zoom

Aktualitet

Si u zhgënjye Qazim Rasha me drejtësinë që i premtoi Edi Rama për vrasjen e djalit

“Vizita e kryeministrit këtë të mërkurë tek familja e të ndjerit Klodian Rasha i cili mbeti viktimë e një plumbi nga arma e efektivit të policisë Nevaldo Hajdaraj ishte për t’i ofruar familjes mbështetje të çfarë do lloj forme. Kryeministri e ka pyetur babain e të ndjerit, zotin Qazim Rasha se për çfarë ka nevojë. Qazim Rasha e ka paralajmëruar kreun e qeverisë se e vetmja gjë që kërkon është vendosja e drejtësisë e nëse nuk vendoset ajo nga gjykata ai do të përgjigjet me “vetëgjyqësi”. Kryeministri është larguar nga familja e të ndjerit me premtimin se ashtu do të ndodhë.”

Kështu shkruanin mbrëmjen e 26 marsit të vitit 2021 gazeta të ndryshme në Tiranë që pasqyruan një vizitë “sekrete” të kryeministrit Edi Rama në familjen e Klodian Rashës. Ajo ishte vizita e dytë me përbetimin se do të bëhej drejtësi.

1 vit e 4 muaj më vonë Klodian Rasha nuk është më një kauzë kombëtare që ngriti në protesta mijëra të rinj, por një hall i izoluar i familjes së vogël me origjinë nga Dibra. Drejtësia e tha fjalën e saj. Nevaldo Hajdaraj, polici që e vrau Rashën, do të bëjë vetëm 10 vjet burg.

U deshën 16 muaj që Qazim Rasha të kuptonte drejtësinë dhe politikën e vërtetë. Ai nuk u përmbajt dot më si dikur kur “paparacët” e kryeministrisë e fotografonin kur Edi Rama i hidhte dorën në shpinë “miqësisht”.

“Kjo nuk është drejtësi”, klithi ai në sallën e gjyqit, një klithmë zhgënjimi për premtimin e madh që i ishte bërë dikur nga njeriu më i pushtetshëm i këtij vendi.

“Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie, cila ishte se duhet te merrej seriozisht drejtësia me këtë çështje”, tha Qazim Rasha. Ai kishte besuar vërtet në fjalët e Edi Ramës.

Si një burrë i zakonit, ai e kishte zgjedhur drejtësinë përballë vetëgjyqësisë. Sot thotë se drejtësia ka rënë.

“Deklarata ime ishte që në ditën e vrasjes së djalit se: I imi iku u varros, por ama fëmija im, i juaji, i të gjithë gjaku është i njëllojtë, edhe i atyre gjyqtarëve e prokruroëve që marrin kët lloj vendimi. Si mund të quash drejtësi kur çdo është e zbardhur e fushës dhe një herë me të rënë të lapsit, jep gjykimin e shkurtuar, kur ai mund të bëhej shembulli, mendoj se drejtësia e re të bëjë shtet… Me këtë lloj vendimi, drejtësi nuk mendoj se mund ta gjejë as unë e as askush” – deklaroi ai, duke na treguar edhe njëherë se si funksion drejtësia në këtë vend, ashtu si djali i tij na tregoi anën e errët të policisë. /Zoom.al

“Kjo nuk është drejtësi”/ Dënohet me 10 vite burg polici që vrau Klodjan Rashës, shpërthen babai i tij