zoom

Aktualitet

Pjesë e organizatës së “Baronit të drogës” Gëzim Çela, Apeli e lë në qeli të akuzuarin (EMRI)

Gjykata e Apelit të GJKKO, mori sot vendimin mbi kërkesën e të pandehurit Ksenofon Bodo, i akuzuar si anëtar i grupit të Gëzim Çelës, i njohur edhe si “Baroni i drogës” në Fushë-Kuqe të Kurbinit dhe që Kosova e ekstradoi disa javë më parë.

Apeli pasi dëgjoi SPAK-un dhe avokatin mbnrojtës, ka lënë fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme, në lidhje masën e sigurisë, duke lënë kështu në burg Bodon. Grupi akuzohet për trafik armësh dhe droge nga brigjet shqiptare, kryesisht “Laguna e Patokut” në Kurbin, drejt Italisë, me mjete lundruese; gomone, varka, veliera dhe më tej anije.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 28.05.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 22 akti, datë 23.05.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personit nën hetim K.B., me objekt:

Ankim ndaj vendimit nr. 46, datë 29.04.2024, verifikuar me vendimin nr. 48, datë 02.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 48, datë 02.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.

SPAK ndërkohë ka kryer edhe sekuestro pasurore ndaj të dyshuarve. Gëzim Çela është një personazh i njohur i botës së krimit brenda dhe jashtë vendit, me bazë në Kurbin dhe Kosovë, në trafik armësh, kokaine dhe heroine.

Italia e ka dënuar për narkotrafik në vitet 90-të, teksa ish-efektivi i Forcave Speciale RENEA iu fut botës së krimit dhe në vendin tonë është arrestuar dhe liruar disa herë në rrethana misterioze apo për shkak të “sëmundjeve të pashërueshme”. /ZOOM.AL/