zoom

Aktualitet

Kush i fshiu SMS-të nga telefoni i polices Loshi pas vetëvrasjes? Arrestohet i dashuri nga Kamza

Detaje të reja nga hetimi i Policisë së Tiranës për vetëvrasjen e dyshuar të koleges së tyre ditën e djeshme.

Në pranga ka përfunduar edhe i dashuri i të ndjerës, pasi besohet se ka qenë shkaku i aktit tragjik, pas grindjeve të vazhdueshme që kishin mes tyre, por edhe për ndërhyrje në telefonin e viktimës.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën “Todi Shkurti”, është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “seprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Dyshohet se debati me të dashurin e çoi  21-vjeçaren Aldorjana Loshi drejt vetëvrasjes. E reja qëlloi veten me armën e shërbimit, në banesën e saj ku jetonte e vetme me qira prej disa muajsh. Policia e Tiranës ka shoqëruar të dashurin e punonjës së policisë, i cili është marrë në pyetje dhe sot konfirmoi arrestimin.

Sipas burimeve zyrtare, efektivja e policisë ishte vetëm në shtëpi në momentin që ka kryer aktin ekstrem. Nga këqyrja dhe ekspertiza paraprake, besohet se ka kryer qitje me puthitje nga afër dhe janë gjetur shenja dhe gjurmë baruti në duar. Trupin e saj të pajetë e gjetën familjarët e saj, që më pas njoftuan autoritetet.

Dera e dhomës së saj u hap nga forcat zjarrfikëse, ndërsa po vijojnë hetimet për të zbardhur pse 21-vjeçarja që punonte në komisariatin nr. 5 në Tiranë u vetëvra. Në njoftimin e policisë thuhet se “Më datë 24.05.2024, rreth orës 18:30, në rrugën “Ali Demi”, është vetëvrarë me armë zjarri në banesë shtetasja A.L, 21 vjeçe, punonjëse Policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5″.

Aldorjana Loshi mbante pozicionin e efektives së Patrullës në Komisariatin numër 5, Kamëz. Sipas informacioneve, 21-vjeçarja nuk kishte shfaqur asnjë problem në punë, por u zbulua se kishte përplasje me të dashurin. /ZOOM.AL/