Aplikacion
Lagjja “ 5 Maji” i ngjan një zone lufte. Një ditë më parë fadromat e IKMT shembën dhjetëra shtëpi nën kundërshtimin dëshpërues të banorëve. Gjurmët e forcës së bulldozerëve janë të freskëta.
Mure të shkatërruara, mobilje shtëpiake të ngelura brenda bashkë me perdet e pahequra të dritareve!
“5 Maji” një ditë pas hyrjes së fadromave
Banorët u nxorrën jashtë me polici në orët e para të mëngjesit, sepse nuk pranuan marrëveshjen e ofruar nga bashkia, pasi sipas tyre ajo nuk u garanton asgjë, është një letër premtim pa datë dhe pa vend.
Refuzimi është frika që ka lindur nga premtimet e gënjeshtërta të politikanëve ndër vite. Banorët nuk kanë asnjë garanci që do të marrin atë që u premtohet.
“Nuk ka transparencë lidhur me aktet që ka prodhuar Bashkia Tiranë, konkretisht Akt-Marreveshja për shkëmbim/dhurim të pronës, e cila është e padetajuar me të dhënat përkatëse dhe pa informacion se cila është pasuria që do na vihet në dispozicion në këmbim të pronës së marrë për zhvillimin e zonës”, shprehen disa prej tyre.
Zoom.al siguroi kontratën që i ishte ofruar njërit prej banorëve. Ajo përcakton se çdo banori i jepet e njëjta sipërfaqe ndërtimi me shtëpinë që ka në pallatet e reja, por kontrata nuk ka një afat të caktuar se kur do të merret apartamenti dhe ku specifikisht, në cilën hyrje dhe kat.
Gjithashtu në kontratë shkruhet që nuk lejohet asnjë veprim juridik deri në momentin që do firmosen akte të tjera midis dy palëve, çka, sipas një juristi të konsultuar nga Zoom.al, lë vend për interpretim.
Thonë se VKM-ja u nxorr në mënyrë të fshehtë dhe se ata e kanë marrë vesh nëpërmjet portaleve, pasi media tradicionale e ka shmangur këtë problem.
Ded Marku, i cili bashkë me familjen e vet rezistoi derisa u nxorr forcërisht bashkë me nënën e tij, një plakë në moshë, na thotë që nuk mund të pranojë një marrëveshje, e cila nuk i ndihmon të tre vëllezërit, pasi edhe fondi i qerasë nga bashkia është vetëm për një familje.
Ai na rrëfen se në 3 të mëngjesit iu prenë dritat dhe në orën 6 policia ia behu duke i terrorizuar.
“Ishin të shumtë në numër”, na thotë si për t’u shfajësuar se nuk rezistoi sa duhej.
Bekim Ceri, një nga banorët më aktiv në krye të protestës, thotë se zona ka problematika të ndryshme.
“Në radhë të parë, ca kanë letra, ca nuk kanë letra, ca kanë ndërtesën por s’kanë pronën.”
Sipas tij, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka që në 2006 që nuk ka nxjerrë lejen e legalizimit për ata që janë në proces prej 16 vjetësh tashmë.
“ASHK-ja nuk e ka bërë punën e vet. Në një numër kadastral prej 1000 m2 kemi 3 banorë, njëri e ka numrin e tjetri nuk e ka”, shpërthen ai gjithë mërzi ndaj shtetit.
Foto: Bekim Ceri i ndaluar nga policia
Bekimi thotë se nuk mundet që i njëjti numër ta ketë në legalizim dhe një tjetër nuk mund ta ketë.
“Kjo është shkelje ligji, sepse ose dikush ka marrë ryshfet ose ka ardhur koha e fushatave dhe dikush ka nxjerrë legalizimin në bazë të votave në zgjedhje. Bashkia e anashkalon këtë fakt nga ASHK-ja dhe askush nuk i jep rëndësi, por merren me shkatërrimet e ndërtimeve duke mbuluar shkeljet ligjore”, deklaron ai.
Banorë të tjerë na thonë se kanë kërkuar dëgjesë publike me kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, por ai nuk ka ardhur.
“Erion Veliaj ka thënë që ne jemi njerëz që jetojmë nëpër gropa septike dhe nëse jetojmë kështu kjo është pasqyrë e punës së tij” thotë Bekim Ceri.
Në 2020 Ministria e Shtetit për Rindërtimin ka nxjerrë vendim që kjo lagje do të ketë zhvillim zone me akt normativ post tërmeti, që të vijnë banorët që ngelën pa shtëpi nga tërmeti.
“Kjo është një gjë shumë e mirë”, shprehen banorët, por sqarojnë se zona e tyre është shpallur sipas aktit normativ numër 9 si zonë tërmeti.
Bekim Ceri na tregon se këtu nuk ka pasur pasoja nga tërmeti. Na kujton se ditën kur është nxjerrë familja Marku jashtë shtëpisë, ata kanë fjetur jashtë në të ftohtë. “Drejtoria e Shërbimit Social gjatë këtyre 4 muajve protestë nuk ka ardhur asnjëherë”, vijon ai.
“Këta banorë kanë 20-30 vjet në këto toka, me këto prona dhe askush nuk ka kërkuar prona në këtë zonë, as ish pronar e as bashkia. Ne kemi të drejtë mbi këtë pronë sipas kodit civil”, sqaron ai.
“Nuk mund të nxirren në rrugë pa iu bërë një premtim ligjor që i mbron nga e drejta bazë për strehim.”
Banorët duan ta mbajnë politikën larg, por shprehen se nuk largojnë askënd që do të jetë pjesë me ata në protestë, duke e lënë derën e hapur për opozitën.
I kanë dërguar letra ambasadës së BE-së, të SHBA-së dhe Kryeministrit, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Kur ne i intervistuam, asnjëri prej tyre nuk e kishte dëgjuar Kryeministrin të thoshte se policia do të vazhdonte të përdorte forcën sa herë banorë të pengonin projektin.
Foto: Policia që tërheq të moshuarën
I vetmi institucion që ka reaguar ka qënë Avokati i Popullit, i cili ka tërhequr vëmendjen për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi, gjë që ka shkaktuar edhe një gjendje të dukshme pasigurie, paqartësie dhe shqetësimi për qytetarët.
Avokati i Popullit ka shprehur rezerva edhe mbi disa klauzola të këtij vendimi, të cilat për shkak të procedurave të ndjekura me justifikimin e emergjencës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, sot më 2022 nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për qytetarët, të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e pa-individualizuar dhe e pa-afatizuar.
Banorët e “5 Majit” e dinë që nuk i dëgjon askush. Por Ded Marku, Bekim Ceri e të tjerët na thonë se nuk do të dorëzohen.
“Do të qendrojmë së bashku, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të degjohemi e të marrim atë që na takon, një strehë në vend të asaj që kemi ndërtuar me djersën e 30 vjetëve nëpërmjet një pune të ndershme”, premtojnë ata.
Bashkia nuk do të ndalet. Projekti është tenderuar. Vendin e ruspave që prishën shtëpitë do ta zënë shumë shpejt ekskavatorët, fadromat, vinçat e betonieret.
Në “5 Maj” janë tenderuar 62 milionë dollarë në total për banesa për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i nëntorit 2019. Banorët që protestojnë i kanë shtëpitë pa leje.
Edhe pse këmbëngulin në rezistencë, ligji nuk u jep të drejtë. /Armand Kullau – Zoom.al