zoom

Aktualitet

SPAK çon në gjyq “Baronin e drogës” Gëzim Çela e 13 të tjerët. Në sekuestro 15 pasuri e 20 mln lekë

Prokuroria e  Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se ka përfunduar hetimet dhe dërgoi për gjykim organizatën kriminale të narkotrafikut, e drejtuar nga Gëzim Çela, i njohur ndryshe edhe si “Baroni i drogës”, i kapur dhe ekstraduar nga Kosova pak muaj më parë.

Në dosjen e koduar si “Flakë në det”, referuar operacionit të vitit të kaluar, janë të pandehur edhe 13 persona të tjerë, anëtarë të grupit dhe madje mes tyre ish-komisari Dritan Metaj, që akuzohet se ndihmonte Çelën në aktivitetet e paligjshme, kryesisht nisjen e drogës nga Fushë-Kuqa për në Lagunën e Patokut dhe më tej në Itali, por edhe linja me Kosovën.

Burime zyrtare thanë se bëhet fjalë për dosjen penale me Nr. 185/2023, kundër të pandehurve;

Arlind Ismajlukaj, Gëzim Çelaj, Nerim Çela, Armando Mema, Dritan Metaj, Ben Dalipaj, Besnik Brokeri, Alket Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Kyrylo Ponomarenko, Kostiantyn Biellon, Armando Papa e Roland Guza, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/4 dhe 334 të Kodit Penal.

“Gjatë hetimit të këtij procedimi, është provuar se të pandehurit si pjesë e grupit të strukturuar kriminal drejtuar nga Gëzim Çelaj e Arlind Ismajlukaj, kanë marrë përsipër organizimin dhe trafikimin në sasi të mëdha të lëndëve narkotike, të paktën në dy raste, në ngjarjen e datës 31 Mars 2023, ku në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë është sekuestruar një sasi prej 41 kg lëndë narkotike e llojit heroinë, si dhe në ngjarjen e datës 14 Gusht 2023, ku është tentuar që nëpërmjet detit duke përdorur mjete lundruese të trafikohen sasi të mëdha të lëndëve narkotike, i njohur si operacioni policor “Flakë në det”, thuhet në dosjen hetimore.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, është arritur që për secilin prej të pandehurve të provohet jo vetëm përfshirja e tyre në aktivitetin kriminal, por edhe ndarja e roleve, duke përfshirë organizatorët e veprimtarisë, kultivuesit e lëndës narkotike, magazinuesit, prodhuesit, transportuesit, si dhe drejtuesit e mjeteve lundruese.

“Paralelisht me procedimin penal, ndaj të pandehurve dhe personave të lidhur me ta, ka filluar procedimi pasuror bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të Tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar, me qëllim evidentimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale”, theksohet në njoftim.

“Në kuadër të procedimit pasuror, me dy vendime të mëparshme Nr. 27 datë 09.10.2023, dhe Nr. 13 datë 17.03.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë:

-Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., i themeluar më datë 26.10.2022, me administratore dhe ortake të vetme të 100% të kuotave, shtetasen TH., me objekt aktiviteti Bar Restorant, me adresë Lezhë, Laç;

-Pasuria e paluajtshme nr. 1759, Zona kadastrale 1673, objekti ku ushtron aktivitetin shoqëria e lartpërmendur;

-3 Pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 400.000 Euro, në pronësi të shtetases M.TH.,

-6 Automjete të markave të ndryshme;

-3 mjete lundruese tip Gomone,

-Shuma monetare: 102.000 (njëqind e dy mijë) Euro, 500 (pesëqind) Paund Britanik, 50 (pesëdhjetë) Franga Zvicerane dhe afërsisht 7.000.000 (shtatë milion) Lekë, shtetasve A. I., G. Ç. dhe N. Ç.

-Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm me 100% të kuotave, shtetasin G.G., si dhe të gjitha asetet e saj, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë këtu edhe 10 automjete të markave të ndryshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të listës së pasurive. /ZOOM.AL/