zoom

Politikë

Zgjedhjet e pjesshme lokale/ VOA: Në Vorë fiton bindshëm PS

Në Shqipëri, u shpall në mbrëmje rezultati i parë i votimeve të zhvilluara sot në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit. Në Vorë, ku u realizua votimi dhe numërimi elektronik, ka fituar, sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, kandidati i Partisë socialiste Blerim Shera, me 67.8 përqind, ose 7530. Një rezultat që ka shkuar përtej, atij që partia në pushtet mori gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku në këtë bashki kishte arritur 56 përqind.

Votimet e sotme janë parë më së shumti si një garë brenda opozitës, mes Partisë Demokratike të kryetarit Lulzim Basha dhe lëvizjes së udhëhequr nga ish kryeministri Sali Berisha, se kush gëzon mbështetje më të madhe. Kandidatët e zotit Berisha u përfaqësuan nën emrin e koalicionit Shtëpia e Lirisë, që zyrtarisht mban siglat e LSI-së dhe Partisë Demokristiane. Shifrat e Vorës tregojnë një dominim të Lulzim Vranës, kandidatit të zotit Berisha, ndaj Ymer Markut, përfaqësuesit të PD-së. Zoti Vrana rezulton të ketë marrë 23.3 përqind (2589 vota) kundrejt vetëm 5.4 përqind (687 vota) në favor të zotit Marku.

Por përtej raporteve brenda opozitës, rezultati tregon një rënie të mbështetjes ndaj saj. Të dy kandidatët e djathtë, nuk bëjnë as gjysmën e votave të marra nga kandidati socialist. Një fakt që dëshmon goditjen e fortë që e djathta shqiptare ka marrë për shkak të përçarjes së saj. E që mund të jetë dhe një ndër faktorët e pjesëmarrjes më të ulët në votimet e sotme, 36.7 përqind nga 54.9 përqind që kishin dalë në 25 prill 2021 në Bashkinë e Vorës.

Procesi i votimit

 

 

Gjithcka është zhvilluar pa problematika të theksuara, ndërsa pjesëmarrja ka qenë e ulët, 30.33 përqind, sipas të dhënave paraprake në mbyllje të procesit. Në pjesën më të madhe problemet, siç ka bërë të ditur dhe Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, kanë qenë të lidhura me aspekte teknike, funksionimin e kamerave të vëzhgimit, apo pajisjeve të identifikimit elektronik të votuesve, të instaluara në çdo qendër dhe vetëm 15 përqind e të gjitha ankesave ka qenë e lidhur me çështje të administrimit zgjedhor.

Rasti më i zhurmshëm ishte ai i Vorës ku PD pretendoi se anëtarët e PS dhe LSI-së në Komisionin Zonal, KZAZ, kanë refuzuar të emërojnë përfaqësuesit e kësaj force politike në komisionet e qendrave të votimit. Sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ishte vetë në Vorë, KZAZ është shprehur se i kishte dhënë zgjidhje problemit. Ai tha se në qendrat e vizituara personalisht prej tij procesi i votimit po ecte mjaft mirë. PD megjithatë ka bërë kallzim penal, duke pretenduar se përfaqësuesit e forcave të tjera pjesëmarëse në zgjedhje, po bashkëpunojnë kundër PD-së.

Gjatë ditës pati edhe denoncime për votime familjare në disa qendra në Vorë, ku votimi është elektronik, sikundër më pas dhe numërimi.

Megjithatë sipas zotit Celibashi “natyra e problematikave nuk ka qenë e tillë që të ndikojë në procesin e administrimit zgjedhor. Vazhdojmë të vuajmë nga e njejta sëmundje, kur nga arsye ndonjëherë krej banale, komisionerët, vendosen vetë në një lloj konflikti apo diskutimi që nuk ka lidhje me procesin zgjedhor. Dhe në fakt nuk është se kontribuojnë për një administrim më të mirë, dhe ajo problematikë nuk e dëmton administrimin e procesit zgjedhor. Ndonjëherë më duket si një përpjekje për të thënë ca gjëra, për të lënë një shenjë, që në varësi të rezultatit, të themi që unë e kam thënë atë gjë”

Në Shkodër, votimi është anulluar dhe shpallur i pavlefshëm, në tre qendra në zona të thella për shkak të kushteve të motit. Vetëm në përfundim të procesit do të vlerësohet, nëse mungesa e votimit në këto qendra që në total kanë 3300 votuesë, ka ose jo ndikim në rezultat. Kodi zgjedhor përcakton se “nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një ose disa qendra të votimit, dhe numri i zgjedhësve në këto qendra votimi, është më i madh se diferenca mes kandidatit fitues dhe kandidatit të dytë, atëherë zgjedhjet shpallen të pavlefshme në të gjithë njësinë zgjedhore, pra në të gjithë bashkinë”.

Janë pak më shumë se 650 mijë qytetarë me të drejtë vote në të 6 bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet. Por pjesmarrja ka qenë e ulët, ndonëse pati një fluks votuesish lehtësisht të rritur pas mesditës. Pjesëmarrja ka qenë më e lartë në Dibër, mbi 43 përqind dhe më e ulët në Durrës (26.27 përqind) dhe Shkodër (29.11 përqind). Kjo shenjë mungese interesi ishte diçka e pritshme. Së pari, sepse kryebashkiakët që do të zgjidhen nga votimi i sotëm do të kenë një mandat të kufizuar kohor, pasi pranverën e vitit të ardhshëm pritet të zhvillohen zgjedhjet e radhës së pushtetit vendor. Nga ana tjetër, në votim nuk përfshihen këshillat bashkiakë, të cilat janë funksionalë, dhe kontrollohen nga socialistët, duke qenë se në 2019, opozita i bojkotoi zgjedhjet vendore.