Aplikacion
Por bashkë me portin e Durrësit, qeveria ka dhënë për ndërtim me koncesion edhe portin e Vlorës dhe atë të Limionit në Sarandë.
Zoom.al i ka parë të treja kontratat dhe sjell në mënyrë të detajuar se ku ndryshojnë ato.
“MARINA & JAHTE DURRËS”
Kontrata për portin e Durrësit është e paprecedent. Forma dhe bashkëpunimi i saj nuk janë rregulluar me akte ligjore apo nënligjore specifike. Ndërsa procedura nuk i është nënshtruar një gare konkurruese. Nuk ka transparencë mbi negociatat e zhvilluara për përfitimet që do të ketë shteti.
Si u arrit deri te votimi në parlament.
Në vitin 2020 qeveria ratifikoi në parlament, me ligjin 145/2020, marrëveshjen “Për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”.
Një vit më vonë, në 2 dhjetor 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike (“KIS”) me Vendimin Nr. 14/6 i dha kompanisë offshore “Symphony Invest Limited” statusin e investitorit strategjik, duke e njohur projektin e portit të Durrësit si investim strategjik.
Por “Symphony Invest Limited” nuk mund të ishte subjekt i marrëveshjes, për shkak se marrëveshja ishte lidhur mes Shtetit Shqiptar dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe “Sympohy nuk ishte kompani e regjistruar në këtë shtet, por në ishujt e parajsave fiskale, Kajman.
“Symphony” kërkon pjesëmarrjen e qeverisë në projekt, bazuar në ligjin me numër 55/2015 dhe VKM me numër 1030 po të vitit 2015, por kjo VKM parashikon që shteti duhet t’u përmbahet rregullave të transparencës dhe konkurrencës për të tilla raste, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Në vazhdën e projektit, qeveria miratoi një VKM me numër 861 më 29 dhjetor të vitit. 2021 për t’i transferuar 809,029 m2 pronë e paluajshme shtetërore në fondin e pasurive të paluajtshme për investimet strategjike, për llogari të “Durrës Yachts & Marina”.
Përjashtimi nga taksat dhe aspekte të tjera financiare
Edhe pse marrëveshja u nënshkrua me “Symphony” procedurat vijuan me “Eagle Hills Real Estate Development”, një tjetër kompani offshore. Qeveria, si partnere në biznes, krijon një shoqëri “Albanian Seasport Development Company” për t’i dhënë 809,029 metrat katrorë të tokës shtetërore guackës “Eagle Hills”, përfshirë strukturën portuale ekzistuese në portin e Durrësit.
Shoqëria e krijuar për realizimin e projektit përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infratrukturë për ndërtime te reja dhe kontributin e strehimit social, sipas legjislacionit në fuqi për sistemin e taksave. Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes.
Shpenzimet për Projektimin apo çdo shpenzim tjetër qe lidhet me projektimin që është bërë deri tani do të vlerësohet si 3% e vlerës totale të ivnestimit dhe shpenzimi do të mbulohet nga “Eagle Hills” dhe Albanian Seasport”, në raport me pjesemarrjen në shoqerinë që do të zhvillojë projektin – 67% Eagle Hills dhe 33% Albanian Seasport.
Por marrëveshja mes tyre nuk paraqet garanci për ndërtimin e Marinës nga Investitori duke qenë se parashikimi në marrëveshje le hapsirë që investitori mund mos ta zhvillojë Marinën dhe ky fakt nuk shoqërohet me penalitete për të.
Afatet se kur do të realizohet Marina dhe kur do të përfundojë ndërtimi i saj janë të paqarta.
Investitorët e huaj që blejnë drejtpërdrejt nga prona e Investitorit Strategjik në Projekt, do të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe/ose rezidencën e përhershme të Republikës së Shqipërisë bazuar në blerjen e tyre nga Investitori Strategjik, nëse kjo shumë e blerjes përmbush kriteret, kushtet dhe regjimin specifik që do të përcaktohet nga një vendim i Këshillit të Ministrave në bazë të kësaj Marrëveshjeje dhe të plotësimit të kritereve të kërkuara nga Legjislacioni i Zbatueshëm. E njohur si “pasaportat e arta” kjo praktikë është kundështuar fuqishëm nga Bashkimi Europian.
Marrëveshja nuk ka bashkëlidhur një Masterplan të dakortësuar ku të paraqitet konkretisht apo të paktën konceptualisht se ku do të jetë Marina, zonimet e projektit etj. Por investitori mund ëe ndryshojë specifikimet e projektit sipas rastit sa herë ta shohë të arsyeshme, duke i lënë vend mospërmbushjes së vlerës së investimit, planit të biznesit etj.
Shteti dhe “Eagle Hills” kanë rënë dakord që Investitori Strategjik të përfundojë ndërtimin dhe zhvillimin e Projektit, Fazën 1 dhe Fazën 2, brenda 20 vjetësh. Marina është lënë të ndërtohet në Fazën 2 të projektit dhe punimet mund të nisin shumë vite më vonë.
Marrëveshja nuk përmban penalitete të qarta për investitorin “Eagle Hills” në rast të mos përmbushjes në kohë dhe në cilësi të Projektit apo në rast të tërhqjes së tij nga investimi.
MARINA LIMION – SARANDË
Dy kompani shqiptare, “Kastrati Group” sh.a. dhe “Edil-Al-It” sh.p.k. paraqitën në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë një Propozim të Pakërkuar për Ndërtimin dhe Operimin e një Marine Turistike, në Portin e Limionit, në Sarandë.
Procedura u zhvillua me një garë të hapur dhe një njoftim u publikua në faqen zyrtare të APP-së, ku u publikuan edhe të gjitha dokumentat e garës.
