zoom

Ide & Blog

20 euro pagesa rrugësh nga Kukësi në Dhërmi/ Jugu po bëhet mollë e ndaluar për veriun e Shqipërisë

Një qytetar i Kukësit që do të udhëtojë me automjetin e tij drejt rivierës së Shqipërisë shumë shpejt do të përballet me 6 trarë pagesash në rrugë. Kapitali publikon koston totale se sa do të kushtojë udhëtimi me një automjet të thjeshtë nga Kukësi deri në Dhërmi sipas tarifave të tenderuara për rrugët koncesionare.

Pagesa e parë është ajo në tunelin e Thirrës. Kalimi nga pika kufitare e Morinës deri në Milot kushton 5 euro për automjetin e thjeshtë. Më pas, vijnë dy ndalesa të tjera. Ato janë në segmentet Milot-Thumanë dhe Thumanë –  Kashar. Pagesa e kalimit në këto rrugë do të jetë respektivisht 0.6 dhe 2.53 euro me TVSH.

Kjo e çon totalin e pagesave në rrugë nga Kukësi deri në Kashar në rreth 8.1 euro vetëm në një drejtim. Më pas qytetari ka dy alternativa. Ose të vazhdojë nga Durrësi në rrugët dytësore deri në Vlorë ose të zgjedhë Korridorin Blu në dy segmentet e tjera.

Ato janë Kashar-Lekaj dhe Lekaj Fier. Këto dy segmente nuk kanë filluar të ndërtohen, por tenderi i tyre është zhvilluar duke përcaktuar fituesit, por edhe tarifat e kalimit.

Sipas rezultateve të tenderit, tarifa e kalimit në segmentin e parë, ajo nga Kashari në Lekaj do të kushtojë 3.8 euro me TVSH. Ndërsa për segmentin e dytë, atë nga Lekaj deri në Fier tarifa e kalimit do të jetë 2.2 euro të tjera me tvsh.

Pra në total kostoja e pagesave në rrugë nga Kukësi deri në Fier do të jetë 14.1 euro vetëm në një drejtim për një automjet të thjeshtë. Pas këtyre segmenteve ka dhe një ndalesë të fundit pagesë. Ajo është pagesa në tunelin e Llogarasë, e cila sipas ministres së Infrastrukturës do të kushtojë 5 euro dhe nis vitin tjetër.

Këtu mbetet për t’u sqaruar nëse shifra 5 euro është me apo pa TVSH. Nëse është pa tvsh, atëherë pagesa për qytetarin shkon në 6 euro. Por edhe nëse shifra 5 euro është me TVSH, pagesat totale për një automjet që udhëton nga Kukësi deri në Palasë do të jetë 19.1 euro vetëm në një drejtim. Nëse llogaritet dhe kthimi, atëherë kostoja vajtje ardhje e një udhëtimi nga Kukësi në Palasë shkon 38.2 euro.

Kjo nuk është një kosto e vogël. Veçanërisht tani, që linjat ajrore loë cost ofrojnë bileta edhe 20 euro për destinacione të ndryshme në Europë. Qeveria shqiptare nuk ka paraqitur asnjë studim se cili do të jetë impakti në turizëm i pagesave të shtrenjta në autostradat e Shqipërisë. Dhe duke marrë parasysh shqetësimin e drejtë se rrugët aletrnative dytësore do të jenë të vështira për t’u kaluar, pyetja që shtrohet është vetëm një.

A po bëhet Jugu, molla e ndaluar për shqiptarët e Kosovës dhe atë të Veriut.

Nga Klodian Tomorri