zoom

Ekonomi

“200 euro për frymë”/ Sa na kushton borxhi i qeverisë

Buxheti i këtij viti parashikon shpenzime për interesat e borxhit të jashtëm në vlerën e 21.76 miliardë lekëve, ose rreth 200 milionë euro. Shifra rezulton të jetë rritur ndjeshëm ndër vite, për shkak të huamarrjes dhe kryesisht eurobondeve të qeverisë shqiptare, 4 të tillë në 6 vite, bashkë me atë të emetuar vetëm pak ditë më parë.

Por, sa paguan mesatarisht një shqiptar në vit për të shlyer interesat e borxhit të jashtëm të qeverisë? Rreth 7,878 lekë në vit, e barabartë me rreth 73 euro. Kjo shifër përfaqëson interesat vjetore të borxhit të jashtëm për frymë, pra përmbi totalin e popullsisë së Republikës së Shqipërisë, bazuar në statistikat zyrtare të popullsisë. Ndërkohë, për një familje mesatare, që në Shqipëri fiksohet në 3.7 anëtarë, shpenzimi mesatar vjetor vetëm për interesat e borxhit fiksohet pranë rreth 29 mijë lekëve, e barabartë me rreth 270 euro për familje. Kjo shifër nga ana tjetër përkthehet në 2400 lekë në muaj, ose rreth 22 euro.

Në rast se bëjmë një retrospektivë kuptojmë se në vitin 2017 interesat e borxhit të qeverisë për frymë në vendin tonë fiksoheshin pranë vetëm 3650 lekëve, dhe diçka më shumë se 100 euro për familje. Në vitin 2018 kjo shifër ngjitej në 4,659 lekë për frymë,, ndërsa në vitet 2019-2021 ka variuar pranë rreth 4,300 lekëve për frymë në vit. Në vitin 2022 kjo shifër është ngjitur mesatarisht pranë rreth 6,700 lekëve dhe ka kulmuar gjatë vitit aktual, duke i`u referuar buxhetit të këtiv viti, ku kjo shifër mbetet ende në kuadër të një parashikimi.

Por, nëse në përllogaritje përfshijmë edhe borxhin e brendshëm, atëherë fatura rritet ndjeshëm, më shumë se dyfish, pasi nëse interesat e borxhit të jashtëm për vitin 2023 parashikohen pranë rreth 22 miliardë lekëve, ato të borxhit të brendshëm fiksohen në rreth 34 miliardë lekë dhe të rezervës pranë rreth 4 miliardë lekësh, për një total prej 60 miliardë lekësh. Pra, në një vit qeveria shqiptare paguan interesa borxhi në rreth 550 milionë euro, thuajse e barabartë me vlerën e një eurobondi të viteve të fundit. Për frymë kjo shifër përkthehet në rreth 22 mijë lekë në vit, dhe për familje në mbi 80 mijë lekë në vit.

Pra, mesatarisht në vit qeveria shqiptare paguan interesa borxhi prej rreth 550 milionë eurosh, të cilat për secilin prej nesh përkthehen në rreth 200 euro në vit, dhe për çdo familje në mbi 700 euro në vit.