Por edhe pse gara qe e hapur, në të mori pjesë vetëm bashkimi i dy operatorëve. Më 1 korrik 2022 qeveria miratoi me VKM numër 515 Kontratën e Koncesionit.
Thuajse në të njëjtën periudhë, një bashkim tjetër operatorësh, Kastrati Group dhe Concord Investment shpk, që kanë të njëjtët përfitues fundorë, aplikoi për marrjen me qira të një sipërfaqe toke shtetërore rreth 265 hektarë po në portin e Limionit. Aplikimi u miratu dhe 265 hektarë iu dhanë këtij bashkimi operatorësh me vlerën 1 euro, me një kontratë mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkimit të Shoqërive.
Kjo Kontratë u miratua me VKM Nr. 514, datë 1.7.2020,
Aspektet financiare të kontratës
Bashkimi i Operatorëve Kastrati Group” sh.a. dhe “Edil-Al-It” gëzon një Kontratë Koncesioni për Ndërtimin dhe Operimin e Marinës Limion sipas së cilës, koncesionari duhet të investojë për ndërtimin e një marine bashkëkohore.
Shpensimet e projektimit apo çdo shpenzim tjetër që lidhet me projektimin do të mbulohet nga koncesionari.
Kontrata ka afat 35 vjet për ndërtimin dhe operimin. Kompania koncesionare i paguan shtetit një tarifë koncesioare prej 2% të të ardhura vjetore. Investitori do të paguajë të gjitha taksat dhe tatimet e parashikuara në legjislacion, përfshirë taksën e ndërtimit.
Koncesionari merr përsipër riskun për realizimin e investimit dhe ai penalizohet rëndë nëse nuk përmbush në kohë dhe në cilësi investimin e parashikuar.
Shteti nuk mbart asnjë risk financiar në rast të mos realizimit të investimit në kohë apo në cilësi apo në rast të tërheqjes së Koncesionarit nga Investimit. Përkundrazi ka të drejtën të vjelë penalitete dhe të tërheqë garancitë bankare të depozituara.
Qeveria Shqiptare nuk ofron asnjë ndihmë dhe asnjë angazhim financiar për infrastrukturën ndihmëse që mund t’i duhet koncesionarit.
Në sipërfaqen e marrë me qira, koncesionari detyrohet të realizojë investime në vlere rreth 53.000.000 Euro dhe të punësojë minimalisht 35 punonjës.
MARINA VLORË
Në vitin 2020, Bashkimi i Operatorëve Marina di Valona-një kompani shqiptare dhe dhe Marina Project Ltd – një kompani me qendër në Britaninë e Mahe, paraqitën pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Propozimin e Pakërkuar, për marrjen me Koncesion të një pjese të territorit të Portit të Vlorës.
Gara u bë e hapur. Në këtë procedurë konkurruan 3 subjekte, nga të cilët pas vlerësimit të Ofertave në Shkurt 2021 fitues u shpall Bashkimi i Shoqërive (JV) “Marina di Valona” sh.p.k, “Marina Projects” ltd; “Brunes” sh.p.k, “Ndregjoni” Sh.p.k
Pas konfirmimit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Komiteti i Investimeve Strategjike, në përputhje me nenin 17 të Ligjit për Investimet Strategjike, miratoi statusin Investim Strategjik për projektin Marina Vlorë.
Më 13 tetor 2021, Këshilli i Ministrave miratoi me VKM -në numër 599 kontratën e qirasë me vlerë 1 Euro.
Aspektet financiare
Bashkimi i Operatorëve gëzon një kontratë Koncesioni për Ndërtimin dhe Operimin e Marinës Vlorë sipas së cilës koncesionari duhet të investojë për ndërtimin e një marine bashkëkohore me rreth 498 poste parkimi të Jahteve të dimensioneve të ndryshme, duke ndërtuar gallgëthyes me qëllim mbrojtjen e portit të Vlorës, që konsiderohet një port i hapur.
Investimi është parashikuar të jetë në vlerën e 37 milionë eurove.
Të gjitha shpenzimet për Projektimin apo çdo shpenzim tjetër që lidhet me projektimin do të mbulohen nga Koncesionari. Kontrata Koncesionare ka një afat total prej 35 vitesh, të cilat përfshijnë periudhen e ndërtimit dhe të operimit.
Koncesionari i paguan shtetit një tarifë koncesionare prej 2% të të ardhurave vjetore çdo vit. Investitori i nënshtrohet të gjitha taksave dhe tatimeve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi duke i paguar tek institucionet përgjegjëse.
Risku për realizimin e investimit është plotësisht i koncesionarit dhe ky i fundit vuan penalitete të rënda në rast se nuk përmbush në kohë dhe në cilësi investimin e parashikuar.
Shteti nuk mbart asnjë risk në financiar në rast të mos realizimit të investimit në kohë apo në cilësi apo në rast të tërheqjes së Koncesionarit nga Investimit. Përkundrazi ka të drejtën të vjelë penalitete dhe të tërheqë garancitë bankare të depozituara.
Qeveria Shqiptare nuk ofron asnjë ndihme dhe asnjë angazhim financiar për infrastrukturën ndihmëse që mund t’i duhet koncesionarit.
Sipas kontratës për përdorimin me qira të territorit prej 57.000 m2, koncesionari do ta përdorë këtë territory për 20 vjet dhe më pas ia kthen shtetit, së bashku me investimin.
Në këtë territor, qiramarrësi është i detyruar të realizojë investime në vlerë rreth 85.000.000 Euro dhe të punësojë minimalisht 100 punonjës.
NDRYSHIMET THELBËSORE
Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.