të tjera, në njoftim, Policia thotë se Martin Cani dhe një shok i tij e kishin goditur dhe shtrirë përtokë viktimën, përpara se ai t’i qëllonte me thikë.
Policia, në njoftimin e saj, veç të tjerash sulmon median, që sipas saj po ngulmojnë se një person tjetër është përfshirë në rasje, e po ashtu thotë se reagimet për këtë ngjarje kanë prapavijë politike.
“Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet” – thuhet në njoftimin e policisë.
Versioni që një person tjetër ka marrë pjesë aktivisht në ngjarjen e rëndë u dha nga babai i shokut të Martinit, Luisit, që mbeti i plagosur e që sot kërkon ndihmë për të përballuar shpenzimet spitalore.
Mediat pasqyruan kryesisht deklaratat e tij dhe kërkuan zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që policia, me një anë të kësa deklarate të paprecedent, thotë se kjo është “një lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut” që bëhet “me qëllom apo mungesë ndërgjegjje të theksuar politike ose profesionale”.
Zoom.al, mes mediave që ka pasqyruar deklaratat e prindërve që pretendojnë se ka pasur persona të tjerë të implikuar, i bën thirrje policisë së Tiranës që të angazhojë të gjitha kapacitetet dhe burimet e saj në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të mos shpenzojë forcat që i duhen për të luftuar krimin, në redaktime tesktesh, një detyrë kjo që nuk parashikohet as në ligjin Për Policinë e Shtetit dhe as nuk ndryshon realitetin kriminal në të cilin jetojnë çdo ditë banorët e kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë, ku pasiguria është rritur, ku krimi bën ligjin, ku të fortët lëvizin me armë në brez e çanta e zaptojnë prona e rrugë e ku policia në shumicën e rasteve bën sehir.
Vetëm duke i përdorur kapacitetet e veta në zbatim të ligjit policia e shtetit mund ta ndryshojë mungesën e theksuar të sigurisë në shkolla e kudo, çka kërkon strategji të qartë, seriozitet e profesionalizëm, pasi krimi nuk luftohet as me deklarata e as me mbyllje TikTok apo Sanapchat. /Zoom.al
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit shpreh indinjatë për keqtrajtimin publik që kulmoi me lajmin e rremë të pranisë së një autori të dytë me thikë, në vrasjen tragjike të ngjarjen e datës 18.11.2024, ku humbi jetën nxënësi 14-vjeçar M. C.
Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapura u angazhuan fort dhe vazhdojnë të dizinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes. Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet.
Nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, veprime te cilat jane të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.
Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.
Nga veprimet hetimore dhe proceduriale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shakllës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit.
Grupi i posaçëm hetimor po punon pa orar për të bërë dokumentimin përfundimtar ligjor të ngjarjes. Policia e Shtetit u bën thirrje publikisht të gjitha burimeve të informimit publik të mos vazhdojnë të hedhin dyshime të pabaza mbi këtë ngjarje tragjike. Nga ana tjetër Policia e Shtetit e siguron me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore opinionin publik se çdo version tjetër i ngjarjes në fjalë është i gënjeshtërt.
Policia e Shtetit bën me dije publikun se në çdo rast do të vazhdojë të informojë sipas të dhënave, provave dhe fakteve të përfituara nga grupi hetimor në këtë rast dhe në çdo rast, gjithmonë duke ruajtur sekretin hetimor dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë në këtë rast dhe kudo tjetër në çdo rast.
6 plagë në trup/ Spitali i Traumës tregon gjendjen shëndetësore të shokut të Martinit