zoom

Day ArchivePërplasen 3 automjete në afërsi të rrethrrotullimit të Kolonjës! Raportohet për 4 të lënduar

Një aksident i trefishtë ka ndodhur në autostradën në afërsi të rrethrrotullimit të Kolonjës.

Raportohet se 4 persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar për në spitalin e Lushnjes për ekzaminime shëndetësore.

Një prej makinave ka përplasur një automjet, që ishte para tij për shkak të pamundësisë për të frenuar, nga lagështia, dhe më pas ky mjet është përplasur nga pas nga një tjetër makinë.

Aktualisht, policia rrugore po kryen procedurat e nevojshme dhe po punon për disiplinimin e trafikut, i cili është tepër i ngarkuar këtë fundjavë.


Range Rover përplaset me barrierën mbrojtëse në bypass e Lushnjes dhe shpërthen në flakë

Një aksident ka ndodhur në by-passin e Lushnjës pasditen e sotme.

Raportohet se një mjet tip Range Rover është përplasur me barrierën anësore të autostradës duke u përfshirë nga zjarri.

Zjarrfikësit kanë mbërritur në vendngjarje dhe ambulancat kanë transportuar dy persona të lënduar në spital.

Policia e qarkullimit në vendngjarje do menaxhon trafikun dhe po kryen procedurat përkatëse.

Rama shthur gojën: I mbushim sallat më shumë se ata me kashtën dhe k*qet e tyre

Kryeministri Edi Rama, i cili bën takime elektorale vetëm me gratë e vajzat, duke zgjedhur të ofendojë meshkujt, ka treguar arsyen.

Rama deklaroi se gratë dhe vajzat që mblidhen në fushatë s’mblidhen për të duartrokitur, por shtoi se janë trupa që udhëheqin betejën e PS për të ftuar mendjen dhe zemrat e njerëzve.

Kreu i qeverisë shtoi se “ky është superioriteti unë, sepse vetëm me gratë e pararojës mbushim në sallë si kjo, se sa ata të tjerët me të tërë kashtën e koqet e tyre.”

“Këtu në Vlorë do jap përgjigjen e asaj pyetjes “Ç’është ky hall i madh që bredh Edi Rama nëpër Shqipëri dhe mbledh vetëm gratë? Që ta kuptojnë ata që nuk e dinë se si funksionojmë ne, dua tu them që çfarë shikoni këtu nuk janë gra dhe vajza që janë mbledhur këtu për të duartrokitur, por janë trupa që udhëheq betejën tonë për të ftuar mendjen dhe zemrat e njerëzve në të gjithë Vlorën dhe kjo nuk i përjashton aspak burrat dhe djemtë. Ky është superioriteti unë, sepse vetëm me gratë e pararojës mbushim në sallë si kjo, se sa ata të tjerët me të tërë kashtën e koqet e tyre”, tha Rama.

BIRN: Fushata në Dibër dominohet nga “lufta brenda llojit“ për mandatin e pestë

Asfalti i saposhtruar të shoqëron në 10 kilometrat e rrugës hyrëse në Peshkopi, ndërsa në dy anët e saj, plantacionet me mollë dhe qershi janë ende në lulëzim. Makinat me flamuj të kandidatëve për deputetë të lajmërojnë se qyteti është përfshirë nga ethet zgjedhore të 11 majit, ku qarku Dibër do të dërgojë 5 deputetë në Kuvend.

Në bulevardin “Elez Isufi”, qytetarët shëtisin në një diell të ngrohtë prilli ose ulen në kafenetë e shumta në të dyja anët, ndërsa disa punëtorë po shtrojnë pllakat e reja në një projekt prej  dhjetramilionë lekësh, edhe pse u ndërtua pak vite më parë si pjesë e programit “Rilindja Urbane” të qeverisjes socialiste.

Fushata elektorale është tema kryesore e bisedave të dibranëve.

“Tani që u zgjidh problemi i rrugës duhet ribërë një strategji zhvillimi për Dibrën,” thotë Hysen Uka, 60 vjeç, i cili më vonë na tregon se ka qenë një lobues i hershëm i projektit të rrugës së Arbrit nëpërmjet shoqatës së tij “Nisma për Dibrën”.

Hapja e vonuar e tunelit të Murrizit, që shkurton distancën e qytetit verilindor me Tiranën, nuk duket të ketë ndikuar aq sa pritej në entuziazmin e dibranëve.

