zoom

In Zoom

Porti i Durrësit, drejt dështimit. Nuk mund të nisë pa u mbaruar porti i ri në Porto Romano

Kompania arabo-shqiptare “Durrës Marina” vazhdon të joshë qytetarët nëpërmjet reklamave në media e internet që të blejnë apartamentet që ajo parashikon të ndërtojë në portin e ri të Durrësit.

Pamje 3D me ndërtesa, hotele e lokale luksoze të dalin përpara thuajse sa herë klikon mbi një faqe në internet.

Por projekti 2.2 miliardë dollarërsh për ndërtimin e 13 mijë apartamenteve dhe më pas të portit të Jahteve është drejt dështimit.

Punimet parashikojnë pezullimin aktivitetit të një sërë kompanish mes të cilave edhe të koncesionit gjerman të përpunimit të anijeve të mallrave, ku operon kompania EMS APO.

Kjo kompani ka një kontratë 35-vjeçare me shtetin shqiptar, të lidhur në vitin 2013 dhe do të duhet të operojë edhe për 25 vjet të tjera, deri në vitin 2048.

Pak ditë më parë, më 29 korrik, hyrja e saj u bllokua nga Autoriteti Portual i Durrësit pa asnjë paralajmërim, ndërsa EMS APO ka nisur prej kohësh një betejë ligjore në gjykatat shqiptare dhe në Arbitrazhin Ndërkombëtar, se projekti i “Durrës Yacht Marina” cënon drejpërdrejtë aktivitetin e saj.

“Sot, më datë 29.7.2023, në ora 07:00 u konstatua hyrja pa autorizim nga operatori koncesionare të forcës së sigurisë portuale, e drejtuar nga Drejtori Ekzekutiv i saj Pirro Vengu dhe subjekti privat “Elmazaj Shpk” duke zaptuar një pjesë të terminalit e cila ndodhet në zonën koncesionare dhe për të cilën nuk ka një marrëveshje për këtë qëllim.

Subjekti EMS-APO ka depozituar denoncime si në SPAK për drejtorin e Autoritetit Portual për veprime të njëjta të ndodhura edhe më parë, por edhe në Policinë e Shtetit. Nga ndërhyrja dhe vendosja e barrierave prej betoni, është penguar aksesi në zyrat e administratës dhe aktiviteti i peshimit të kamionëve i cili është një hallkë e zinxhirit të shërbimeve që ofrohen nga operatori koncesionare EMS-APO. Subjekti po kryen ndërhyrje me mjete teknologjike duke vendosur kufizime prej betoni në zonën e koncesionit (shiko hartën dhe listën e aseteve të marra në dorëzim nga koncesionari)”, reagoi menaxheri i kompanisë, Florian Cimo.

Veprimet çuan një ditë më parë në port përfaqësues të ambasadës gjermane në Tiranë. Ambasada njoftoi se zëvendësambasadori Thilo Schroeter, që mban edhe pozicionit të Referentit të Ekonomisë, ishte në zyrat e kompanisë EMS Albanian Port Operator në Durrës “për të krijuar për të krijuar një ide mbi situatën e kompanisë”.

Mesazhi i gjermanëve ishte i qartë: “Kushtet e drejta dhe ligjore për investitorët e huaj janë thelbësore për perspektivën e Shqipërisë si vend për të bërë biznes dhe të ardhmen e saj si pjesë e tregut të brendshëm europian.”

Zëvendësambasadori gjerman Thilo Schroeter në Portin e Durrësit

Gjykata Kushtetuese nuk e mori në shqyrtim një ditë më parë një kërkesë të saj, por sidoqoftë vendimi do t’u shërbejë gjermanëve që ta përdorin në Arbitrazh, teksa kërkesën e kanë depozituar që në prill, duke kërkuar 40 milionë euro dëmshpërblim.

EMS APO ka sqaruar se qeveria po kërkon t’i mbyllë aktivitetin në Durrës dhe nuk i jep garanci as për të operuar në portin e ri në Porto Romano.

“Planet për portin e ri në Porto Romano – siç mund të nxirret nga burime publike – nuk përfshijnë një terminal për përpunimin e ngarkesave rifuxho, duke çuar në përfundimin se një zhvendosje e EMS-Fehn-Group/EMS APO në portin e ri publik nuk është parashikuar” –deklaroi pak ditë më parë CEO i kompanisë EMS APO, Manfred Mueller.

Manfred Mueller, CEO i EMS APO

Për më tepër, Mueller hedh dyshime se porti i ri tregtar në Porto Romano do të ndërtohet ndonjëherë, pasi – shpjegon ai – qeveria po i jep disa të drejta tregtare për përpunimin e mallrave portit MBM të grupit Kastrati, ndonëse porti MBM ishte parashikuar vetëm për shkarkimin e naftës dhe gazit.

“Përsa i përket portit të ri, ai është akoma në fazën e projektimit dhe vlerësimit të fizibilitetit dhe respektivisht nuk kemi ndonjë koment. Por ajo që mund të thuhet është se nuk mund të fillosh konvertimin e portit ekzistues tregtar pa pasur konkretisht një facilitet për t’u transferuar aktivitetet. Ndërkohë duke patur parasysh që aktualisht aktivitetet e portit Durrës po transferohen në portin MBM, kjo e bën akoma më me rezerva komentin për portin e ri. Edhe pse ky koncesion fillimisht u kufizua ekskluzivisht në përpunimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, ai u shtri në vitin 2020 në trajtimin e ngarkesave rifuxho dhe të përgjithshme – pikërisht llojet e ngarkesave që EMS APO ka të drejtë të trajtojë nën koncesionin e saj në Durrës.” – tha ai.

EMS APO ka vënë në dijeni kuvendin e Shqipërisë dhe kompaninë e Alabbar se projekti i portit turistik cënon aktivitetin e saj, por nuk ka marrë përgjigje.

Siç lënë të kuptohet drejtuesit e kompanisë gjermane, ata nuk do të largohen prej Portit të Durrësit pa u gjetur një vend alternativ për zhvillimin e aktivitetit.

“EMS ende nuk është informuar për pasojat që kjo do të ketë në të ardhmen e biznesit të saj dhe nëse do t’i caktohet një vendndodhje alternative për vazhdimin e aktiviteteve të saj të biznesit” – deklaroi kompania.

Derisa kjo çështje të zgjidhet, projekti i portit turistik ka pak gjasë të përparojë.

Me ndërhyrjen edhe të ambasadës gjermane në Tiranë, çështja pritet të shndërrohet në një problem mes Tiranës dhe Berlinit.

EMS APO, siç bëjnë të qartë drejtuesit e saj, nuk ka ndër mend të heqë dorë nga konçesioni dhe kërkon që ta vazhdojë aktivitetin në portin e ri që parashikohet të ndërtohet në Porto Romano, për të cilin deri tani nuk është bërë asgjë konkrete.

Pa ndërtimin e këtij porti, që parashikohet në 500 milionë euro kosto, dhe zhvendosjen e aktivitetit tregtar atje, 13 mijë apartamentet e Alabbar dhe porti i Jahteve, vështirë se do të mund të realizohen edhe në terren ashtu si në letër. /Zoom.al

Postime të lidhura