zoom

Ide & Blog

Rreziku shqiptar për Amerikën

Nga Klodian Tomorri

Enver Hoxha shkroi tonelata me libra mbi rrezikun e madh anglo amerikan që i kanosej Shqipërisë së vogël komuniste. Por kohët kanë ndryshuar dhe bota është kthyer përmbys. Tani është Amerika e fuqishme që kërcënohet nga rreziku shqiptar.

Jo më larg se gjashtë muaj më parë, një kongresmen republikan nga Ohajo i quajtur Jim Jordan donte të hetonte çështjen McGonigal, përfshirë marrëveshjet e tij me Edi Ramën. Zoti Jordan i shkroi një sërë kërkesash për informacion FBI-së, por nuk mori asnjëherë përgjigje. Në fund ai akuzoi Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe demokratët e Joe Bidenit për obstruksionizëm.

Një javë më parë, një kongresmen demokrat i Merilendit me emrin Jamie Raskin kërkoi të miratonte një mocion për të detyruar Jared Kushner, që të dëshmojë në kongres mbi fondin 2 miliardë dollarë të përfituar nga arabët dhe marrëveshjet e tij në Serbi dhe Shqipëri. Ironikisht, njeriu që e bllokoi mocionin ishte Jim Jordan.

Pra ai që donte të hetonte Edi Ramën për çështjen McGonigal, bllokoi hetimin e Edi Ramës në çështjen Kushner. Nëse do të ketë sërish ndonjë kërkesë tjetër për hetim të Edi Ramës në SHBA, nuk do të jetë çudi që njeriu, i cili do ta bllokojë të jetë pikërisht Jamie Raskin. Bota e kthyer përmbys nuk është thjesht një metaforë. Shikoni faktet.

Në kohën që opozita dhe kritikët e qeverisë në Shqipëri ishin në kulmin e euforisë se afera McGonigal i kishte dhënë fund një herë e mirë aksesit të Edi Ramës në Shtëpinë e Bardhë, në Shqipëri mbërriti Sekretari i Shtetit Blinken, i cili e shpalli Edi Ramën udhëheqës të shquar dhe kryeministër model.

Zhgënjimi i madh McGonigal e la opozitën me një shpresë të fundit. Atë të rotacionit politik në SHBA. Dhe ndërsa Sali Berisha dhe drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike deklaronin publikisht se zgjedhja e Donald Trump si president në SHBA do të ndryshonte erën që fryn nga Shtëpia e Bardhë drejt Shqipërisë, Edi Rama u serviri në pjatë argjendi dhëndrrin e Trump, Sazanin dhe Grenellin.

Panorama e madhe këtu është se Edi Rama arrin të bëjë deale me të gjitha krahët e politikës amerikane. Dhe këtë nuk e ka bërë askush deri më sot. As Putini, as Xi Jinpingu apo as edhe Irani.

E ndërsa fuqitë rivale mundohen të ndikojnë zgjedhjet në SHBA përmes sulmeve kibernetike apo metodave të tjera të sofistikuara Edi Rama e bën manualisht. Përmes dealeve.

Deri më sot ndërhyrja e vetme publike nga jashtë në një proces zgjedhor amerikan ka ardhur nga kryeministri i Shqipërisë, kur quajti Donald Trumpin një turp dhe fatkeqësi kombëtare për SHBA-të në kulmin e fushatës elektorale me Clinton. Tashmë që zgjedhjet po afrojnë sërish duket se qeveria e Shqipërisë, dmth Rama, po bën marrëveshje me kampin e Trumpit.

Ndaj, sado qesharake të duket, nëse ka ndonjë rrezik të madh për influencë të jashtme në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara që po afrojnë, kërcënimi kryesor nuk është Rusia. As Irani apo Kina. Deri më tani kërcënimi kryesor potencial duket Shqipëria e Vogël. Fuqia e së cilës me sa duket buron nga adhurimi i amerikanëve për Ben Franklinin, imazhi i të cilit është përjetësuar në kartmonedhën e hijshme 100 dollarëshe.

Putini dhe të tjerët të mbajnë shënim se kanë shumë për të mësuar. Nga manuali se si kompromentohet një agjent i lartë FBI-je deri tek blerja e krediteve në të dy krahët e politikës amerikane.