Uka e përshkruan fushatën të qetë dhe mendon se në listat e të gjitha partive ka persona me vlera, por shton: “sistemi zgjedhor nuk mundëson përfaqësimin e vlerave individuale të kandidatëve”.

Qarku verilindor i Dibrës, ku përfshihen bashkitë Peshkopi, Bulqizë, Klos dhe Mat, do të nxjerrë 5 deputetë në këto zgjedhje nga votat e rreth 130 mijë votuesve. Zgjedhjet parlamentare të së shkuarës kanë favorizuar Partinë Demokratike në opozitë, e cila mori 3 deputetë në vitin 2021. Megjithatë, opozita futet e përçarë në këto zgjedhje, ndërsa socialistët e armatosur edhe me pushtetin lokal synojnë një përmbysje rezultati.

Beteja e vërtetë në Dibër po zhvillohet rreth mandatit të pestë, mes kandidatëve të listave të hapura nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Siç pranojnë simpatizantët e të dy krahëve, konkurrenca është e ashpër me kundërshtarët politikë, por edhe më e ashpër mes kandidatëve të së njëjtës parti.

Rivaliteti brenda llojit

Në listat e sigurta, Partia Socialiste kandidon Blendi Klosin si drejtues politik të qarkut dhe Alma Selamin, drejtoreshë shkolle dhe funksionare e administratës socialiste. Përballë kanë ish-kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu dhe kryetaren e Partisë Demokratike të Matit, Denisa Vata si pjesë e Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

Dhjetë kandidatë të tjerë nga dy partitë e mëdha përplasen me njëri- tjetrin për mandatin e pestë, por gara dominohet nga pak prej tyre.

Në kampin e Partisë Socialiste, një aktivist na tregoi për dualitetin mes Danjiel Gjurës dhe Agron Malajt; i pari drejtor i Kadastrës dhe i dyti kryebashkiak i Matit deri në fillimin e fushatës.

Danjel Gjurën e takojmë në një bar-kafe në pronësi të familjes së tij në hyrje të qytetit të Peshkopisë, që për nga posterat e shumtë me portretin e tij, duket se shërben edhe si zyrë elektorale.

Gjura heziton të bisedojë me gazetarët dhe thotë se nuk i pëlqejnë daljet në rrjetet sociale dhe media, por komunikimi derë më derë me njerëzit.

“E njoh shumë mirë këtë vend dhe nga mosha 21 vjeçare i kam shërbyer komunitetit të zonës,” tha ai për BIRN. “Dibranit duhet t’i fitosh zemrën,” përgjigjet shkurt kur e pyesim nëse pret që investimet në zonë të ndikojnë tek votimet.

Ai këmbëngul gjithashtu se nuk ka rivalitet brenda kampit socialist se kush mbledh më shumë vota dhe se fushatën po e shijon si një mundësi komunikimi me njerëzit e tij.

“Unë nuk bëj llogari votash, po e pati shkruar Allahu do bëhem deputet,” thotë Gjura duke vënë në dukje gjithashtu se është praktikant i fesë.

Edhe Agron Malaj, i cili përdor si kartvizitë në këto zgjedhje investimet në infrastrukturë të bashkisë, nuk e pranon rivalitetin brenda siglës.

“Nuk kam konkurrencë, kam një objektiv të fitojë PS-ja në qarkun Dibër,” tha Malaj, duke shtuar se votat për kandidatët dhe për partinë janë njësoj.

Në kampin e opozitës, fushata brenda llojit dominohet vizualisht nga ish-ushtaraku dhe deputeti aktual i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, i cili reklamon posterin me numrin e tij në fletën e votimit në fasadat e zyrave elektorale dhe dritaret e pasme të dhjetra makinave që qarkullojnë gjatë ditës në Peshkopi.

Një anëtar i shtabit elektoral demokrat, që kërkoi të qëndronte anonim,  i tha BIRN se karvani i makinave të simpatizantëve të Gjunkshit ishte i pranishëm çdo ditë dhe ndonjëherë, edhe orëve të vona të darkës në qytetet dhe fshatrat përreth Peshkopisë, Bulqizës dhe Klosit.

“Janë djem të rinj që u janë dhënë këto makina në përdorim, ku me flamujt e posterat e Gjunkshit vijnë vërdallë për të dhënë imazhin e dominimit të fushatës, a ku di unë për çfarë tjetër,” ironizoi ai.

