zoom

Ide & Blog

Si t’i lexojmë të qarat e Edi Ramës për Brukselin

Reagimi i sotëm i kryeministrit shqiptar Edi Rama kundër komisioneres europiane për Inovacionin, Arsimin dhe Rininë, ngjalli jo pak habi. Jo për faktin se ai po kritikonte ashpër një zyrtare të lartë të Brukselit, por për arsyen përse po e ngrinte gjithë këtë furtunë diplomatike.

Edi Rama e akuzoi komisioneren Mariya Gabriela se ka futur hundët në fushatën elektorale në Shqipëri.

Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE! Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre!

Mesazhi është shumë i kuptueshëm dhe ndokush edhe mund t’i japë të drejtë kryeministrit shqiptar, teksa sheh që komisionerët e BE (Hahn pak ditë më parë) po marrin pjesë në prezantimet e programit të PD.

Por po të sjellësh në kujtesë se si është sjellë Edi Rama me zgjedhjet në vendet e tjera dhe sa shumë i ka futur ai hundët në këto çështje, është e kuptueshme që Rama nuk po shqetësohet se po shkelet një standard, por po qahet se e sheh veten në hall.

Në historinë e Shqipërisë ai ka qenë kryeministri i vetmë që është përfshirë drejpërdrejtë në fushata elektorale në vende të tjera, rajon e më tej.

Në vitin 2016, teksa Amerika po përgatitej për zgjedhjet presidenciale, ai do të sulmonte Donald Trump në CNN, teksa deklaronte se “Donald Trump ishte kërcënim dhe fatkeqeësi për Amerikën”.

Në prill të vitit 2017, ai do të akuzohej se u përfshi në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.

Në gusht të 2020 ishte qershia mbi tortë, teksa bëri thirrje publike për të votuar partinë e Milo Gjukanoviç dhe jo ndonjë parti shqiptare.

“Nuk do e bëja këtë nëse nuk do e ndeja thellësisht lidhjen e veçantë midis dy vendeve vëllazërore, partive tona simotra, dhe e them për të gjithë ju nga ana ime dhe e Milo Gjukanovic, për rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin, mbi vendimin që malazezët duhet të marrin në ditët që vijojnë. Do doja të flisja në gjuhën tuaj por di shumë pak, dua të falënderoj Milon që ekziston, jo vetëm për Malin e Zi por edhe për Shqipërinë e Kosovën dhe të gjithë rajonin”, ishte mesazhi i Ramës për socialistët e Malit të Zi.

Mjaftojnë këto raste për të kuptuar se nga burojnë të qarat e Edi Ramës, se lotët e tij nuk janë për dhimbjen se po shkelet një rregull i demokracisë, por dëshpërim për vetminë në të cilën e ka lënë Brukseli. /Zoom.al

Rama shpërthen kundër komisioneres së BE: Po fut hundët në zgjedhje me videomuhabete