Aplikacion
Dhe këtë herë është përsëri “Nju Jork Tajms”, që ngre dyshime të forta se si Jared Kushner arriti të përfitonte si investitor strategjik ishullin e Sazanit, teksa flitet edhe për një projekt të dytë në Zvërnec.
Sipas medias prestigjioze amerikane, Qeveria e kryeministrit Edi Rama ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura në favor te Kushner, për të arritur te qëllimi i përfitimit të projektit dhe më tej zbatimit të tij, ku pretendohet ngritja e një superkompleksi luksoz.
Pak ditë më parë ishte investitori arab Mohamed Aalabar që braktisi investimet në Bjellorusi duke i nxjerrë në shitje aksionet, që t’i bashkohej projektit të Kushner në Serbi dhe ndoshta në Shqipëri. Aalabar ndërkohë ka përfituar projektin “Marina Durrës” në port nga qeveria shqiptare, për të cilin janë ngritur edhe hije dyshimi financiare.
Më poshtë pjesë nga shkrimi:
“Në Shqipëri, aty ku Kushner po negocionon marrjen e një ishulli shtetëror për të ndërtuar një resort luksoz, qeveria ka modifikuar disa ligje për të lehtësuar ndërtimin e Kushner. Ligjet e ndryshuara nga qeveria shqiptare lejojnë ndërtimet e njësive rezidenciale turistike në zonat e mbrojtura dhe zonat bregdetare.
Një zëdhënës i kryeministrit shqiptar Edi Rama tha se ndryshimet ligjore nuk janë bërë për të favorizuar specifikisht Kushner. Në një intervistë vetë Kushner tha se ai nuk ka lobuar në Shqipëri për ndryshime ligjore, por e quajti si një shenjë nga qeveria për të promovuar ekonominë turistike.
Problemi, thotë Steven L. Schooner, profesor juridik në Universitetin George Washington dhe ish-avokat i Shtëpisë së Bardhë, është se edhe nëse Kushner nuk kërkon qëllimisht favore nga qeveritë e huaja, ai mund t’i marrë ato.
“Ka shumë qeveri të huaja që do të donin të shiheshin në mënyrë të favorshme nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha z. Schooner. “Lidhja në marrëveshje biznesi me dhëndrin e presidentit të ardhshëm është një mënyrë për ta arritur këtë”.
Kushner tha se ai është i bindur se nëse zoti Trump rizgjidhej, të gjitha vendimet që merrte vjehrri i tij do të bazoheshin në atë që ishte më e mira për vendin, jo në ndonjë interes të biznesit familjar. Ai shtoi se asnjë favor ndaj tij nga asnjë qeveri e huaj nuk do të pranohej.
“Nëse ata mendojnë se do të kenë trajtim të veçantë nga Trump sepse po bëjnë një marrëveshje me mua, e kanë gabim”, tha ai. “Kjo do të ishte marrëzi”. /ZOOM.AL/