Dominimi i Gjunkshit vërehej edhe në takimin elektoral në Pallatin e Sportit që po zhvillohej me pjesëmarrjen e kreut të PD-së, Sali Berisha, ku dhjetra të rinj mbanin veshur bluzën me numrin 1 dhe emrin e tij, ndërsa një banderolë e madhe po ashtu shtrihej në njërën anë të sallës ngjitur me një tjetër ku shfaqej Berisha afër fotos së presidentit amerikan, Donald Trump.

Gjunkshi e quajti “rivalitet pozitiv” garën mes kandidatëve të listës së hapur, por shtoi se kjo ishte një garë për të dhënë më të mirën dhe jo kundër kolegëve.

“Formula e listave të hapura padyshim ka sjellë më shumë përgjegjësi për secilin prej nesh si kandidatë,” tha Gjunkshi. “Mund të ketë njëfarë rivaliteti pozitiv brenda listës, por qëllimi i përbashkët mbetet fitorja e PD-së në Dibër dhe kthimi i shpresës për këtë qark të lënë pas dore,” shtoi ai.

Alketa Agolli me shkollim të dyfishtë, në Shkencat e Natyrës dhe Juridik, është një vajzë vlonjate e martuar në Maqellarë të Dibrës, e cila ka advokuar kundër projektit të qeverisë “Rama” për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një projekt që pritet të cënojë disa fshatra të zonës.

Nën tymin e flakadanëve dhe timbanin e daulles që shoqëroi largimin e Berishës pas mitingut të demokratëve, Agolli tha se sistemi i listave të hapura ka sjellë një dinamikë të re në këto zgjedhje, por edhe një sfidë.

“Ka kandidatë që disponojnë më shumë burime për të bërë një fushatë më agresive, por unë besoj fort se qytetarët dinë të dallojnë sinqeritetin dhe përkushtimin, përtej shkëlqimit të sipërfaqes,” tha ajo.

Sfidantët e vegjël

Projeksionet e votave në dy bastionet tradicionale të qarkut të Dibrës në këto zgjedhje rivalizohen nga kandidatë të subjekteve të tjera politike. Mes emrave me peshë në komunitet dallojnë Albert Kojku nga Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës dhe Florjan Tomçini nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit.

Kojku, 44 vjeç, lektor në një universitet privat në Tiranë për menaxhimin e sistemeve kompjuterike, ka qenë një aktivist i hershëm i PD-së që pas luftës së brendshme të kësaj partie u pozicionua në krahun e Bashës.

Ndërsa ecim një copë rrugë  në bulevard, qytetarë të shumtë e përshëndesin atë me “profesor”, që sipas tij lidhet me punën e gjatë në sistemin arsimor në Dibër. Kandidati i Bashës e konsideron si avantazh faktin që njerëzit e njohin dhe pretendon se do të mbledhë shumë vota personale për këtë shkak, por edhe votuesit e zhgënjyer nga dy partitë e mëdha.

“Dibra nuk kërkon premtime, por zhvillim,” thotë Kojku, ndërsa bën një listë të gjatë me problematikat me të cilat përballet qarku, nga arsimi jocilësor te emigrimi dhe mungesa e shërbimeve bazë.

Pavarësisht trysnisë që ofron fushata mes dy kampeve të mëdha, Kojku është optimist se do thyhet ‘akulli’ me rezultatin e listës së Koalicionit Euroatlantik dhe mandati i 5-të do të shkojë për të.

Edhe PSD-ja e Tom Doshit po përpiqet të fitojë elektorat në Dibër me Florjan Topçinin, i cili falë aleancës me Partinë Socialiste, është i punësuar drejtor në bashkinë e Dibrës, por që nga marsi ka kërkuar pezullimin nga detyra dhe ka hapur zyrën elektorale në qytet.

“Ai do të marrë vota nga PS-ja, nuk na prish punë ne” tha një aktivist demokrat. Shqetësimi duket se është në kampin socialist, ku një aktiviste tha: “ai ka influencë në zonë”.

Prioritetet e mënjanuara sociale  

Fushata në Dibër duket se bazohet më fort në fuqinë financiare dhe ndikimin në elektorat të disa kandidatëve, sesa në programet elektorale të forcave politike apo prioritetet sociale që ka zona.

