Aplikacion
Rasti i kriminalizimit të administratës më të lartë të Bashkisë së Tiranës, është një tjetër provë për të parë nëse këtë herë “heronjtë e drejtësisë së re” do të guxojnë ta nxjerrin këmbën nga rrethi. Në të kundërtën do të shndërrohen në anekdotë, që nga misionarë përfunduan në kopshtarë të oborrit të pushtetit.
Në aferat më skandaloze të qeverisë Rama, SPAK nuk tentoi kurrë të hetojë procedurat që çuan në abuzime të frikshme si ato të inceneratorëve, konçensioneve në shëndetësi apo tjetërsimeve të pronës publike. Prokurorët u mjaftuan me bishtat fundorë për të evituar kupolën e organizatës kriminale të Rilindjes. Shprehja e Edi Ramës për ata që mbledhin dardha e mollë pas shpinës së tij, ishte si një formulë magjike që SPAK t’ia vinte vetes me ndërgjegje kufirin te thana.
Mirëpo, drejtësia e re nuk do duhej ta kishte raportin me pushtetin, por me publikun, interesin dhe paratë e të cilit ka marrë përsipër të mbrojë. Nëse pas shpinës së kryeministrit ka ministra që mbledhin fruta pa leje, nëse pa shpinës së ministrave ka drejtorë që mbllaçisin po ashtu fruta pa leje, kur kjo filozofi aplikohet edhe në bashkinë më të madhe të vendit, atëherë ky nuk është më problem i pushtetit, por i drejtësisë që ose i merr shqiptarët për budallenj ose përfundimisht i ka dorëzuar armët tek ata që kontrollojnë qindra milionë euro, me të cilat janë të aftë të blejnë gjithçka e këdo. Sepse fabulën e ujit që buron i kulluar por turbullohet rrugës, sot nuk ka njeri që mund ta përtypë më.
A mund ta besojë dikush që disa ministra u mblodhën në fshehtësi dhe ia hodhën kryeministrit me një projekt që shkonte deri në 430 milion euro? Që ata bënë të gjitha procedurat në kohë rekord, zgjodhën një kompani pa pikë përvoje, dhanë leje e miratuan vendime dhe ky i shkreti, i vuajtur nga dëshira për ta parë Shqipërinë e pastër, hodhi firmën fap e fap, vktimë e naivitetit dhe mirëbesimit tek njerëzit që varen prej tij?
Deri më tani, SPAK, duke i vënë kapak aferës së inceneratorëve, po dëshmon se e beson rrëfimin e ujit të kulluar. Problemi është se ky rrëfim po kthehet në pandemi që ka pllakosur gjithë Rilindjen. Ministrat në detyrë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për drejtorët e tyre më të rëndësishëm që kapen me presh në duar. Kryetari i Bashkisë ndihet i qetë, kur gjithë struktura e lartë nën drejtimin e tij del e kriminalizuar. Me logjikën ç’punë kam unë me ata që vjedhin poshtë meje, mund të shtyjnë ditët përgjegjësit e vërtetë, por jo SPAK.
Prokurorët nuk janë alienë që jetojnë në një planet tjetër. Ata e dinë, kanë dokumente, informacione, komunikime, që një batërdi e tillë 10 vjeçare nuk është vepër e mbledhëse të mollëve e dardhave. Nuk janë ata që ndajnë plaçkën e pushtetit, që përzgjedhin kompanitë zhvatëse të parasë publike, që ngrenë shtabet elektorale për të blerë vota, që paguajnë mediat dhe gazetarët e propagandës, që derdhin miliona te lobistët, që vënë kompasin mbi hartat e pronave dhe që së fundi bëjnë edhe regjinë e drejtësisë së re. Një kriminalizim të tillë, asnjë budalla nuk ua faturon dot disa drejtorëve bedelë, ingranazhe të mjera të një makinerie mjeshtrash pushteti.
Nëse SPAK u ngrit për të luftuar krimin e organizuar, sot nuk ka organizatë më kriminale se sa Rilindja që përvetësimin e parave të qytetarëve e bën hapur dhe me arrogancën e një pushteti të pacënuar. Emrat e ushtarëve të organizatës që sfilojnë para drejtësisë së re, janë statistika që shërbejnë për të kamufluar kupolën, që SPAK nuk merr kurajon t’i afrohet. Cila kompani mund të fitonte miliona euro në Bashkinë e Tiranës, vetëm me ndërhyrjen e dy- tre drejtorëve? Si mund të depërtonte një person privat në sistemin që përcakton kriteret e tenderimeve dhe të shpallte veten fitues? Ku përfundonin milionat që u grabiteshin sistematikisht qytetarëve?
SPAK sigurisht që i di përgjigjet e këtyre pyetjeve. Duke mos jetuar në një planet tjetër, por këtu ku jetojnë të gjithë, prokurorët janë të qartë se si funksion organizata kriminale. Se si përdoren këto miliona në fushata elektorale, në investime me emra të fshehur, në shoqëri fiktive që sot kontrollojnë çdo qelizë të tregut gjoja të lirë. Çështja nuk është tek padija, sepse kupola as merr mundimin të fshijë gjurmët, por tek vullneti i prokurorëve të SPAK. Do të tentojnë të justifikojnë besimin që një pjesë naive ende ka, apo do të përfundojnë në një magazinë fruta- perimesh, duke pritur që ca mollë e dardha do të teprojnë edhe për ta. /Lapsi.al/
Kurti lavdëron jetëgjatësinë e qeverisë së tij, por kritikët vënë në dyshim rezultatet