Aplikacion
E bija e ish -presidentit amerikan Donald Trup, i cili rikandidon në nëntor për në Shtëpinë e Bardhë, ia kishte vënë syrin një prej zonave më të bukura të jugut të Shqipërisë.
Përmes kompanisë së bashkëshortit të saj, Affinity Partners, ajo synon ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin.
Kompania e mbështetur nga Arabia Saudite dhe me bazë në Miami është në diskutime të avancuara për të zhvilluar tre projekte ndërtimi në Ballkan, të cilat mund të kalojnë 1 miliardë euro.
“Ajo planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, që më parë ishte shtëpia e një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman”, – ka bërë të ditur vetë Jared Kushner ditën e sotme.
Affinity Partners po kërkon gjithashtu të zhvillojë gadishullin e Zvërnecit, një rajon bregdetar me më shumë se tre milje plazhe me rërë të bardhë të thellë.
Kompania planifikon të shtojë disa resorte kryesore në zonë, me afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli.
“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacenuara dhe unike që kam parë kudo në botë,” deklaroi sot Jared Kushner, mëson Zoom.al.
Duke hulumtuar me miqtë e tij Ric Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.
Grenell e vizitoi jugun e Shqipërisë verën e kaluar bashkë me Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të cilët pozuan edhe në një foto me kryeministrin Rama (shih foton sipër).
Zoom.al shkroi që në atë kohë që synimet e treshes ishin të gjenin mundësi për të marrë një pjesë të bregdetit të jugut, ndonëse pakkush do të besonte që kryeministri shqiptar, Edi Rama, do t’u jepte mundësi “armiqve politikë” të mikut të tij më të ngushtë, George Soros.
RAMA – SOROS – BIDEN, MIQËSIA NË RREZIK?
Kryeministri Rama e pati sulmuar drejpërdrejtë ish -presidentin Trupm në fushatën e tij të parë presidenciale, duke thënë se zgjedhja e tij në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një rrezik për botën dhe e cilësoi Trump si “turp për civilizimin tonë”.
“Zoti na ruajt! (nëse të zgjidhet Trump). Besoj se do të dëmtonte edhe SHBA-në dhe botën demokratike, pasi do të detyrohet të bëjë disa nga gjërat që premton. Dhe kjo do të ishte shumë e dëmshme” – do të deklaronte Rama në CNN.
Në Shtetet e Bashkuara, këto sulme u komentuan si të porositura nga Soros.
“E dini që këtë javë ishte në Uashington miku i ngushtë i George Soros, i cili ka qenë i ftuar nderi në dasmën e tij. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takime në Shtëpinë e Bardhë. Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama i cili është në krye të një parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin. Ne duhet t’u themi këtyre liderve europianë që të mos fusin hundët në politikën tonë të brendshme”, do të shprehej ish -zëdhënësi i Pentagonit Jeffrey D. Gordon.
Tani që Trump ka shumë mundësi të rizgjidhet, siç tregojnë të gjitha sondazhet amerikane, qëndrimi i Ramës duket se ka ndryshuar. Trump jo vetëm që nuk është rrezik, por atij, përmes familjes, po i hapet edhe një mundësi e artë për të investuar, ndonëse, siç thonë prokurorët në SHBA, ai ka precedentë në pagesën e taksave.
A janë në dijeni të kësaj Soros dhe presidenti Biden, që ka mbështetjen e fortë të Soros në këto zgjedhje presidenciale? Dhe a do të ndikojë një afrimitet i mundshëm i Ramës me Trump në rast të dhënies së këtyre projekteve miliarda dollarëshe dhëndërit të tij, në miqësinë Rama – Soros?
Ajo që kryeministri Rama ka treguar deri tani është se ai di më kë dhe kur duhet të bëje biznes dhe zakonisht ai në këtë zgjedhje nuk bëjnë pjesë ata që nuk janë në pushtet. Dhe për të marrë përgjigjen e këtyre pyetjeve duhen pritur padyshim rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA. Nëse Trump nuk fiton, s’është çudi që projektet të ndryshojnë.
KUSH ËSHTË JARED KUSHNER
Kushner jo vetëm që është dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, por ai ka shërbyer edhe si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi Affinity, i cili tani ka asete prej 3.1 miliardë dollarësh.
Kompania e Kushner u mbështet nga investitorë të mbështetur nga Arabia Saudite, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Ai po shikon gjithashtu mundësi për të investuar në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.
Kushner luajti një rol kyç në Marrëveshjet e Abrahamit që normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa kombeve arabe në vitin 2020. Ai ka treguar se nuk do të bashkohet me një administratë Trump nëse kandidati i supozuar republikan fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor.
Një projekt i tretë i tij në Ballkan synon të transformojë tre blloqe në zemër të kryeqytetit serb Beograd në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1500 rezidenca. Zona historike, që për zhvillim duhet të marrë dakordësinë e mikut të Ramës, presidentit Aleksandër Vuçiç, ka qenë e zbrazët që nga bombardimi i NATO-s në prill 1999 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të ish-Qeverisë së Jugosllavisë. /Zoom.al
View this post on Instagram