“Asnjë nga subjektet politike nuk ka pasur interes të diskutojë me organizatat e shoqërisë civile për prioritetet e zonës,” tha një aktiviste vendore, e cila kërkoi të mbetet anonime, ndërsa shtoi se nuk sheh që ndonjë prej tyre të ketë prioritet çështjet sociale, por vetëm infrastrukturën.

“Shërbime sociale për zonën janë inekzistente, por kjo nuk është prioritet në diskurset e kandidatëve,” shtoi ajo.

Një tjetër problem sipas aktivistes së shoqërisë civile është dhe përfshirja e ulët e grave në fushatë elektorale. “Shumica e grave që janë përfshirë, pranojnë se ka diskriminim gjinor”- shton ajo, duke konsideruar gjithashtu si diskriminuese deklaratat e kryeministrit Edi Rama në një takim me gratë socialiste disa ditë më parë në Peshkopi.

Aktivistja theksoi se në përgjithësi fushata është e qetë dhe se kandidatët po fokusohen në takime të vogla derë më derë me qytetarët.

Edhe për Alketa Agollin, fushata është sfiduese për gratë e përfshira në politikë për shkak të pabarazisë gjinore.

“Pabarazitë gjinore janë ende të pranishme, qoftë në perceptimin publik, qoftë në mënyrën se si shpërndahen burimet,” thotë ajo, duke e konsideruar fushatën e grave në Dibër dhe si një mundësi për të thyer barrierat dhe t’i bërë ato aktore, jo vetëm pjesëmarrëse.

Besjan Cena, pronar i një agjencie udhëtimi, i mëshon mungesës së mbështetjes për bujqësinë dhe plagës së emigrimit si probleme kryesore të zonës. Djali i tij 16-vjeçar është tashmë një azilkërkues në Francë, pavarësisht këmbënguljes së babait për ta shkolluar dhe mbajtur në shtëpi.

Besjanit nuk i pëlqen polarizimi politik që ekziston në qytet, ku pothuaj të gjithë e njohin njëri-tjetrin.

“E mira është të votohen ata njerëz që i kanë shërbyer komunitetit,” përfundoi ai./BIRN

Zbulimi interesant, si e mbron zemrën vaji i ullirit

Kur njeriu ushqehet, në gjakun e tij rritet niveli i një proteine që njihet si apolipoprotein A-IV, e cila luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e atakut në zemër dhe ishemisë.

Rritja e nivelit të kësaj proteine ndodh kryesisht kur njeriu konsumon vaj ulliri ose ushqime me yndyrna të pangopura.

Së fundmi, studimet kanë zbuluar se kjo proteinë parandalon edhe bllokimin e enëve të gjakut.

Një gjë e tillë mund të shkaktojë atak në zemër, ishemi ose vdekje të parakohshme.

Artereoskleroza Dhe Tromboza 

Në shumicën e rasteve, ataku në zemër dhe ishemia shkaktohen si pasojë e artereosklerozës.

Kjo është një sëmundje që ka të bëjë me bllokimin e enëve të gjakut nga pllakat artereosklerotike të cilat mbivendosen në arterie dhe pengojnë qarkullimin.

Këto pllaka përbëhen nga yndyra, kolesteroli, kalçiumi dhe substanca të tjera.

Proteina apolipoprotein A-IV pengon bllokimin e enëve të gjakut, duke ndryshuar formën e pllakave që mbivendosen dhe pengojnë qarkullimin.

Kjo proteinë ngadalëson artereosklerozën dhe shmang trombozën.

Nivelet e saj janë të larta kur njeriu konsumon yndyrna të pangopura, siç është vaji i ullirit.

Të Mbrojtur Edhe Në Gjumë

Përveç lidhjes së kësaj proteine me shëndetin e zemrës, shmangien e atakut në zemër apo ishemisë, shkencëtarët zbuluan diçka tjetër interesante.

Intensiteti i kësaj proteine në gjak është më i lartë kur njeriu është në gjumë dhe më i ulët kur ai është zgjuar.

Kjo sipas studimeve, do të thotë që njeriu është i mbrojtur kur është në gjumë. Gjasat e një problemi kardiovaskular janë më të mëdha në mëngjes.

