zoom

Të gjitha

Shqipëria i merr Kosovës Sunny Hill/ Politikanët shpërthejnë në akuza ndaj Albin Kurtit

Festivali ikonik i Prishtinës “Sunny Hill” do të organizohet në Tiranë për herë të parë. Këtë lajm e bëri të ditur vetë Dukagjin Lipa, ditën e djeshme me anë të një postimi. Lajmi i mirë është që kryeqyteti ynë do të mirëpresë këtë festival të rëndësishëm, duke sjellë disa nga emrat më të njohur të muzikës botërore të cilët do të performojnë. Por ky vendim nuk është pritur mirë nga Kosova. Jo vetëm kaq, së fundmi edhe disa nga emrat më të rëndësishëm të politikës së Kosovës kanë reaguar.Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku, Besnik Tahiri, Vlora Çitaku dhe Lutfi Haziri janë disa prej politikanëve që kanë reaguar në lidhje me anulimin e “Sunny Hill”.

Në reagimin e tij në Facebook, Memli Krasniqi deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, u shpreh se e gjitha kjo erdhi si pasojë e mosfunksionimit të qeverisë.

“Në secilin shtet tjetër të botës, një artiste kulmore si Dua Lipa, do të trajtohej si aset e pasuri. Por, fatkeqësisht, jo edhe në Kosovë.Është krejt e pabesueshme, por, Qeveria po e përzë nga Prishtina një ndër iniciativat më të mëdha dhe të suksesshme artistike, “Sunny Hill” Festival. Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti i mbyllën derën të vetmit festival të muzikës me përmasa botërore në vendin tonë. Ky veprim, më shumë se gjithçka, tregon për xhelozinë e sëmurë, injorancën e thellë, e kompetencën e munguar të komplet një Qeverie e cila secilën ditë po na sjell një skandal më të madh se tjetrin. Turp,”-shkruan Krasniqi.

Nga ana tjetër me rezerva të mëdha për qeverinë e Albin Kurtit është shprehur edhe Lumir Abdixhiku i cili mban postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kjo qeveri nuk di të krijojë e ndërtojë, por ajo nuk i lejon as të tjerët të krijojnë e ndërtojnë. Sot, refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë.Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do”- u shpreh  Abdixhiku.

Mesa duket anullimi i festivalit “Sunny Hill” nxorri në pah ankesat e zyrtarëve kosovarë mbi mosfunksionimin e qeverisë së vendit të tyre. Ka pasur edhe një reagim nga nënkryetarja e PDK-së, e cila e quajti anullimin e festivalit një sabotim të qëllimshëm të qeverisë.

“Dua Lipa është yll botëror! I mbushë stadiumet kudo në botë. Secili kryeqytet në botë kish me e pasë lakmi Sunny Hill Festival. Ama bash secili. Hiq ma larg se para pak ditësh, Kryeministri i Luksemburgut na foli në Dublin për Duan, Dugin, dhe dëshirën e tij për të ardhë ne festival në Prishtinë. Bile, me mburrje na e tregonte një foto me yllin tonë. Kosova ka nevojë për Duan, jo Dua për ne. Dështim dhe sabotim i qëllimshëm nga ana e Qeverisë”-shkruan Vlora Çitaku.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, po ashtu ka qenë në mesin e shumë figurave publike që ka reaguar për “Sunny Hill”. Në një shkrim të bërë në Twitter, eurodeputetja shprehet e mërzitur rreth lajmeve se këtë verë “Sunny Hill” nuk do të jetë në Kosovë.

“Jam shumë e mërzitur që Festivali Sunny Hill nuk do të mbahet këtë verë në Prishtinë”, tha ajo.  “Është një gabim strategjik pasi sjell njerëzit në Kosovë, promovon rininë e saj. Qeveria e Kosovës duhet të sigurohej që Sunny Hill 2022 të mbahet në Prishtinë, me shpresë se do të kthehet atje”, shtoi më tej von Cramon./L.K

/Zoom.al