zoom

Aktualitet

“Flakë në det”, Rrumbullaku: Trafik droge në Patok, arrestohet shefi i policisë Laç. 3 në kërkim

Policia e Shtetit ka zbuluar disa prej emrave të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës, në kuadër të operacionit ‘Flakë në det’.

Kreu i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, bëri me dije se masa ‘arrest me burg’ është lëshuar për shtetasit; Gëzim Çela, Arben Dalipaj, Roland Guzo si dhe Dritan Meta, shef i policisë Laç. Këta persona akuzohen për trafik droge.

Ndërkohë, ekzekutimi i masës në fjalë, është bërë vetëm për efektivin Meta, ndërsa personat e tjerë janë jashtë vendit.

Sipas drejtori të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut, gjithçka nisi pas zbulimit të një rrjeti të trafikut të drogës në Lagunën e Patokut, ku u pikasën dy mjete lundruese që shkëmbenin ‘mallin’.

Sipas policisë, shtetasit që ndodheshin në velierë, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues, ndërsa personat që ndodheshin në bord, janë arrestuar. Po ashtu janë sekuestruar 23 kg drogë dhe një shumë e madhe parash.

“Operacioni i koduar ‘Flakë në det’, i finalizuar në bazë të inteligjencës policore, në bashkëpunim me policinë italiane. Ky operacion filloi pas njoftimit për lëvizjen e një mjeti lundrues nga Laguna Patoku në jug-perëndim. Ky mjet ka kontaktuar në det një tjetër mjet, dhe dy personat në dy mjete kanë shkëmbyer lëndë narkotike. Shtetasit në Velierë kur kanë konstatuar policinë, i kanë vënë zjarrin velierës dhe kanë tentuar të largohen me një barkë, por janë kapur në flagrancë. Po ashtu janë arrestuar 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas. U sekuestrua, 2 armë zjarri, një shumë e majme parash, 25 celularë dhe 23 kg drogë e gjendur në det”, tha ai.