zoom

Aktualitet

5 vjet për 1 urë, hapet më në fund kalimi në urën e re të Kukësit

Pas 5 vitesh punime, ura e Kukësit është e hapur për qarkullim.

Kryeministri Edi Rama njoftoi përfundimin e projektit në rrjetet sociale, duke shpërndarë disa foto të urës si duket sot.

“HAPET URA E MADHE e Kukësit, një vepër mbresëlënëse, e cila çliron përfundimisht qarkullimin e ngërçosur prej vitesh dhe i jep një përgjigje kuptimplotë të gjitha qyqeve që mbushën rrjetet sociale me vrer lajmesh të rreme, ndërkohë që po siguroheshin edhe akseset e komuniteteve përreth😍🦅🇦🇱

#KrenarPërShqipërinë🦅♥️
#VetëmPërpara➡️🇪🇺
#SHQIPËRIA2030🇦🇱”, tha Edi Rama.

Ura e Madhe mbi lumin Drin është projektuar nga inxhinieri italian Giorgio Rizzo. Ajo ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metrash, një lartësi prej 56 metrash dhe peshon rreth 5000 ton. Ura do të ketë 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës.

Ndërtimi i urës së madhe të Kukësit është një premtim i hershëm i qeverisë shqiptare dhe u bë pjesë e kontratës koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot–Morinë që lidh Shqipërinë me Kosovën, me kosto afro 40 milionë euro.

Prej asaj kohe, kryeministri Edi Rama e ka promovuar shpesh urën e madhe të Fierzës në faqen e tij në Facebook dhe po aq shpesh i ka ndryshuar afatet për përfundimin e saj.

Në gusht të vitit 2020, Rama tha se puna për ndërtimin e rampës dhe lëshimin e harkut të urës niste në shtator të atij viti. Dy muaj më vonë, kreu i qeverisë shtoi se ura e Kukësit do të jetë e përfunduar pranverën e vitit 2021. Ndërsa mëngjesin e 23 janarit 2023, Rama shkroi se ura pritej të realizohej plotësisht deri në pranverë.

Postime të lidhura