zoom

Aktualitet

Media belge: Emri i kryeministrit Edi Rama në dosjen e pastrimit të parave të drogës

Mediat e huaja kanë zbardhur një tjetër skandal të kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur emrin e tij me pastrimin e parave dhe me trafikantët e drogës.

Shkrimi është publikuar nga media belge “RTL Info”, e cila shkruan se politikanë të lartë, duke përmendur këtu emrin e Edi Ramës, kanë ndihmuar shtetasin Arben I. për të pastruar para të pista.

Roli i Arben I. është ai i ndërmjetësit mes investitorëve në Shqipëri, politikanëve dhe kushëririt të tij, Alfredo H., që është koka e një organizate kriminale, për të bërë pastrimin e parave të drogës.

Pjesë nga shkrimi i medies belge:

Cédric Vergauwen dhe Christophe Van Der Beesen u shprehën të premten përpara Gjykatës Penale të Brukselit, parimin e non bis in idem (nuk mund të gjykohet dy here per te njejten veper) për klientin e tyre, Arben I., i akuzuar se kishte ndihmuar në pastrimin e shumave të mëdha parash nga trafiku i kokainës. Dy avokatët besojnë se treguesit kryesorë të fajësisë të paraqitura nga prokurori vijnë nga një çështje italiane “që nuk çoi në asgjë”. Në këtë çështje, të quajtur Shqiponja e Zezë, akuzohen 40 persona për trafik ndërkombëtar droge.

Vergauwen kritikoi faktin se akuzat e ngritura nga prokurori ndaj Arben I. “bazohen në informacione që vijnë nga dosje të huaja”, njëra italiane, tjetra spanjolle. Lidhur me të parën, të realizuar në Itali në bashkëpunim me Gjermaninë, dhe që ndër të tjera kishte në shënjestër Arben I., “nuk çoi në asgjë”, argumentoi avokati. Për këtë arsye, ai kërkoi nga gjykata që të zbatohet parimi i non bis in idem, ose fakti që nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtat fakte.

Në alternativë, z. Vergauwen kërkoi që prokurori publik të urdhërohej të plotësonte dosjen e tij. “Ju nuk mund të krijoni një bindje bazuar në një përmbledhje të përkthyer dobët 174 faqesh të dosjes spanjolle,” iu drejtua ai gjykatës.

Më 18 prill, prokurorja kërkoi dënimin me 10 vjet burg për Arben I., të cilin e konsideron si ndërmjetës mes kushëririt të tij, Alfredo H., një nga dy drejtuesit e dyshuar të organizatës kriminale, dhe atyre të një organizate të ngjashme. me qendër në Majorka. Ajo pohoi gjithashtu se ai ka vepruar si ndërmjetës mes Alfredo H. dhe investitorëve në Shqipëri për pastrimin e parave të pista, me mbështetjen e politikanëve të lartë. Në dosje citohet emri i kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Pas këtij lajmi, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Në platformën “X”, Bardhi shprehet se kjo është një provë e qartë e lidhjes së Edi Ramës me krimin e organizuar.

“Një tjetër media serioze belge deklaron se në procesin kundër trafikantëve të drogës në Bruksel, del emri i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama! Përmes investimeve strategjike, synohej pastrimi i parave të pista të trafikut të drogës.

Kjo është arsyeja pse në Shqipëri hetimet për përgjimet e SKY ECC janë bllokuar! Shqipëria nuk mund të turpërohet nga lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar”, tha Gazment Bardhi.