zoom

Bota

Kush është “Eskobari grek” që u arrestua sot/ Lidhja me kontrabandën e cigareve përmes Shqipërisë

Kush është “Eskobari grek” që u arrestua sot/ Lidhja me kontrabandën e cigareve përmes Shqipërisë

Alexandros Angelopoulos, i njohur nga mediat si “Eskobari grek”, u arrestua këtë të hënë nga autoritetet për trafikimin e një sasie të madhe kokaine, pas sekuestrimit të një anijeje të dyshuar si pjesë e aktivitetit të tij kriminal. Jeta dhe veprimtaria e tij kriminale konsiderohen nga hetuesit si një nga historitë më të bujshme të krimit të organizuar në Greqi dhe Evropë.

I njohur edhe me nofkat “Alekos” ose “Fat”, Angelopoulos e nisi aktivitetin kriminal që në moshë të re. Fillimisht ai punoi si roje nate në klube të mëdha në zonën e Syngrou-së, për t’u përfshirë më pas në kontrabandën detare. Sipas të dhënave, një nga etapat e para të aktivitetit të tij kriminal lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë, ku ai shërbeu si marinar në anije të vjetra që transportonin cigare kontrabandë nga Shqipëria drejt Italisë, një itinerar i njohur i viteve ’90.

Autoritetet theksojnë se këto lëvizje përmes Shqipërisë dhe Ballkanit shënuan hapat e parë të përfshirjes së tij në rrjete ndërkombëtare të krimit të organizuar. Më pas, Angelopoulos u zhvendos në Belgjikë, ku zgjeroi aktivitetin e tij në trafik armësh dhe narkotikësh, duke kaluar nga kontrabanda e cigareve në trafik ndërkombëtar kokaine, me linja që shtriheshin nga Amerika Latine drejt Evropës.

Sipas hetimeve, ai ndërtoi një rrjet të sofistikuar kriminal, duke bashkëpunuar me kartele kolumbiane dhe duke përdorur anije peshkimi për transportin e sasive të mëdha të drogës. Paralelisht, ai krijoi një profil publik si biznesmen, me investime në kompani mode, baste sportive dhe futboll, ndërsa në jetën private u përfshi në lidhje të bujshme, përfshirë edhe një marrëdhënie me pronaren e një bordelloje në Antwerpen.

Kulmi i veprimtarisë së tij kriminale u arrit në fillim të viteve 2000, kur u akuzua për disa dërgesa të mëdha kokaine dhe për pastrim parash në vlera dhjetëra milionë euro. Edhe pse u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, dënimi iu reduktua më vonë, përpara se të rikthehej sërish në burg.

Autoritetet greke dhe ndërkombëtare e cilësojnë Angelopoulos si një nga figurat më të fuqishme të trafikut të drogës në rajon, ndërsa rasti i tij mbetet një shembull domethënës i mënyrës se si rrugët ballkanike, përfshirë Shqipërinë, u përdorën në ndërtimin e një perandorie ndërkombëtare droge./ Zoom.al