zoom

Aktualitet

260 mln euro dhe ende probleme/ Dëmtime të reja në rrugën Qukës–Qafë Plloçë

260 mln euro dhe ende probleme/ Dëmtime të reja në rrugën Qukës–Qafë Plloçë

Problemet në rrugën Qukës–Qafë Plloçë vijojnë, teksa ditët e fundit janë konstatuar sërish dëmtime në këtë aks rrugor.

Sipas vëzhgimeve në terren, janë evidentuar ulje të nivelit në shtratin e rrugës, konkretisht në lotin e dytë, pranë zonës së njohur si “Kthesa e Trebinjës”.

Kjo nuk është hera e parë që ky segment shfaq probleme. Vetëm pak kohë më parë, një pjesë tjetër e kësaj rruge pësoi zhytje për shkak të rrëshqitjes së strukturës. Edhe pse ka kaluar kohë nga ajo ngjarje, segmenti nuk është rikthyer ende në normalitet, ndërsa qarkullimi vijon të jetë i kufizuar dhe zhvillohet vetëm në një korsi.

Vështirësitë në këtë aks janë shfaqur që prej inaugurimit të tij. Gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, reshjet e shumta sollën një sërë problematikash në disa segmente të rrugës.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë, e cila ka kushtuar rreth 260 milionë euro dhe u hap për qarkullim në shtator të vitit të kaluar, vijon të përballet me dëmtime. Pas problemeve të mëparshme në lotin e tretë, tashmë situata shqetësuese është zhvendosur edhe në lotin e dytë.