Aplikacion
Ai thotë se ka punuar shumë me veten për ta kontrolluar zemërimin dhe impulsivitetin, por sa herë dikush i plas në fytyrë ndonjë aferë të dyshimtë të qeverisë së tij, kërcen pupthi si t’i kenë rënë këmbët në prush.
Sot u detyrua ta ndërpresë komunikimin me gazetarët dhe të largohet pa dhënë përgjigje teksa po pyetej nga gazetarja Ambrozja Meta për dy projekte të dyshimta: portin e Durrësit dhe atë të Sazanit.
Gazetarja e pyeti nëse edhe Sazanin do t’ia jepje Jared Kushner -it pa taksa, siç i dha portin e Durrësit biznesmenit aram Mohammed Alabbar. E pyeti po ashtu nëse a do t’ia falte Kushenerit tokën e Sazanit për të ndërtuar vila luksoze ashtu siç i fali 800 mijë m2 tokë Albbarit për të ndërtuar pallate.
I kujtoi se Alabbari nuk po bën ndonjë investim në Portin e Durrësit, por po shet pallate në gropë, ende pa u hedhur themelet. Për Marinën turistike as që po flitet më.
Këtu e humbi argumentin bashkë me qetësinë dhe tentoi ta kapte nga faqet, si për t’i treguar se sa e vogël është gazetarja përballë punëve të mëdha që ka qeveria dhe ai vetë, punë të cilat nuk i kupton.
Sikleti i kryeministrit në këtë rast ishte i ngjashëm me kohën kur një tjetër gazetar, Armand Shkullaku, i thoshte në sy se inceneratorët ishin një aferë korruptive, sepse as digjini plehra e as prodhonin energji siç pretendonte kryeministri. Në atë rast iu çua gazetarit në fytyrë në një studio televizive.
Ishte i ngjashëm edhe me rastin kur gazetari Alban Dudushi i përmendi kanabizimin e vendit dhe ai u çua nga karrigia në studio dhe i doli kameras përpara duke u përbetuar se nuk ishte narkotrafikant.
Kanabisi dhe inceneratorët çuan në burg të paktën dy ministra, ndërsa shqiptarët panë gjatë gjithë kohës investimin e drejpërdrejtë të kryeministrit të vendit të tyre duke u thënë se ato ishin “rrena” e “dokrra”.
Për Portin e Durrësit opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë t’i drejtohet edhe SPAK-ut. Ekspertët e saj ligjorë argumentojnë se në kontratë është favorizuar investitori arab dhe është dëmtuar shteti, janë shkeluar ligjet e kushtetuta për t’i dhënë kompanisë offshorë të Alabbar një trajtim të privilegjuar, gjë të cilën qeveria nuk e ka bërë në projektet e dy porteve të tjera, të Vlorës e Sarandës.
Denoncimet e opozitës dhe investigimet që po kryejnë disa media për këtë projekt duket se janë shqetësimi i radhës i kryeministrit. Ai, siç shihet, po tenton ta mbrojë me çdo kusht, njësoj siç mbronte inceneratorët dhe kanabizimin, sepse tani e di se, pavarësisht sesa mund të investohet sot, duke iu rikthyer edhe komunikimeve e sjelljeve joetike me gazetarët, nesër mund t’i dalin miq, shkokë e bashkëpunëtorë të tjerë që i kanë “ngrënë kumbulla pas shpine” edhe për Durrësin apo Sazanin. /Zoom.al