Ngrënia e ushqimeve të pasura me yndyrna të pangopura bashkë me një gjumë cilësor, krijojnë kushtet perfekte për uljen e rrezikut të atakut në zemër dhe ishemisë./AgroWeb.org

SPAK nis verifikimin e kontratës së lobimit të PD-së, Rama: 6 milionë euro për të hequr damkën e një personi non grata

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi SPAK ka nisur hetimet ndaj kontratës së lobimit të Partisë Demokratike.

Rama tha se u paguajtën 6 milionë euro për të hequr damkën e një personi non grata, referuar Sali Berishës.

Rama: Besoj se të gjitha ju që jeni këtu sot, dhe ata që ndjekin në të përditshmen e vetë këtë ballafaqim, jeni sot të habitura nga fakti që janë paguar 6 milionë euro. Është bërë një kontratë 6 milionë euro, thuhet nga patriotë. Ju kujtohet herën e kaluar Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë. Edhe ai kështu tha, u mblodhën ca patritoë.

E kuptoni janë 6 milionë ecur për të hequr damkën e një personi non grata. Janë vërtet shumë për të mos bërë pyetjen ku u gjetën ata para. Si mundet që thjesht dhe vetëm për hallin e një njeriu, të paguhen më shumë para sesa shteti jep për të gjitha partitë të marra së bashku.

Është pak e cudishme kur e mendon se na u tha sat ë vinte Trump, do ikte non grata. Tani u dashkan edhe 6 mln euro me shpresën që të ikte non grata. Edhe sikur të rrijë edhe sikur të iki, kjo nuk është çështja dërrmuese e shqiptarëve, që janë sot në një moment historik dhe duhet të marrin një vendim historik.

HETIMET E SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar se ka nisur një hetim lidhur me një kontratë lobimi të nënshkruar nga Partia Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, zyra e shtypit e SPAK-ut sqaron: “Ju informojmë se Prokuroria e Posaçme ka filluar verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të Partisë Demokratike.”

Ky reagim erdhi një ditë pas shpërndarjes së lajmit për një kontratë lobimi prej 6 milionë dollarësh, të nënshkruar nga Partia Demokratike me një kompani në Uashington DC, me një periudhë dyvjeçare.

Sipas dokumenteve, kontrata është firmosur më 4 prill nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ndërsa si garant në SHBA është një individ i quajtur Nuredin Seçi.

Kjo është kontrata e dytë e këtij lloji që Partia Demokratike firmos në një periudhë të shkurtër.

Por në një sqarim, zyra e shtypit të PD-së tha më herët se ky është një kontribut financiar i shqiptarëve që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në SHBA.

Reagimi i plotë i PD (26 prill)

Komuniteti shqiptaro amerikan përmes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompaninë “Continental” për te ndihmuar ne konsolidimin e marrëdhënieve miqësore te Partisë Demokratike si forca me e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA. Synimi i bashkatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD me aleatin kryesor te Shqipërisë për te rivendosur  demokracinë funksionale dhe shtetin e te drejtës ne Shqiperi.

Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo i cili njihet gjithashtu dhe si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palekundur ne qëndrimet e tij!

Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marre përsipër 100% nga patriote shqiptare  qe jetojnë dhe punojnë prej dekadash ne SHBA si dhe demokrate te tjerë te larguar nga Shqipëria këto 10 vite për shkak te regjimit te Edi Rames!

Partia Demokratike duke falenderuar demokratet antikomuniste te komunitetit shqiptaro – amerikan për bujarinë dhe e patriotizmin e tyre sqaron opinionin publik se ndonëse ka dhënë dakordesine për marrjen e këtij shërbimi ne përputhje te plote me ligjet e te dy vendeve, nuk ka asnjë barre financiare apo detyrim kontraktual qe lind nga kjo marrëveshje./ Zoom.al

Trajneri i Real Madridit, Ancelotti i vendosur për bisedime me Brazilin

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti është i vendosur për më shumë bisedime rreth marrjes së detyrës së trajnerit të Brazilit përpara kualifikimeve të Kupës së Botës 2026 në qershor.

65-vjeçari italian do të takohet me përfaqësuesit që do të veprojnë në emër të Federatës Braziliane të Futbollit (CBF). Ancelotti tha se e ardhmja e tij ishte “një temë për javët e ardhshme, jo sot”, pas humbjes së Realit në finalen e Kupës së Mbretit nga Barcelona në Sevilje të shtunën.

