zoom

Lajme

Rama ironizon kandidaturën e Florjan Binajt: Shkriu gazit edhe vetë Kongresin e PS-së

Rama ironizon kandidaturën e Florjan Binajt: Shkriu gazit edhe vetë Kongresin e PS-së

Kryeministri, Edi Rama, është shprehur i bindur për fitoren e mazhorancës në Tiranë, ku kandidate është Ogerta Manastirliu duke sulmuar kundërshtarin e saj Florjan Binaj.

Në podkastin Flasim, Rama u shpreh se “kundërshtarët përfaqësojnë shembëlltyrën më kuptimplote të humbjes së radhës, të ndjesë pastë Partia Demokratike”.

“Është një risi absolute e zgjedhjeve të parakohshme vendore kandidimi i dy grave për Tiranën dhe Vlorën, dy qytete të dorës së parë për Shqipërinë, që do të drejtohen nga dy gra me karrierë të ngjashme, që kanë transformuar tërësisht institucionet që kanë drejtuar falë kapacitetit dhe vullnetit të tyre të hekurt. Ato janë fituese të padiskutueshme të garave, ku kundërshtarët përfaqësojnë shembëlltyrën më kuptimplote të humbjes së radhës, të ndjesë pastë Partia Demokratike”, deklaroi Rama.

Për herë të parë, kreu i qeverisë komentoi edhe kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, Florian Binajn, aktorin e humorit që dikur njihej për imitimin e tij të Ramës në spektaklin “Portokalli”.

Kryeministri e ironizoi duke u shprehur se Binaj është “gjoja kandidat i pavarur”, dhe se me imitimin e tij ka gajasur edhe vetë kongresin e PS.

“Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim.

Nuk e gjykoj keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, sepse aktorët me role jetojnë. Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste, do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur për të vazhduar punën transformuese drejt ‘Tiranës 2030’,” u shpreh Rama./Zoom.al

Postime të lidhura