zoom

Bota

Publikohen mijëra dokumente dhe foto të reja nga dosja “Epstein”, Clinton në pishinë me një grua

Publikohen mijëra dokumente dhe foto të reja nga dosja “Epstein”, Clinton në pishinë me një grua

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka bërë publike të premten arkivën e plotë të njohur si “Epstein Library”, e cila përmban mijëra dokumente, fotografi dhe materiale të tjera që lidhen me çështjen e financierit Jeffrey Epstein, i përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të abuzimit seksual në historinë amerikane.

Sipas autoriteteve, arkiva e re përmbledh për herë të parë në një platformë të vetme dokumente nga dosje gjyqësore, materiale të Departamentit të Drejtësisë, regjistrime private autentike si dhe dokumente të tjera zyrtare të sekuestruara gjatë hetimeve.

Ndër materialet që kanë tërhequr më shumë vëmendje janë disa fotografi ku shfaqen figura të njohura publike, përfshirë ish-presidentin amerikan Bill Clinton, si dhe emra të famshëm të botës së muzikës dhe kinemasë si Mick Jagger, Michael Jackson dhe Kevin Spacey. Autoritetet theksojnë se në këto imazhe nuk konstatohet ndonjë shkelje ligjore, ndërsa lidhjet konkrete të këtyre personazheve me veprimtarinë kriminale të Epstein mbeten të paqarta.

Dy fotografi të publikuara tregojnë Bill Clinton në një pishinë, në rrethana ende të paidentifikuara. Në njërën prej tyre, ish-presidenti shfaqet pranë dy personave, ku identiteti i njërit është redaktuar, ndërsa personi tjetër dyshohet të jetë Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e ngushtë e Epstein, e dënuar me 20 vite burg për trafikim seksual.

Clinton është fotografuar disa herë me Epstein gjatë viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, përpara se financieri të arrestohej për herë të parë. Ai nuk është akuzuar kurrë për shkelje ligjore në këtë çështje dhe ka mohuar çdo dijeni për krimet e Epstein. Në vitin 2019, një përfaqësues i tij deklaroi se Clinton “nuk kishte asnjë informacion për veprimet kriminale të Epstein”.

Në arkivën e publikuar përfshihen gjithashtu edhe fotografi të presidentit aktual amerikan Donald Trump dhe personazheve të tjerë publikë, disa prej të cilave ishin bërë publike më herët gjatë proceseve gjyqësore. Departamenti i Drejtësisë njoftoi se rreth 1,200 emra dhe imazhe janë redaktuar për të mbrojtur identitetin e viktimave.

Dokumentet tregojnë se Epstein kishte dokumentuar në mënyrë sistematike aktivitetet e tij, duke mbajtur shënime të shumta, materiale fotografike, CD, kaseta audio dhe regjistrime video, përfshirë edhe pamje të mundshme nga kamera survejimi në rezidencat e tij në Nju Jork dhe Palm Beach.

Jeffrey Epstein u akuzua për abuzim seksual dhe trafikim të të miturve, disa prej të cilëve nën moshën 14 vjeç. Ai dyshohej se kishte ndërtuar një rrjet shfrytëzimi seksual me ndihmën e bashkëpunëtorëve. Bashkëpunëtorja e tij kryesore, Ghislaine Maxwell, u dënua në vitin 2021.

Epstein vdiq në gusht të vitit 2019 në një burg federal./ Zoom.al

Postime të lidhura