Megjithatë, biznesmeni brazilian Diego Fernandes, i cili ka vepruar në emër të CBF, u pa në ndeshje. Kuptohet se vizita e fundit e Fernandes në Evropë përfshin një plan për të tentuar të bindë Ancelottin që të marrë detyrën në Brazil sapo të përfundojë sezoni i brendshëm spanjoll.

Kjo do të thotë që Ancelotti të largohet nga Reali para Kupës së Botës për Klube të kësaj vere në Shtetet e Bashkuara. Ancelotti është zgjedhja numër një për të zëvendësuar Dorival Junior, i cili u shkarkua pas humbjes 4-1 të Brazilit nga rivalët e vjetër Argjentina në Buenos Aires muajin e kaluar.

Brazili është i katërti në tabelën kualifikuese të Kupës së Botës në Amerikën e Jugut.

Shpërthimi i madh në portin kyç iranian, vriten 28 persona dhe plagosen rreth 800 të tjerë

Të paktën 28 ​​persona janë vrarë dhe 800 janë plagosur në një shpërthim masiv në një nga portet kryesore të Iranit, thonë autoritetet.

Shpërthimi ndodhi në Shahid Rajaee, porti më i madh tregtar i vendit, pranë qytetit jugor të Bandar Abbas të shtunën në mëngjes. Nga shpërthimi u dëmtuan dritaret dhe çatitë e ndërtesave aty pranë dhe shkatërroi makina.

Banorët raportuan se ndjenë ndikimin e shpërthimit deri në 50 km (31 milje) larg. Gjashtë viktima ende nuk janë gjetur, raportojnë mediat shtetërore. Videot tregojnë një intensitet të zjarrit përpara një shpërthimi të madh, me njerëz që ikin të frikësua dhe të tjerë të shtrirë të plagosur në rrugë.

Publikohen pamjet e varrit të Papa Françeskut

Janë publikuar pamjet e varrit të Papa Françeskut në kishën Santa Maria Maggiore në Romë. Një trëndafil i vetëm i bardhë u fotografua mbi varrin prej guri që mban emrin me të cilin ai njihej gjatë papatës së tij, poshtë një kryqi të ndriçuar.

Papa i ndjerë u varros në kishë – një nga katër bazilikat kryesore në kryeqytetin italian dhe një që do ta vizitonte rregullisht gjatë kohës së tij si kardinal dhe pontifik – në një ceremoni private pas funeralit të tij publik në Vatikan të shtunën.

Mijëra njerëz kanë kaluar pranë varrit që kur kisha u hap për publikun të dielën në mëngjes për të nderuar Papa Françeskun, i cili vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Françesku ishte veçanërisht i përkushtuar ndaj Virgjëreshës Mari dhe Santa Maria Maggiore ishte kisha e parë që iu kushtua asaj kur u ndërtua në shekullin e 4-të.

Bazilika ndodhet pranë Koloseut, shumë përtej kufijve të Vatikanit, ku papët varrosen tradicionalisht.

Papa Françesku kishte thënë se dëshironte të prehej atje në vitin 2022, duke përmendur frymëzimin nga Virgjëresha Mari.

Kontrata e lobimit, PD sulmon SPAK-un: Nuk është trembur vetëm Rama, por edhe veglat e tij

Pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka nisur një hetim lidhur me kontratën 6 milionë dollarëshe të lobimit të nënshkruar nga Partia Demokratike, ka reaguar kjo e fundit.

Në një deklaratë zyrtare për shtyp, PD akuzon SPAK-un se po përdoret qëllimisht nga kryeministri Edi Rama.

”Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184! Njëlloj siç kanë mbyllur sytë para 150 milionë eurove të vjedhura të inceneratorëve, nga të cilat SPAK jo vetëm nuk ka rekuperuar asnjë qindarkë, por hesht si fija e barit se ku kanë përfunduar 150 milionë euro për një vepër që nuk ekziston,”- thuhet ndër të tjera.

Më tej deklarata vijon:

”Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!

Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës!”

Për ta përmbyllur me:

”Sot Partia Demokratike, falë diasporës, është më e fortë se kurrë! Ditët e Ramës janë të numëruara! Fitorja është afër dhe i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve brenda dhe jashtë Shqipërisë të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të kësaj fushate për të realizuar qëllimin tonë final që është Shqipëria Madhështore!”

Sipas dokumenteve, kontrata është firmosur më 4 prill nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ndërsa si garant në SHBA është një individ i quajtur Nuredin Seçi./ Zoom.al