zoom

Politikë

8 dhjetor ndryshe! Basha dhe Berisha, të ndarë në dy ceremoni të ndryshme

Sot përkujtohet 8 dhjetori, që ndryshe njihet dhe si Dita e Rinisë në Shqipëri. Liderët e PD-së ndër vite këtë datë e nderojnë me takime në qytet Studenti, vendi ku dhe të rinjtë u ngritën të bashkuar dhe u bënë nismëtarë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Ky është një vit ndryshe për demokratët, pasi prej muajsh vazhdojnë të jenë në një krizë politike të brendshme, ku ish-lideri historik Sali Berisha kërkon që ta rikthejë sipas tij PD-në në nivelet e mëparshme duke thirrur Kuvendin kombëtar me 11 dhjetor, ndërsa nga ana tjetër kryedemokrati e quan të paligjshëm këtë kuvend, duke u kundërpërgjigjur me një kuvend më 18 dhjetor.

Ndërkohë duket se dhe dita e Rinisë, dy figurat kryesore të PD-së do t’i gjejë të ndara. Kryetari aktual Lulzim Basha ka bërë me dije se me më 8 dhjetor do të zhvillojë një takim në ambjentet e ArTurbinës, ndërkohë Sali Berisha ka bërë me dije se një orë më pas do të jetë në qytet Studenti, në të cilin do të zhvillojë takim dhe homazhe te shtatorja e Azem Hajdarit.